1

Kur Martin Camaj qëmtonte Kadarenë dhe Petro Markon

               Publikuar në : 12:57 - 22/07/20 liberale

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kremton 95-vjetorin e lindjes së Martin Camaj duke bërë bashkë studiues letërsie dhe profesorë që ndër vite kanë dhënë kontribute për figurën e Camajt në një konferencë të quajtur “Camaj në letrat shqipe”.

Konferenca u përshëndet nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila çmoi figurën e Camajt në letrat shqipe.

“Letërsia shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX nuk do të ishte e plotë pa veprën e Camajt”,tha drejtoresha e Qendrës, Alda Bardhyli, duke theksuar faktin se kujtesa është një element i rëndësishëm mbi të cilën operojnë kulturat dhe identetitet.

I pari që mbajti fjalën përshëndetëse ishte botuesi i Martin Camajt, Bujar Hudhri. Hudhri si botues i veprës së plotë poetike vuri në pah vlerat e tij letrare dhe atë çka i ka ofruar kulturës shqiptare.
Studiuesi Ilir Yzeiri përmendi shkrimet e Camajt në revista letrare, duke theksuar se Camaj kishte një interes të jashtëzakonshëm për zhvillimet më të fundit në botën letrare në Shqipëri. Krahas shkrimeve për shkrimtarë të traditës si De Rada, Mjeda, Fishta, etj., Yzeiri thotë se Camaj do të shfaqte një interes të jashtëzakonshëm edhe për Ismail Kadarenë dhe Petro Markon.

“Kadare ndjek traditën e shkrimtarëve tanë toskë, sidomos t’atyne që u dalluen mes dy luftnave, si p.sh. kumbimin e ramjes se Ali Asllanit. Camaj i kalon përciptas dy vjersha të Fadil Krajës, ndërsa ndalet te ‘Hasta La Vista’ e Petro Markos, një pjesë e të cilit ishte botuar në faqet e ‘Nëndorit’. Camaj është i “ashpër” me Markon, duke u shprehur se ‘shkruen plajtas tue rreshtue nji grumbull ngjarjesh e njerzish me nji gjuhë fare të rëndomtë. Lanë nji mbresë në lexuesin djalogjet e pa shije..’”, u shpreh studiuesi Ilir Yzeiri.

Pedagogia dhe studiuesja e letërsisë, Viola Isufaj, u ndal te poetika e Camajt. Isufaj tha se Camaj përcakton modernitetin e vargut shqip bashkëkohor, ndërsa gjuhëtarja dhe studiuesja Ledi Shamku u përqendrua te vlerat gjuhësore të Camajt.

“Camaj gjuhëtar hartoi Gramatikën e Gjuhës Shqipe, e vetmja gramatikë që shqipen e sheh të përbërë nga tri koiné: Gegë, Toskë e Arbëresh, për t’ia ofruar njohjes e vetëdijes kombëtare”, shprehet gjuhëtarja Ledi Shamku për Camajn.

Edhe studiuesja Jorina Kryeziu u ndal te gjuha dhe te identiteti në veprën e Camajt.

“Shuarja e një identiteti në veprën e Camajt shprehet artistikisht përmes thukëtisë së prozës dramatiko-tragjike, përftesës moderniste të strukturës binare të saj, si dhe trajtave e shtresave të ndryshme simbolike e alegorike. Dy objektet kryesore të aktit narrativ: katundi dhe gjuha e fshehtë, do të bëhen prijëse të strukturës binare, të udhëhequr prej dikotomive. Metafora hapësinore e katundit ngrihet në përmasë kryesore konceptuale, si një mënyrë e marrëdhënies vendas – i huaj, si referencë e përhershme midis identitetit dhe lashtësisë”, thotë ndër të tjera studiuesja Kryeziu.

Studiuesi Hysni Ndreu me anë të një videomesazhi realizuar për këtë takim ndalet te motivi i vetmisë në novelat e Camajt, një motiv që te Camaj haset në mënyrë të qëndrueshme.

“Ndër motivet kryesore që gjallojnë në veprat e Martin Camajt, ai i Vetmisë haset në mënyrë të qëndrueshme, është hegjemon dhe konfigurohet nëpërmjet trajtash nga më të larmishmet. Pavarësisht mënyrave të ndryshme apo ngjyresave, me të cilat shfaqet në zhanre të caktuara e brenda secilit zhanër, në thelb ky motiv mbetet i pandryshueshëm dhe ruan të njëjtin synim autorial: konfigurimin e diagnozës së njeriut të vetmuar, gjithmonë të kërcënuar prej diçkaje, frikës, trishtimit, vdekjes, natyrës a fenomeneve të saj. Edhe te përmbledhja me novela, ‘Shkundullima’, të cilën Camaj e botoi për së pari në Mynih, në vitin 1981, motivi i Vetmisë është jo vetëm dominant, por edhe fill përbashkues i të gjitha teksteve që e përbëjnë atë”, thotë studiuesi Hysni Ndreu.

<
>
c9ec7db0-acd4-4c61-9b92-ee1b5e23768d b0e01403-0be1-4fe3-8393-31e80390bc5e 2339068c-21fa-49ed-a907-946e1d8ae68f 829bddd3-3fe8-4725-b2cd-70e282915481 93a7db52-033d-470e-a403-e21025a8c97d f67fdaf6-30c1-4eb8-84ca-d4adad09fae3 f66bb440-3bee-4abb-9dd4-4157a52e9b78 deb1a0f9-1c22-4dc4-bdf1-f74a75da289c d32f9285-2c1c-4827-9ccc-52e161bffa72 26cecc7a-0b61-4a19-a6ad-3c0b323e5318 5a9f24bb-5b43-4d0e-b363-879c9405bd45 2fe58f19-5c9f-4a3b-85f1-104e4cec53f2 2c22ee50-8740-43d5-a1f2-2112530b34d7

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back