Aktualitet

Kur Petrit Ruka nderohej nga UET. Fjalimi i tij i fundit në publik

Shkruar nga Liberale

Ishte nëntori i vitit 2020, ku pandemia edhe pse kishte ngjallur disa filiza shprese, ende nuk kishte shuar frikën për jetën. Ishte pikërisht ky muaj që mblodhi në UET personalitete të politikës, artit, kulturës, arsimit dhe shkencës, duke sfiduar frikën për një personalitet, ndër më të rrallët që ka pasur poezia dhe letërsia shqipe. Ishte koha kur Petrit Ruka, poeti i shquar i fjalës dhe imazhit nderohej nga Universiteti Europian i Tiranës me titullin “Doctor Honoris Causa”. Jepej titulli i 15-të në 15-vjetorin akademik të këtij institucioni të spikatur dhe vlerësuar në fushën e arsimit të lartë në Shqipëri.

Nëpërmjet një ceremonie mirënjohjeje dhe vlerësimi, Petrit Ruka, i pari nga fusha e letërsisë dhe artit, iu shtua kështu hollit të famës në UET, që mban të përjetësuar personalitete të ndryshme shqiptarë dhe botërorë.

Ky titull u dha me propozimin e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, dhe veçanërisht me rekomandimin e dy pedagogeve, Edith Mihali dhe Nevila Nika, me motivacionin: “Për përmasat krijuese dhe intelektuale, që shtrihen në një diapazon të gjerë, me prirje dhe kahje në gjini e zhanre të ndryshme artistike, jo vetëm në kohët e sotme, por në të gjitha epokat historike dhe periudhat e ndryshme të zhvillimit kulturor. Janë të rralla rastet kur një artist krijues njeh, zotëron e lëvron me mjeshtëri artin e fjalës”.

Presidenti i UET-së, Selami Xhepa, do të shprehej se universitetet janë vendet e duhura për kërkime dhe zhvillime, por edhe për të nderuar figura me një kontribut të spikatur për shoqërinë.

“UET, si një universitet i ri i artit dhe kulturës ka filluar të zhvillojë një mori projektesh që i shërbejnë jo vetëm kërkimit shkencor në fushat e shkencave, por edhe në zhvillimin kulturor dhe të kujtesës historike të vendit. Këto projekte e plotësojnë rolin e universiteti në shoqëri”, u shpreh Xhepa.

I pranishëm në ceremoni, kryeministri Edi Rama do të vlerësonte krijimtarinë e Rukës, duke e cilësuar një qenie të rrallë ne mexhelisin e kulturës dhe artit shqiptar.

Unë jam këtu, sepse Petrit Ruka është patjetër një poet, patjetër shkrimtar dhe patjetër skenarist, por është një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë, një autor të cilin nuk e gjen me lehtësi siç i gjen të famshmit e të gjitha llojeve, që nga ata të llojit që meriton famën, te ata që famën e kanë të pamerituar apo sponsorizuar, stimuluar, të vet-krijuar. Petriti nuk është i famshëm. Është një autor që nëse hapësirën ku gëlon produkti bashkëkohor i artit dhe kulturës sonë do ta konsideronin si pazar, nuk e gjen në pazar, duhet ti shkosh në shtëpi”, u shpreh Rama.

Personalitete të tjera, të pranishëm fizikisht dhe virtualisht, do të ndanin vlerësimet e tyre më të thella, nga puna me Rukën, duke çmuar vlerat e patjetërsueshme që mbartte si njeri dhe si profesionist.

Vetë Ruka në fjalën e tij, nuk i kurseu falënderimet, për ata që e vlerësuan dhe i dhanë këtë titull, si dhe gjithë bashkëpunëtorët e hasur në rrugëtimin e tij. Duke e cilësuar si një ditë të shënuar dhe feste në jetën e tij, Petrit Ruka do të linte edhe një porosi, duke u shprehur: “Për fat të keq gjuha shqipe duket sikur ka ende më shumë fjalë të hidhura sharjesh se sa fjale urimi nderimi e falenderimi dhe jemi në që ato duhet t’i shumojmë sa herë kemi raste të tilla...”

Fjala e plotë e Petrit Rukës në ceremoninë e marrjes së titullit

Të nderuar miq, është e gjatë lista e njerëzve që dua të falenderoj këtu në këtë ditë të shënuar të jetës sime.

Për fat të keq gjuha shqipe duket sikur ka ende më shumë fjalë të hidhura sharjesh se sa fjale urimi nderimi e falenderimi dhe jemi në që ato duhet t’i shumojmë sa herë kemi raste të tilla...

I nderuar zoti Edi Rama, kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dua të të falenderoj nga zemra për praninë tënde këtu sot, prani të cilën e shoh dhe e kuptoj si një akt të thellë nderimi ndaj fjalës shqipe, letërsisë, artit, kulturës sonë, autorëve të saj. Faleminderit që je sot këtu, ku të gjithë së bashku po vëmë dhe një gur tjetër në Istitucionin e Mirënjohjes ndaj Kulturës, që mbase ende është më i zbehti dhe më pak i shndritshmi në këtë vend.

E nderuar zonja Evis Kushi, Ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve: falenderimet e mia për aprovimin dhe dakortësinë tuaj ndaj kërkesës së UET paraqitur tek ju me kaq dashuri, vleresim dhe fisnikëri nga dy zonja të mëdha të kulturës shpirtërore shqiptare, zonjës Nevila Nika dhe Edit Mihali. Faleminderit dhe mirënjohje!

E nderuara  zonja Elva Margariti, Ministre e Kulturës, te falenderoj për praninë tënde këtu si një shenjë nderimi ndaj Kulturës dhe letërsisë në veçanti.

I nderuar Profesor Selami Xhepa, President i këtij Universiteti, falenderime pafund për fjalën hyrëse plot dashuri dhe nderim në fjalën hyrëse të këtij aktiviteti të paharruar për mua dhe jetën time.

Dua të falenderoj thellësisht Administratorin e UET-së dhe botuesin e njohur Henri Çili, i cili nuk e pushoi asnjëherë përkushtimin e tij pasionant për të botuar e promovuar disa nga shkrimtarët dhe autorët më në zë të Shqipërisë, duke i bërë një nder të madh kështu misionit të një universiteti dinjitoz.

I nderuar Z. Rektor Tonin Gjuraj; faleminderit për dhënien e titullit Doktor Honoris Causa, që është një akt vlerësimi ndaj veprimtarisë sime në fushën e letërsisë dhe të filmit duke mbetur një kujtim i shtrenjtë dhe një festë e bukur...

Dua të falenderoj mikun tim të afërt Mero Baze, njërin prej gazetarëve më të shquar të këtij vendi për ndihmën e çmuar në botimin e këtyre baladave arbërore dhe djalin tjetër të tepelentë Laert Duraj për përkushtimin hap pas hapi në shtypjen elegante të librit.

Faleminderit redaktorit të këtij libri, poetit Arben Bllaci, për punën e mrekullueshme që ka bërë në çdo faqe të tij për dizajnin dhe paraqitjen mjaft të bukur estetike. Faleminderit Drejtoreshës së Botimeve këtu në UET, zonjës Suela Bala për ndjekjen hap pas hapi e gjithë shpirt si të një feste gëzimi të botimit të librit “Andej Baltë e këtej erë”.

Faleminderit mikut tim të shtrenjtë Pëllumb Kulla, këtij mbështetësi të zjarrtë të poezisë sime njerit prej nxitësve më të flaktë për t’i bërë pjesë sa më parë të lexuesit këto balada arbërore që janë mbase thesari më i madh që ka arritur të grumbullojë në shekuj gjuha shqipe dhe të cilat prej vitesh kam dashur t’i risjell të veshura artistikisht në kohëra tona.

Së fundi, jo për nga radha dhe pesha, falenderoj nga zemra piktorin e mrekullueshëm vlonjat Agim Sulaj, që thirrjes sime të ndrojtur iu përgjigj plot dashuri dhe entuziazëm, duke më nderuar me një punë të mrekullueshme për kopertinën e këtij libri.

Mirënjohje për secilin që është sot në këtë sallë, në këtë ditë feste të jetës sime!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH