Globi

Kurti premton drejtësi për familjen Jashari

Shkruar nga Liberale
Kurti premton drejtësi për familjen Jashari

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bënë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në ditën e dytë të përkujtimit të 23-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga Prekazi, ata thanë se sakrifica dhe trimëria e familjes Jashari do të shërbejnë si frymëzim për shumë breza.

Kurti tha se sakrifica e komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe familjes së tij për liri është tregues që ata deshën vendin më shumë se vetveten, ndërsa premtoi angazhim të institucioneve për të bërë drejtësi për sulmin e Serbisë ndaj tyre.

“Për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes legjendar Jasharaj askush nuk është gjykuar dhe nuk ka pasur as një gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar sepse ajo as nuk ka filluar. Prandaj, ne duhet të angazhohemi si institucione dhe shtet që kjo të ndryshojë, për hir të Republikës së Kosovës dhe paraardhësve të Jasharëve, për hir të së ardhmes të popullit dhe kombit tonë në përgjithësi. Ne sot me nderim të përjetshëm përulemi para jetës, veprës dhe rënies së Jasharajve, kryekomandantit Adem Jashari të cilët e deshën pakrahasimisht më shumë vendin tonë se sa vetën e tyre”, tha Kurti.

Në Prekaz shkoi edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga disa prej ministrave të kabinetit të tij, për të bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH