Aktualitet

“Kush i ka bërë ata, lopa?”, pedagogët përpiqen të bindin studentët e mjekësisë të qëndrojnë në Shqipëri

Shkruar nga Liberale
“Kush i ka bërë ata, lopa?”, pedagogët përpiqen

Me nisjen e viti të ri akademik, është rikthyer debati për studentët e mjekësisë, të cilët janë kushtëzuar nga qeveria për të qëndruar në Shqipëri pas mbarimit të studimeve. Por duket se shpesh herë këtë debat e bëjnë profesionistë të fushave të tjera dhe jo bluzat e bardha, të cilët në fakt janë ata që duhet të flasin të parët.

Në emisionin “Opinion”, pjesë të panelit kanë qenë dy pedagogë të gazetarisë, të cilët përballë një grupi studentësh të mjekësisë, kanë paraqitur argumentetet e tyre pse duhet të qëndrojnë në Shqipëri.

Pedagogia Iris Luarasi tha se pavarësisht se studentët kanë të drejtat më të plota të kërkojnë kushte optimale në ushtrimin e profesionit, edhe shteti nga ana tjetër ka detyrimin e tij të garantojë mjekët apo infermierët për njerëzit që banojnë në zona periferike.

“Në Shqipëri, 1.9 mjekë për 1 mijë banorë. Që do të thotë, a keni ju njerëz nëpër fshatra? Kushërinj, kushërira, gjyshe, gjyshër? Njerëz që i keni? Nëqoftëse ata ngelen pa sistem shëndetësor, duhet ta zgjidhë shteti. Shteti si ta zgjidhi? Ta bëjë këpucarin, t’i japë përparësen? Ça të bëjë?! Më fal, por nuk është kjo mënyra si funksionon. Në këtë aspekt ne duhet ta shikojmë me një lloj qytetarie dhe një lloj kompasioni. Pra, ata njerëzit që ngelen atje pa asnjë mjek, pa asnjë infermier, kush do i kurojë? Kush i ka bërë ata, i ka bërë lopa?! Jo more dhe ata kanë prindër, kanë lindur fëmijë dhe gjithë detyrimet i ka shteti. Është detyra e tyre që t’u sigurojë mjekë, infermierë dhe kushte të mira. Unë me këtë nuk u heq asnjë presje kërkesës tuaj për të pasur kushte të mira, këtë dua dhe unë si pacient”, tha ajo.

Nga ana tjetër, pedagogu dhe analisti Mark Marku tha se shteti qëllimin e ka të mirë, pasi mjekët i duhen vendit, por mënyra për t’i mbajtur ata këtu nuk është e duhura.

“Unë mendoj që këtu ka një përplasje mes dy të drejtave, e drejta e shtetit që të sigurojë arsim dhe mjekësi për të gjithë, dhe kjo e fundit sigurohet nëpërmjet arsimit dhe të drejtën e studentëve për të qenë të lirë në zgjedhjet e tyre. Të dyja qëllimet në vetvete janë pozitive, mënyra si janë trajtuar nuk është e duhura. Normalisht që shteti ka një kosto që është e taksave të qytetarëve për të gjithë sistemin arsimor, por është i detyruar që të sigurojë mjekësinë për të gjithë. Mendoj që çdo shtet duhet të gjejë format ta garantojë këtë. Shqetësimi i ikjes së mjekëve dhe braktisjes së mjekëve, nuk ka mjekë aty ku janë qytetarët. Ka në Tiranë, por jo në Rrëshen. Qëllimi është i mirë për të shkuar drejt një zgjidhjeje, por forma është shumë e ashpër dhe arrogante sepse nuk mund t’u marrësh diplomat studentëve. Normale është e drejta e studentit që ta ketë sepse është e tija, nuk është e shtetit. E shtetit është vetëm nëse diploma është e falsifikuar. Duheshin gjetur forma më elegante për ta rregulluar, për t’i pajtuar këto dy të drejta dhe për të bërë të mundur që studentët të rrinë këtu, të ketë një formë angazhimi”, tha Marku.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH