Aktualitet

Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel, dy çështjet e rëndësishme që do të diskutohen mes tyre

Shkruar nga Liberale
Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel, dy çështjet e

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar tashmë se thirrjes së përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për këtë takim, i janë përgjigjur pozitivisht të dy liderët.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Por, pas këtij takimi, palët i kanë interpretuar ndryshe detyrimet e tyre, ndërkohë që BE-ja ka theksuar se ato janë të detyruara që t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Dështimi për t’i zbatuar ato, do të ketë pasoja, ka paralajmëruar BE-ja.

Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pas këtyre dy temave do të shihet se sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

BE-ja i ka shmangur përgjigjet në pyetjet e gazetarëve rreth shkeljes së mundshme të marrëveshjes që ka bërë Serbia, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

BE-ja vetëm ka përsëritur se palët “duhet të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që keqësojnë situatën dhe atmosferën për përparimin e dialogut“.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH