Aktualitet

Kurti refuzon ftesën e dytë të Thaçit

Shkruar nga Liberale
Kurti refuzon ftesën e dytë të Thaçit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas dy ftesave të këtij të fundit për takim.

Kurti e falenderon Thaçin për dy ftesat, për të cilat thotë se fillimisht publikoheshin në portale para se të mbërrinin në zyrën e LVV-së. Mirëpo as sonte në orën 20:00, kreu i Vetëvendosjes nuk mund ta takojë Presidentin.

“Ju faleminderit për dy ftesat e sotme që të takohemi sot, ftesa këto që fillimisht publikoheshin nëpër portale pastaj mbërrinin në zyrën tonë. Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte. Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë takohemi gjatë ditëve në vijim, ndërkohë po shqyrtoj këto nenet që i keni përmendur në dy letrat tuaj”, thuhet në letrën e Kurtit.

Sipas ftesës së parë, Presidenti Thaçi dhe Kurti duhej të takoheshin në orën 13:30, ndërsa në të dytën në orën 20:00.

Në bazë të nenit 95 pika 1 për zgjedhjen e qeverisë, Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Prej kohës kur emri i propozohet Kuvendit, kandidati për Kryeministër ka afat 15 ditë të paraqesë përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës shpall zgjedhjet e reja. Derisa zyra e BE-së në Kosovë nëpërmjet një njoftimi kanë uruar zgjedhjen e Glauk Konjufcës, në postin e kryetarit të Kuvendit.

Në njoftimin e Zyrës së BE-së thuhet se Kosova duhet të formojë sa më shpejtë qeverinë e re në mënyrë që të ecë përpara në zhvillimin e saj ekonomik dhe shoqëror, mbi sundimin e ligjit dhe në agjendën e saj evropiane.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH