Krye

Kur Hashim Thaçi nderohej me titullin “Doctor Honoris Causa” në UET

               Publikuar në : 08:52 - 01/07/20 liberale

Liria e Kosovës, çmimi për nderimin dhe pengimin e Hashim Thaçit

Ndërsa mbarë faktori shqiptar dhe ai ndërkombëtar i kishin sytë drejt Kosovës, e cila priste të niste një fazë të re marrëdhëniesh me ish-armikun e saj të luftës, Serbinë, dalja në skenë e një lajmi tronditi shumëkënd dhe ndërpreu përgatitjet e deritanishme për shtrimin e rrugës së dialogut, mes dy vendeve që përpiqen prej dy dekadash të bashkëjetojnë me njëri- tjetrin në paqe.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë lajmëroi me një deklaratë për mediat më 24 qershor, se ka ngritur një aktakuzë prej 10 pikash në Dhomat e Specializuara të Kosovës, kundër presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

“Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh , serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë”, thuhej në njoftimin për shtyp.

Më tej sqarohej se aktakuza është vetëm një padi penale, e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e Prokurorit të Specializuar, se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Po ashtu bëhej e ditur, se një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do konfirmohen akuzat dhe për të proceduar më tej.

Lidhur me faktin që aktakuza u bë publike, ende pa u konfirmuar, njoftohej se Prokurori i Specializuar e gjykonte të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Gjykatës së Posaçme.

Çmimi për lirinë

“E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madh njerëzor, familjar e politik. Ky është çmimi për lirinë e Kosovës.”

Kështu do të deklaronte presidenti Hashim Thaçi mbrëmjen e së hënës nga zyra e Presidencës, duke sqaruar publikisht qëndrimin e tij në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Thaçi tha para qytetarëve të Kosovës dhe mbarë botës, se mund të ketë bërë gabime politike në kohë paqeje, por asnjëherë nuk ka kryer krime lufte. E vetmja gjë që ka bërë, ka qenë shkelja e ligjeve të Sllobodan Millosheviçi, për të cilat u shpreh se edhe nëse do të kthehej pas do t’i përgjigjej plumbit të armikut me plumbin e etjes për liri.

Thaçi hodhi poshtë akuzat e ngritura për bërjen publike të aktakuzës ende pa u konfirmuar nga Gjykata, duke u shprehur se përkundrazi nga sa thuhet, ka qenë pikërisht ai që ka mbështetur politikisht këtë gjykatë me fjalë edhe me votë. Ndër të tjera, ngriti edhe dyshime për fabrikimin e këtij lajmi në këtë moment kritik, që sipas tij po minon një mundësi për arritjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë”, do të shprehej ndër të tjera Thaçi, duke ngritur edhe një herë pikëpyetjen e rëndësishme, nëse do të jetë kjo ngjarje çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës.

Thaçi, një “Doctor Honoris Causa” në UET

Presidenti Hashim Thaçi është një figurë e rëndësishme e historisë së Kosovës pasi për gati 3 dekada është pjesë e jetës së saj politike. Fillimisht ai ka qenë lider i Lëvizjes Studentore në vitet ’91-’93 dhe njihet si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prej vitit 1997 ai mori drejtimin e Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më 1999 kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës.

Pas luftës, në vitet 1999- 2000, ai u bë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Po ashtu, ai ishte ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK), e cila u quajt më vonë Partia Demokratike e Kosovës. Thaçi u zgjodh kryetar i saj, post të cilin e mbajti deri 2016, kur mori detyrën e Presidentit.

Pas fitores së PDK në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Thaçi u bë kryeministër, post që e mbajti deri në 2014.

Ai ka qenë kryeministri që ka lexuar deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008, duke u bërë kështu edhe i pari kryeministër i shtetit të pavarur të Kosovës. Prej shkurtit 2016 mban detyrën e Presidentit të Kosovës.

Lidhur me kontributin në luftë për Pavarësinë, përpjekjet për ndërtimin e shtetit dhe në integrimin e Kosovës, Universiteti Europian i Tiranës e nderoi Hashim Thaçin më 15 shkurt të 2018 me titullin “Doctor Honoris Causa”. Në një ceremoni solemne, organizuar në ambientet e UET-së, senati akademik i këtij universiteti i dorëzoi titullin Presidentit Thaçi, i cili u shpreh i nderuar që i akordohej ky titull në vigjilje të Pavarësisë së Kosovës.

Sot ndjehem i privilegjuar që në vigjilje të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në vitin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti, nga Universiteti juaj, Universiteti Evropian i Tiranës, nderohem me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Ky titull nderi vjen nga një Universitet i cili po bën emër të mirë gjithnjë e më shumë me të arritura akademike dhe shkencore, duke i ngritur standardet e studimeve të botës shqiptare në rang evropian dhe atë botëror”, do të shprehej Thaçi.

Motivacioni për titullin “Honoris Causa”

Për kurajën e madhe, maturinë dhe shembullin e madh të atdhedashurisë së shfaqur në momente kur këto ishin më të nevojshme se kurrë dhe më të vështira se kurrë për Kosovën;

Për kontributin e madh në liri dhe paqe, në përpjekjet e pandalshme për të ndërtuar një vend të lirë e demokratik, një vend ku dinjiteti i njeriut është i shenjtë dhe ku pakicat, qofshin ato serbe, boshnjake apo turke, mbrohen me tërë forcën e të drejtës dhe ligjit dhe trajtohen si të barabarta;

Për përpjekjet e jashtëzakonshme për të siguruar pavarësinë e Kosovës, por veçanërisht për kontributin si Kryeministër dhe President i Kosovës, si një promovues i fuqishëm i rrëzimit të barrierave mes Prishtinës dhe Tiranës, duke nxitur një intensitet shkëmbimesh të paimagjinueshme të disa viteve më parë, duke lehtësuar bashkëpunimet dhe shkëmbimet akademike dhe shkencore, njohjen reciproke të diplomave, për të hapur kështu rrugën për një treg të përbashkët edukimi midis Shqipërisë dhe Kosovës;

Për kthjelltësinë dhe kurajën në përballje me vështirësitë e shtetndërtimit, për frymën e lartë të respektimit të kundërshtarëve politikë dhe demokracisë, për zhbërjen e barrierave mes shqiptarëve, si dhe për procesin e dialogut dhe të integrimit të Kosovës në botën demokratike,

UET i jep presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, titullin “Doctor Honoris Causa”. /Gazeta Liberale

 

 

 

Tags: , , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back