Krye

Kur Agolli u drejtohej studentëve të UET: Njeriu mëson gjithën jetën

               Publikuar në : 13:09 - 23/03/20 liberale

Një  të premte gushti të vitit 2011, shkrimtari Dritëro Agolli  së bashku me 80 vitet e tij u ul  përballë studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, ndërsa nderohej me titullin Doctor Honoris Causa nga ky universitet me motivacionin: “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet dhe prozator, si dramaturg dhe përkthyes, si eseist e gazetar, si polemist dhe orator; për stilin origjinal dhe novator, duke krijuar emrin e njërit prej shkrimtarëve më të talentuar të letërsisë sonë bashkëkohore; Për kontributin në edukim si lektor i kurseve të gazetarisë, që kanë pasur një ndikim të madh inspirues në formimin profesional të brezave të gazetarëve dhe publicistëve shqiptarë.
Përballë studentëve shkrimtyari Dritëro Agolli do tu drejtohej atyre që në fillim me fjalinë: Njeriu mëson gjithë jetën…

Më poshtë fjala e plotë e shkrimtarit Dritëro Agolli drejtua studentëve të UET

“Njeriu mëson gjithë jetën. Që kur është i vogël fare deri kur bëhet plak. Njeriu mëson të ngrihet në këmbë, të hajë, mëson të bëhet i ri, të dashurojë, mëson të bëhet plak, që të mos bëhet një plak që të qeshin të tjerët, por të bëhet një i moshuar që mëson të vdesë; të mos bëhet qesharak, obobo e të zërë të qajë. Kështu që njeriu tërë jetën mëson dhe në përgjithësi, njeriu është student gjithmonë.

Si duhej të bëheshe i famshëm; me marrëzira apo me dituri? Një pjesë e jona kishin qejf të bëheshin të famshëm me marrëzira dhe të tjerët të zbaviteshin, një pjesë tjetër filloi që të bënte edhe marrëzira, por edhe të mësonte që të kombinonte të dyja këto gjëra. Dhe pjesa tjetër ishte që vetëm mësonte; dhe këtyre që vetëm mësonin ne u thoshim “kallogjerë”, apo “priftërinj”.

Shumë nga këta kanë dalë mirë, po më mirë kanë dalë ata që dhe mësonin, edhe bënin çudira. Këta kanë dalë poetë, piktorë, muzikantë. Notat këta nuk i kishin të gjitha të shkëlqyera, por ata ishin më të zgjuar sesa këta që rrinin gjithnjë mbi libra pa parë botën tjetër. Kështu që këto ishin nga që ata dinin shumë për librat, por librin e madh të natyrës, të rrugës, shoqërisë e dinin shumë pak.

Pastaj, kur vajtën në universitet, menduan që duhet edhe kjo tjetra, libri i jetës dhe natyrës, dhe këtyre që thashë unë “kallogjerë” në universitet u duhej një punë shumë e madhe për të njohur shoqërinë. Megjithatë, ata dolën të zotët në fusha të veçanta të jetës, në linguistikë, në probleme të tjera të historisë, lashtësisë, antikitetit; të tjerët u bënë gazetarë, shkrimtarë, piktorë, muzikantë.

Para se të bëhesha student, kur isha nxënës, ëndërroja të bëhesha veteriner, sepse më pëlqenin shumë kafshët. Unë mbaja një manar, një sheleg manar dhe ai flinte me mua, unë flija në atë shtrojen me dërrasa, ndërsa ai flinte poshtë nën mua, nuk më ndahej kudo që shkoja. Dhe kështu u rrit ky manari i parë. Gjyshi im ishte bektashi dhe tha do vemë ta bëjmë kurban te Teqeja e Kuçit; ajo ishte në Devoll.

Po ç’do të bëjmë me këtë manar, o gjysh? Do ta therë Babai, tha. Baba Ahmeti tha: tani do ta bëjmë kurban e do ta therim manarin e Dritëroit. Unë u dëshpërova shumë, e theri dhe duke ngjitur shkallët Baba Ahmeti, unë e zura prej xhybeje dhe ai ra nga shkallët. Mirëpo, që të mos vritesha unë më futi në gjoks dhe të dy u rrokullyem dhe ramë te dashi i therur. Mbase atë ateizmin tim ia dedikoj atij manarit që ishte therur.

Kur ishim në shkollë në mesme, në gjimnazin e Gjirokastrës, erdhi Kahreman Ylli, atë kohë ministër Arsimi dhe tha se erdhi te ne pasi “disa nga shkrimet që bëjnë djemtë tuaj unë i kam lexuar”. Recituam disa vjersha. Kur më erdhi radha mua i thashë që dua të bëhem veteriner, por ai më thotë “je letrar”. U llafosa me të, pastaj ai e anuloi dhe e bëri bursën time për Gjuhë dhe Letërsi në Bashkimin Sovjetik.

 

Në vitin e parafundit ne bënim një kurs të gazetarisë, përveçse ishim për Filologji. Këtu duhej të shkoje për shërbim nëpër Rusi: mua më ra shorti të shkoja në Uljanovsk (vendi ku ka lindur Lenini). Atje dilte gazeta lokale, atje me dërgonin me shërbime, duhet të bëja 3 recensione, të beja 10 informacione, 1 apo 2 fejtone kritike, dhe 4-5 artikuj dhe këto do i mblidhje në dosje për të mbrojtur praktikën.
Unë bëra më shumë kritika atje. Kryetari i bashkisë në një letër ankuese thoshte se nuk ma dinte as emrin, “ka ardhur këtu një çeçen dhe ka bërë kritikë për ndërtimet, se i bëjmë shkel e shko”, titullin ia kisha vënë, mesa më kujtohet, “ljap tjap- shkel e shko”. Që atje unë mësova se sa e vështirë do jetë në Shqipëri, kur e vështirë ishte në Rusi për kritikën. Këtu te ne shikohej dhe se me kë vajzë po del.
Një student atje, një student i brezit tim, ëndërronte që të hynte në një gazetë ose në një shtëpi botuese, ose mësues i letërsisë ruse dhe botërore. Këto ëndërronte, por pjesa më e madhe të bëheshin gazetarë ose shkrimtarë. Unë, ç’është e vërteta, të bëhesha gazetar ëndërroja, por jo të rrija shumë në gazetë, por të merresha me libra, me letërsi.

Më vonë unë lexova një shkrim të Heminguejt që thoshte: çdo shkrimtar duhet të punojë të paktën 5 vjet në gazetë, për të njohur të gjithë shoqërinë, jetën, njerëz sa më shumë, gjithçka të natyrës. Por duhet të dijë kur të largohet nga gazeta, sepse e “ha” dhe nuk bëhet dot shkrimtar i vërtetë, të paktën 5 vjet duhet. Pastaj edhe po ta zgjasë duhet të dijë se kur të ikë, se po të rrijë tërë jetën thahet, bëhet shkronjë.

Unë atëherë nuk e kisha lexuar këtë thënie, sepse pak libra të tij ishin botuar në Rusi. Në Tiranë, ishte një librari e Librit Sovjetik, pranë Kafe Krimesë që qëndronte 24 orë hapur dhe ku pinim kafe pas mbylljes së gazetës. Te kjo librari gjeta 4 vëllimet e tij. Ishte viti ’59, kisha dy vite dhe, sipas Heminguejt, mbeteshin dhe 3 vite, kështu që unë këtë e bëra moto, dhe më ’65 dola në profesion të lirë.
Jeta është ndryshe nga ajo e studentit, krejtësisht, sepse studenti, meqë nuk punon, është parazit, jeton mbi të tjerët. Kur del në jetë duhet të mbajë veten dhe familjen dhe jeta bëhet tepër e vështirë, në shumë gjëra. Duhet të punosh shumë, mos kesh frikë se të heqin nga puna, duhej të dëgjoheshe, të kishe një emër në shoqëri, këto kënaqësi të shtynin më shumë për të punuar.

Jeta nuk përsëritet, dhe e vetmja gjë që nuk duhet shpenzuar kot është koha. Në këtë moshë thithet çdo gjë, e mirë dhe e keqe, ka një magnet të çuditshëm që i thith të gjitha i riu. Kështu është edhe studenti dhe kurrë nuk duhet të dembeloset studenti, duhet të përpiqet të dijë të paktën dy gjuhë: një të Perëndimit dhe një të Lindjes.

Unë them që nuk besoj që të gjithë të jenë kështu. Ka një pjesë që e marrin jetën lehtë, por veçanërisht ata që kanë disa të ardhura, trashëgimi, që bëjnë këtë marifet, por nuk e marrin me mend sesa dëm mund t’ju bëjë. P.sh. Ismail Kadare i vuri vetes këtë qëllim dhe, o do bëhem shkrimtar, o s’ka dhe vetëm gërmonte libra të vjetra, të reja, të gjitha, madje dhe libra të ndaluar. Ashtu sikurse edhe ne.

Por a kanë qenë kështu gjithnjë studentët, është universale apo ndryshon nga koha? Unë them ndryshon nga koha. Një të përbashkët kanë, që ata që kanë një pasion të madh në jetë për t’u bërë dikush, diçka ata bëhen patjetër. Unë e kam harruar emrin e një shkrimtari italian të cilin e ëma e lidhte pas këmbës së karriges që të shkruante se nuk kishte vullnet, ai u bë i famshëm.

Këtu te ne Faik Konica ishte shumë i zgjuar, por nuk kishte vullnet. Kohët kanë ndryshuar shumë, por prapë ka diçka që nuk ndryshon, që është universale, që është puna dhe vullneti. Po kjo është e vërteta, puna dhe vullneti, dhe nga kjo shumicë studentësh qe kemi ne, do dalin njerëz që do na çudisin, sepse temat janë të shumta, liria e shtypit e plotë, mjetet janë më të sofistikuara.

Studenti i sotëm duhet të marrë parasysh këtë që thotë që liria është aq e madhe, por po të prekësh probleme kardinale që t’i ngacmosh njerëzit, atëherë kuptohet kjo dalldisje, kjo e Bukura e Dheut që është Shqipëria; preke në disa pika dhe do të shohësh ti si është, si reagon. Merre ti “Zërin e popullit” apo njësoj dhe “Rilindjen Demokratike”: a shkruajnë kundër vetes së tyre, të kritikojnë një kryetar partie? Jo!” /Gazeta Liberale

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back