Aktualitet

Kurti: Mospajtimet me Uashingtonin nuk janë thelbësore e as vendimtare

Shkruar nga Liberale
Kurti: Mospajtimet me Uashingtonin nuk janë thelbësore e as vendimtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se dallimet në qëndrime si ato mbi situatën në veri të vendit nuk janë thelbësore as vendimtare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kritikuar Prishtinën zyrtare për përshkallëzimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të cilat u bojkotuan nga serbët, u shoqëruan nga njësitë e posaçme të policisë në vendet e tyre të punës.

Ne jemi jashtëzakonisht dhe përjetësisht falënderues për mbështetjen dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara për çlirimin dhe pavarësinë, për mbrojtjen dhe sigurinë, për zhvillimin dhe demokracinë. Natyrisht që ka raste kur na dallojnë ngapak qasjet, mirëpo këto nuk janë gjëra të cilat janë thelbësore dhe kurrsesi vendimtare”, tha kryeministri Kurti.

Për të katërtën ditë me radhë, grupe qytetarësh serbë u mblodhën në komunat veriore, Zveqan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kërkuar largimin nga ndërtesat e komunave të kryetarëve shqiptarë dhe largimin e njësive të posaçme të policisë.

Kryeministri Kurti ritheksoi sot se ulja e numrit të policëve nëpër ndërtesa komunale mund të bëhet kur të largohen siç tha bandat kriminale mes protestueve.

“Natyrisht që mund ta paramendoj zvogëlimin e policisë së Kosovës nëpër ndërtesat e komunave atëherë kur do të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit e shovenizmit të djathtë ekstrem të cilët e adhurojnë (Slobodan) Millosheviqin dhe (Vladimir) Putinin. Ata ose le të shkojnë në Serbi ose duhet t’i dërgojmë në burg”, tha ai.

Tri ditë pas përplasjes së protestuesve serbë me forcat paqeruajtëse të NATO-s, ku pësuan lëndime 30 pjesëtarë të KFOFR-it, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Policia e Kosovës tha në një njoftim se dy qytetarë shqiptarë janë sulmuar të enjten nga një grup personash të maskuar derisa po qëndronin në hyrje të sheshit të pjesës veriore të Mitrovicës.

“Si pasojë e sulmeve dy të dhunuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë ndërsa nënvizohet se “aktet e tilla nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, por individëve apo grupeve të caktuara kriminale”.

Zhvillimet në veri kanë ngritur shqetësimet për ripërtëritje të konflikteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, marrëdhëniet e të cilave mbesin të tensionuara 24 vjet pas luftës, ndonëse ka mbi një dekadë që palët janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH