Kryesore

“Kurrë s’kemi vrarë pa arsye”, cinizmi e fundi biologjik i Nexhmijes

               Publikuar në : 18:46 - 26/02/20 Enver Robelli

Nga Enver Robelli

Nëse krejt cinizmi i karrierës së Nexhmije Hoxhës mund të përmblidhet me një fjali, atëherë me këtë: «Kurrë nuk kemi vrarë pa arsye». Kështu i tha Nexhmije Hoxha revistës gjermane «Der Spiegel». Jo më 1954, por më 2004.

Edhe në Shqipërinë e demokratizuar formalisht, ajo pa iu dridhur syri mbronte të «arriturat» e komunizimit. Thoshte: «Të gjitha ekzekutimet janë kryer në kuadër të ligjeve në fuqi» ose «Stalini është sjellë përherë në mënyrë korrekte ndaj Shqipërisë».

Nexhmije Hoxha u dënua në vitet 90-të me burg për shpërdorim fondesh. Historia e saj të kujton Al Caponen, njërin prej gangsterëve më të mëdhenj amerikanë të viteve 1920-të dhe 1930-të. Edhe Al Capone u dënua si mëkatar tatimesh. Me përjashtim të pak viteve burg, Nexhmije Hoxha jetoi e lirë deri në fund të jetës së saj gati njëshekullore.

«Askush nuk më ngacmon. Më 1997 jam liruar pas disa vitesh në burg, kam pasaportë dhe që nga atëherë kam udhëtuar në Gjermani, Francë dhe Belgjikë». Viktimat e regjimit, shtyllë e rëndësishme e të cilit ishte Nexhmije Hoxha, nuk patën kaq fat. Atyre u mbetën kufomat nëpër kampe internimi. Për këto krime në Shqipëri nuk flet pothuaj askush, ndërsa argatët e regjimit të dikurshëm kanë ende pushtet dhe krenohen me të «arriturat» e dikurshme.

Një shoqëri që nuk ka raport kritik ndaj të kaluarës, një shoqëri që nuk i nxjerr para gjyqit fajtorët – ajo shoqëri e ka vështirë të ecën përpara. Përgjegjësia për këtë dështim bie mbi të gjitha partitë politike që kanë sunduar Shqipërinë në gati tri dekadat e fundit./Marrë nga FB e autorit- Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back