Medium Personazhe

Kush është Kamala Harris, kandidatja për zv.presidente në SHBA

               Publikuar në : 19:48 - 13/08/20 liberale

Kamala Harris, e bija e dy emigrantëve nga Xhamajka dhe India, të cilët ishin aktivistë të lëvizjes për të drejtat e afro-amerikanëve në vitet 60-të, u bë të mërkurën gruaja e parë me ngjyrë që kandidon për zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo u zgjodh për këtë post nga Joe Biden, garuesi për president përballë Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA.

Harris u lind më 20 tetor 1964 në Oakland, të Kalifornisë dhe u rrit me trashëgiminë indiane, por njëkohësisht duke përqafuar origjinën e saj nga Xhamajka.

I ati i saj Donald Harris një profesor ekonomie në Universitetin Stanford, dhe e ëma Shiamala Gopalan një kërkuese shkencore dhe njëkohësisht një aktiviste për të drejtat e njeriut u bënë bashkë në vitet 60-të, në lëvizjet për të drejtat e afro-amerikane.

Harris kujton se e ëma e ka frymëzuar vazhdimisht duke i thënë “mos rri duke u ankuar, por bëj diçka”. Kjo shprehje sipas kandidates për zëvendëspresidente e ka lidhur atë me aktivizmin.

Emrin Kamala e ka marrë nga e ëma për të kujtuar gjithnjë rrënjët indiane dhe nënkupton “lotusin” dhe perëndeshën hindu Lakshmi duke u lidhur me fuqizimin e grave.

Në daljet e saj publike, Harris përmend vazhdimisht krenarinë për origjinën e identitetit të saj, por njëkohësisht e përshkruan veten si “amerikane”.

Znj. Harris ka ndjekur kolegjin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Howard University, për Shkenca Politike dhe Ekonomik, kolegj që historikisht njihet si një universitet i populluar nga afro-amerikanet, një eksperiencë për të cilën ajo thotë që ka ndikuar mjaft pozitivisht në formësimin e saj sidomos në karrierën e saj politike, shkruan Euronews.

Në vitin 2003, asaj iu besua posti i kryeprokurores në distriktin e San Franciskos në 2003, përpara se të zgjidhej si gruaja e parë me ngjyrë që shërbeu si kryeprokurorja e përgjithshme të Kalifornisë. Ajo hyri në botën e politikës në vitin 2016, në garën për senatore ku doli fituese ndaj garuesëve me më shumë eksperiencë.

Në qershor të vitit 2019, gjatë një forumi në Universitetin e Nevadës, në Las Vegas ajo u shpreh pro reformave gjithëpërfshirëse të emigracionit, për të lehtësuar bashkimin familjar në SHBA.

Pavarësisht se nuk ka një karrierë shumë të gjatë në politikë, Kamelia Harris do të jetë bashkëgaruesja e ish-zëvendëspresidentit Biden për një prej posteve më të fuqishme në politikën globale.

Senatorja Harris, konsiderohet një figurë e rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme kundër Trump, pasi votat e njerëzve me ngjyrë në SHBA pritet të luajnë një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e fituesit.

Motoja e saj vjen nga e ëma: “Ti mund të jesh e para, por sigurohu mos të jesh e fundit!” dhe lidhet me vazhdimësinë në përpjekjet për të ndryshuar politikat dhe nxitjen për aktivizëm.

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back