Letërsi

Kur forca buron nga ‘Pushteti i butë’

Shkruar nga Liberale

Teuta Dhima

Libri më i ri autorit Mal Berisha, Ambasador i pushtetit të butë, sjell për lexuesin një sërë eksperiencash dhe ngjarjesh që i përkasin periudhës kohore 1992-2015, kohë kur ai ka qenë i angazhuar me shërbime diplomatike jashtë Shqipërisë.

Me këto kujtime, të cilat i kalojnë caqet e këtij përkufizimi për të përqafuar atë të copëzave jetësore të treguara me shumë dashuri dhe një stil elegant, Mal Berisha ka skalitur një legacy jo vetëm personale, por për mbarë shqiptarët. Janë momente të jetës në të cilat ai, nuk ka përfaqësuar vetëm veten si diplomat, por ka përfaqësuar një vend, një shtet, një popull dhe e ka bërë këtë denjësisht. Kuadri kohor prej gati dy dekadash e gjysmë, në të cilat autori ka ofruar shërbimin e tij diplomatik, bën që ngjarjet e rrëfyera në këtë libër të jenë të shumta, personazhet gjithashtu.

Vitet 1992-1997, e gjejnë në Konsullatën shqiptare në Stamboll, ku krahas mahnitjes nga bukuritë që ofron ky qytet i mrekullueshëm, do të përballej edhe me faktin që i duhej të përfaqësonte një tjetër Shqipëri. Jo atë ku duhet të zgjidhje se, diplomatit të cilit shtet duhet t'i jepje dorën dhe cilit jo, por një Shqipëri demokratike. Në detyrën e tij, përtej çdo detyrimi zyrtar, ka pritur e përcjellë në familjen e vet, mjaft njerëz. Njerëz të trishtuar jo vetëm sepse shëndeti i kishte lënë, por edhe pse ishin të vetëm, pa një grosh në xhep, në qytetin e shpresave të tyre, ku kishin shkuar për t’u kuruar. Kujdesi për të sëmurët përbën edhe anën më të shndritshme të asaj periudhe pune në konsullatë, shprehet autori.

Guximi, një nga devizat e Mal Berishës, nuk mbetet e shkruar veç në letër dhe biografi ambasadorësh, por gjen konkretizim kur merr mbi vete barrën më të rëndë të momentit: Ruajtjen e kufirit të vendit në ato ditë të ftohta marsi të vitit 1997. Shtypi turk reagoi menjëherë me deklaratën: Tre diplomatë shqiptarë të akredituar në Turqi, patën një takim shumë të rëndësishëm me personalitete të larta turke. Ata i paraqitën palës turke shqetësimin e madh për rrezikun që i kanosej vendit të tyre. Disa orë më vonë, diplomatët u njohën me një dokument prej 12 pikash nga shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Turke lidhur me aksionin që do të merrej në lindje të Greqisë, në rast të një agresioni të kësaj të fundit ndaj Shqipërisë.

Në vitet 1998-2000, udhëton me shpenzimet e tij drejt Amerikës mike për çështjen e Kosovës. Me shumë mirënjohje, Berisha sjell pranë lexuesit një sërë episodesh dhe emrash të cilët kanë kontribuar me shumë përkushtim për çështjen tonë kombëtare, si Jozef DioGuardi me origjinë arbëreshe. Në vitin 1998, kur në Kosovë gjendja ishte kritike, Dio Guardi ishte aktivisti dhe lobisti më i fuqishëm që i dha zë kësaj çështjeje.

Kosova vjen vetishëm si kryefjalë e përkushtimit të tij. Nga tetori i vitit 2000 deri në qershor të vitit 2009, Mal Berisha punon në atë që njihet si Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Përshtypjet për këtë periudhë janë objekt i një libri tjetër.

Vitet 2009-2012 do ta gjejnë Mal Berishën në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Nga ky pozicion, ai do të marrë pjesë në Lobimin për njohjen e Kosovës në disa vende të Lindjes së Mesme, udhëtimet në Damask-Siri, në Bejrut-Liban, në Hagë për të pritur vendimin e GjND-së për Kosovën etj.

Në vitet 2012-2013, Mal Berisha i ngarkuar me punë Adinterim në Londër, do të njihet me shoqatën Anglo- Shqiptare (AAA) dhe do të bjerë në gjurmët e familjes angleze Herbert- mike e shqiptarëve. Në 28 nëntor 2012, mundëson vendosjen e bustit të Skënderbeut në Bayswater, Londër. Ky bust më pas do të pasohej nga një tjetër në Munxhufuni, në Itali, më 4 gusht 2012 si dhe nga ai Charles Telford Erickson - it në Golem, Kavajë, më 20 shtator 2021.

Vitet 2013-2015 shenjojnë periudhën si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë sç Madhe, Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Kjo përvojë pune do të paraprihet nga deviza që e karakterizon, ajo e pushtetit të butë: “Jo forca e parasë, as madhësia numerike e popullsisë së një vendi, as forca ushtarake dhe agresiviteti, por pasuria shpirtërore, kontributi në kulturën e njerëzimit, virtyte dhe cilësi të veçanta këto që mund t'i bëjnë edhe kombet e vogla të duken interesante. Dhe që kjo të bëhet sa më mirë, duhet që të gjithë faktorët e interesuar për progresin e një kombi, të bashkëveprojnë”. Edhe pse një periudhë jo shumë e gjatë, ka qenë e ngarkuar dhe intensive, e kjo duket qartë nga nëndarjet që i përkasin edhe kreut të pestë të librit.

Që në fillimet e jetës së tij si diplomat, Berisha thekson se vinte nga një jetë shumë e pasur kulturore. Miqtë e tij ishin artistë, aktorë, shkrimtarë, hisorianë, gjuhëtarë, muzikantë, këngëtarë, artistë të humorit, piktorë…Ishte formimi, pozitat nga të cilat u nis në rrugëtimin e tij, që kanë ndikuar edhe në prioritetin që do t’i jepte ai përurimit të vlerave kulturore ose diplomacisë kulturore, siç e ka quajtur ish-Ministri i Jashtëm i RSh dhe ish-Ambasador në Republikën Franceze,  Besnik Mustafaj.

Soft Power shkëlqen jo vetëm si teori moderne e zbatuar në ato vite, por duket se do të mbetet edhe rruga, mënyra se si mund të bëhen shumë gjëra në diplomacinë tonë publike, kulturore, promovuese e njohëse të vlerave tona, shprehet autori.

Një ndër momentet më pikante të këtyre rrëfimeve, është takimi me mbretëreshën Elizabeth II dhe dhurimi i Lahutës të punuar në filigranë. Lahuta shqiptare bëhet pjesë e Koleksionit Mbretëror Britanik. “Lahuta, e imituar në filigran, personifikon instrumentin me të cilin shqiptarët kanë përcjellë traditën e tyre brez pas brezi në mënyrë gojore. Ashtu si në kohërat e lashta homerike, lahuta ka qenë vegla muzikore me të cilën janë kënduar heroizma, por edhe vaje sipas traditës shqiptare” i thashë asaj. Ndërsa i shpjegoja, ajo vazhdonte ta shihte lahutën e pastaj u kthye dhe më tha: “A nuk është një mrekulli, a nuk është një gjë kaq e bukur? Faleminderit, faleminderit!” (Bisedë gjatë dorëzimit të letrave kredenciale).

"Asgjë nuk duhet t'i shpëtojë syrit dhe veshit të diplomatit", shkruan Mal Berisha në faqet e para të librit të tij. Një pohim jo i lehtë për t’u realizuar. Një pohim që kërkon prej këtij të fundit, të jetë vëzhgues, i aftë të refuzojë shpërqëndrimin nga kënaqësitë apo argëtimet e kota, të zotërojë një gjykim të shkëlqyer në vlerësimin e gjërave. Duhet të jetë negociator, të ketë një mendje aq pjellore sa të shmangë lehtësisht vështirësitë që mund t’i dalin gjatë punës. Siç përmenda pak më sipër, Mal Berisha ka sjellë para lexuesit disa libra. Duket se ai nuk e ka ndarë për asnjë çast punën diplomatike nga arti. Berishën e shohim jo vetëm autor, por edhe përkthyes. Ajo që duket qartë, nëse i referohemi veprave të tij, është prirja e theksuar e autorit për t’iu referuar studimit të historisë së Shqipërisë, figurave që kanë kontribuar dhe kanë qenë prezent në momente të vështira e delikate që ka kaluar vendi ynë. Në marrëdhënien diplomat-autor, diplomati lartëson autorin dhe autori skalit figurën e diplomatit. Trajtimi rigoroz i tematikave që kanë lidhje me prejardhjen e shqiptarëve, kufijve dhe  trojeve shqiptare, përbën tematikën bosht të studimeve të tij. Këto e bëjnë një intelektual atdhetar; ajo çka u transmeton brezave dhe jo valëvitja e flamurit veç për 28 nëntor. Me sa duket, disa gjëra nuk mësohen në shkollën e diplomacisë, as realizohen me urdhëra dhe rekomandime nga Ministritë e Jashtme të vendeve të ndryshme, po mëkohen me qumështin e nënës, me dashurinë e përqafimin e babës. Mësohen nga dy prindër si ata të Mal Berishës që sfiduan regjimin komunist për të shkolluar birin e tyre. Një njeri që kishte stofën e duhur për t’u bërë diplomat, studiues i historisë dhe diplomacisë, si dhe analist televiziv.

Ambasador i Shqipërisë në oborrin e Shën Xhejmsit Londër, 2012-2015, ai ka sjellë pranë lexuesit librat: Shqiptarët, lisa mbi truallin ilirShqiptarët, europianët më të lashtë dhe më të rinj; Charles Telford Erickson jeta dhe vepra; Herman Bernstein, jeta dhe vepra, (anglisht); Realitetet Shqiptaro – Britanike; Ambasadori Amerikan Herman Bernstein, në Mbretërinë Shqiptare, 1930 – 1933”, si dhe përkthimet: Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, 1912-1923; Shpëtimi në Shqipëri dhe Naltësimi i Iskanderit.

Ligjërues në institucione prestigjioze në New York, Londër, Harvard, Tiranë, Gjenevë, Vjenë, Shkup, Prishtinë etj., për t’u bërë AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË dhe një atdhetar me dashuri të hekurt. /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH