Kryesore

Kulmi i Rilindjeve të vogla arbëreshe

               Publikuar në : 09:35 - 26/10/21 liberale

Ndriçim Kulla

Populli shqiptar, edhe pse me zigzaget dhe vonesat e veta, kishte mbërritur në shekullin XIX, i gjallë si njësi etno‐shoqërore, me identitetin e vet gjuhësor e shpirtëror, me kujtimin e një shteti mesjetar dhe të një mbretërie të humbur, d.m.th. me trashëgimin e madh historik të epokës së Gjergj Kastriotit ‐ Skënderbeut, falë të cilit shqiptarët kishin përballuar trysninë për shkombëtarizimin e tyre, me ndjenjën e thellë të lidhjes me trojet e tyre që i kishin mbrojtur në shekuj, qoftë edhe me dhimbjen e thellë të një procesi të pandërprerë rrudhjeje, çka nuk mund të mos provokonte më tej një nacionalizëm shpërthyes ose të përligjur, aq sa mund të përligjet çdo nacionalizëm i provokuar nga një shovinizëm virulent i të tjerëve.

Ky kontekst rrethanash të brendshme dhe të jashtme, shqiptare dhe ballkanike, i vinin në rrezik fatet dhe të ardhmen kombëtare të shqiptarëve; ato nuk i ndihmonin synimit të tyre të natyrshëm për të formuar shtetin kombëtar të pavarur e të njësuar mbi bazën e bashkësisë së jetës ekonomike e shpirtërore dhe të njësisë territoriale. Ato shtronin imperativin e gjetjes së rrugëve të afirmimit të së drejtës historike të shqiptarëve, të identitetit të tyre si komb. Rruga për arritjen e këtij qëllimi kalonte përmes zbulimit të vlerave identitare të shqiptarëve, si një popull i lashtë me tradita të thella historike e kulturore. Kjo ka qenë magjistralja nëpër të cilën ka ecur formimi i kombeve, sepse siç shkruan Anne‐Marie Thiese në librin e saj Krijimi i identiteteve kombëtareEvropa e shekujve XVIIIXIX, “i gjithë procesi i formësimit të identitetit ka konsistuar në përcaktimin e pasurisë së çdo kombi dhe në përhapjen e kultit të saj”.   Përtej një protonacionalizmi spontan popullor, por pa vetëdijen e nacionit, dhe të një preromantizmi ideologjik të kultivuar në shek. XVIII në mjedise intelektuale të arbëreshëve të Italisë, Rilindja kombëtare e Shqiptarëve u parapri nga një përpjekje e re për afirmimin e vlerave themeluese identitare, të trashëgimit historik e kulturor, por dhe të krijimit të vlerave të reja e të një kulture të re kombëtare për nga gjuha, përmbajtja dhe fryma e saj. Vinçenco Dorsa i takon pikërisht kësaj epoke dhe brezi  mendimtarësh, studiuesish dhe “bujqish” të mendimit tonë elitar, që siç shprehet prof. Guxeta, “dolën në shesh si protagonistë guximtarë të një stine kulturore që synonte rivlerësimin e një identiteti kulturor”.

Ai ishte ndër të parët që në veprën e tij të vitit 1847 Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime, edhe pse vetëm 24 vjeç, strukturoi me elegancë, jo vetëm historinë e kombit shqiptar, por në çdo kapitull të veprës së vet kërkoi të ngrerë lart  vlerat dhe shpirtin e kombit të tij, duke e bërë këtë gjë me një qëllim të qartë, të rilindë shpresën dhe reagimin. Në kohën kur Dorsa shkruante këtë vepër, Naum Veqilharxhi që konsiderohet nga tekstet tona zyrtare si ideologu i parë i Rilindjes, i shkruante një letër të nipit grekofil që asokohe ishte student në Vienë. Letra në të vërtetë është një përgjigje për kritikat që i bënte i nipi, sipas të cilit Veqilharxhi gabonte kur kërkonte të shpikte një komb shqiptar që në fakt nuk ekzistonte e për të cilin nuk kishte shkruar askush më parë. Ungji i përgjigjet duke i përmendur pikërisht arbëreshët Krispi, Bidera dhe De Rada. Dorsa shprehet kështu për arsyet kryesore që e shtynë të ndërtojë këtë vepër monumentale ndaj kombit: “Qëllimi i parë i punimit që kini në dorë është të ripërtërijmë në opinionin publik të drejtat e një kombi të shquar, por jo të njohur, pasi pak është vënë në dukje dhe pak është ravijëzuar përmes ngjarjeve të mëdha të njerëzimit dhe pështjellimeve të shumta, aty ku dynden faktet e shkëlqyera të jetës së kombit”.   E më poshtë e shpjegon akoma dhe më qartë idenë e tij: “Duke folur për Greqinë, ndërsa i bashkojnë të gjithë në një tufë, është diçka e zakonshme për t’i dhënë pak ose aspak popujve të tjerë, të cilët krijuan pjesën më të madhe të lavdisë, ndërsa krejt në të kundërt u japin shumë nga veset dhe krimet e jashtëzakonshme të Greqisë. Gjithsesi, duket se më në fund britma e kohëve kërkon t’i shpallë të drejtat në histori të këtyre popujve dhe se vetë popujt duan të dalin nga kujtimet e përziera dhe ta paraqesin veten me tërë madhështinë, meqenëse është shumë e vështirë për ta që pas nismave të shkëlqyera dhe veprave bujare dhe pasi drita e filozofisë po hedh dritë mbi epokat e shkuara, të qëndrojnë të heshtur për famën ndër brezat pasardhës”.   Kjo është arsyeja, ky është parimi që e detyron autorin të rikujtojë antikitetin dhe historinë e  famshme të shqiptarëve, të këtij kombi që ai e shihte midis brezave të parë të banorëve të Evropës dhe që në historinë e vet pat shkëlqyer në ushtritë e Filipit të Maqedonisë, të Aleksandrit të Madh, të Pirros së Epirit e deri vonë, të Skënderbeut. Madje diçka të tillë ai përpiqet ta argumentojë sa më shkencërisht. “As që mund të merret si shaka teza ime, – shpjegon ai, – pasi ajo nuk është e vështirë dhe e mbështetur në hamendësime, por e qartë dhe e shndritshme ajo paraqitet e kulluar nëpërmjet fakteve dhe e dëshmuar nga autoriteti i historianëve më të zotë dhe i shkrimtarëve të njohur”.

Shkollimi i Vinçenco Dorsës ka qenë një tjetër shtysë, nga më të fuqishmet e rrugëtimit të mendimit të tij të mëvonshëm. Ai studioi në Kolegjin italo-shqiptar të Shën Adrianit në Kalabri. Ky Kolegj ka qenë ndër më të zëshmit për epokën e tij, duke u shndërruar sidomos nën drejtimin e Domeniko Belushit në djep të iluminizmit, reformimit dhe përhapjes së kulturës moderne napoletane që në atë periudhë ishte pararendëse e rilindjes italiane të bashkimit kombëtar italian. Sipas dëshmive, në atë Kolegj studiohej si rrallë në ndonjë kolegj tjetër, Foskolo, Alfieri, Zonja Stael, Bajroni e shumë shkrimtarë të shquar. Ky Kolegj dhe studentët e formuar aty u shndërruan në elitën e parë kombëtare të Italisë së Garibaldit. Aty u formuan të rinj të zgjuar nga ndjenjat e lirisë, me një ndjenjë adhurimi për revolucionin francez, shpreheshin shumë autorë të asaj periudhe.

Babai i Dorsës u burgos në Napoli pikërisht për kontributin e tij atdhetar, vëllai i Dorsës, Akili po ashtu, ndërkohë që Dorsa u shpall në kërkim dhe u detyrua të largohej nga Frashineto. Por ashtu si Dorsa ishin të gjithë bashkë, profesorë, studentë, priftërinj, fshatarë dhe zejtarë të zonave të banuara nga shqiptarët e Italisë së Jugut, kundër despotizmit të burbonëve dhe pro revolucionit garibaldian. Përpara shkrimit dhe botimit të veprës së tij simbol, Dorsa kish botuar disa vepra dhe analiza që lanë gjurmë dhe ndikuan në njohjen e gjërë të personalitetit të tij. Disa prej tyre janë: Fatalizmi i filozofisë së shekullit, 1845; Shkenca e kompozimit përpara Lorenco Zakaros, 1845; Mbi poezinë shqipe, 1844; Mbi gjuhën shqipe, 1844; Dante dhe Viko në shekullin e XIX, 1844; Dasma shqiptare, 1844; Letra romane, 1845; Tradita greko-latine në zakonet dhe besimin popullor të Kalabrisë; Mbi gjenezën dhe përparimin e së Drejtës Romake të Cezare Marinit, 1846; Ndjenja dhe arsyeja në ndikimin e tyre mbi veprimet njerëzore, 1847; Studime etimologjike të gjuhës shqipe vendosur përballë me atë latine dhe greke, 1862.

Pavarësisht punëve të tij kolosale në lëmin e historisë, filozofisë, letërsisë, folklorit, zakoneve etj, Dorsa kujtohet dhe i referohen gati përherë për vepren e tij Mbi shqiptarët, kërkime dhe mendime. I referohen pasi ai ishte i pari studiues shqiptar që zhvilloi tezën pellazgjike të origjinës shqiptare, me qëllimin e publikimit të të drejtave të një kombi të madh, por të panjohur. Në ndërtimin e argumenteve të tij, Dorsa është bazuar në shumë shkrime historike, që nga Herodoti, Aristoteli, Kassio, Pukëvili, Xhioberti, Dufrensë, Klueri, Klavier, Balbo, Neibur, Byron, Hobhouse, Gibbon, Malte-Brun etj., etj. Po që në fillim autori jep një përshkrim të bukur të gjendjes së studimeve mbi këtë temë dhe pakësinë e tyre shprehëse. “Kjo, epoka jonë, meqenëse është mësuar të kapërcejë me fluturime përtej-alpine, hidhet në aventura për çfarëdo, madje edhe për nismat e pamundura, por nëse nuk do t`i pëlqente të prehej mbi joshjet e rrema të hamendjeve, atëherë ajo do ta shihte qartë se si po e mbyt shpirti i sistemit dhe forca dehëse e pasionit”.

Në të vërtetë, edhe sot mund të pyetet me plot të drejtë se si mund të qëndrosh i sigurt në hulumtimin e gojëdhënave dhe prej tyre të zbulosh historinë nëse gojëdhënat nuk janë mozaikë të grumbulluar andej-këndej, në përpunimin e vazhdueshëm të të cilave mund të kenë kontribut njëqind vende, njëqind popuj, njëqind kohë të ndryshme, një pafundësi ndërthurjesh e mendimesh të pa harmonizuara dhe ndonjëherë të sajuara. Ndoshta pse ishte i bindur në këtë arsyetim, edhe autori arbëresh e parashtron qartë idenë e vet për një formulim sa më të argumentuar dhe shkencor të tezave që hedh në librin e vet. “Le t’i lëmë mënjanë hulumtimet e padobishme dhe ëndrrat e arkeologëve ngazëllues”, paralajmëron ai që në fillim. “Përkundrazi, le t’i bashkohemi një fakti, i cili është i paqartë në lidhje me zanafillën, por është i sigurt dhe më se i njohur për sa i takon ekzistencës”.

Është e njohur botërisht se Pellazgët kanë qenë populli më i lashtë, i cili shihet të spikasë në historinë njerëzore pas Përmbytjes. Ne i shohim të dalin mbi botën greke rreth vitit 2000 para Krishtit, çka do të thotë pak a shumë në kohën e Abrahamit. Po njëlloj si  Enjgjëll Mashi përpara tij, ai e kundërshton, madje e quan të çuditshëm hamendësimin sipas të cilit Shqiptarët rrjedhin nga Albanët aziatikë, të ardhur nga toka që ndan Kaspikun nga Deti i Zi. Përgjigjia që ai jep është përpikmërisht arsyetimi i Mashit, sipas  të cilit “Albanët aziatikë banonin rreth Kolkidës dhe te mali Kaukaz (Straboni, Libri XI), e cila sot është pikërisht Gjeorgjia”.   Për ta përforcuar këtë mendim mund të shtonim se gjuha e Kolkidëve, sipas dëshmisë së Herodotit (Libri II), ishte e ngjashme me atë të Egizëve, e cila nga fjalët që kanë mbetur nuk ka të bëjë fare me gjuhën shqipe. Por cilado qoftë gjuha antike e Kolkidës, gjuha e sotme gjeorgjiane jo vetëm që nuk ka kurrfarë ngjashmërie me gjuhën shqipe, por është krejt e ndryshme nga fjalët dhe nga mënyrat e të shprehurit. Përkundrazi, Albanët aziatikë, ashtu siç pat provuar dikur Dorsa dhe Mashi “ishin Skithët të quajtur edhe ‘Masagetë’  dhe këta të fundit ishin pikërisht ata popuj nga të cilët rrodhën Turqit”.

Në këtë mënyrë autori arriti të vërë në dukje në mënyrë të qartë, se kombi shqiptar është krejt tjetër nga ai grek dhe nga kjo rrjedh se kombi shqiptar duhet gjithmonë të dallohet dhe të trajtohet në mënyrë të veçantë në ngjarjet e jetës së tij. Prandaj ia vlen të rishikohet më në brendësi kjo teoremë historike që ai parashtroi. Një fakt tjetër që tregon se Dorsa e ka kapërcyer tashmë fazën protonacionale të studimeve arbëreshe, është trajtimi i elementeve karakteristike që përcaktojnë një komb. Me komb nuk nënkuptohet gjë tjetër veçse ai grup njerëzish, të cilët njohin një zanafillë dhe një gjuhë të tyre si dhe zakonet dhe traditat e tyre. Duke i vënë në zbatim këto të dhëna për Shqiptarët, ndër ta shfaqen qartë zanafilla e përbashkët, ndjenjat dhe lidhjet që përbëjnë një familje, përveç gjuhës dhe zakoneve, të cilat i dallojnë në mënyrë të prerë prej grekëve.

Një tjetër fakt është se për të vëtetuar tezën e tij, ai bazohet tek gjuha e cila mund të shërbejë si një tjetër element integral dhe bindës, po njësoj si historia. “Gjuha e saj flitet prej Shkodrës deri në Artë, pra me një shtrirje prej 160 miljesh dhe madje edhe në çështjet shtetërore dhe të tregtisë dëgjohet në të gjitha pjesët e Perandorisë dhe të Greqisë, pjesë të banuara nga një numër i madh shqiptarësh, të cilët vinë aty ose për të bërë tregti ose për të jetuar më mirë ose për të shërbyer në ushtri si dhe në funksione politike”.   Më tej, ai kalon në një këndvështrim më teknik, duke e konsideruar gjuhën shqipe shumë të lashtë dhe shumë më të kahershme se gjuha greke dhe ajo latine, e për ta mbështetur këtë pohim ai jep edhe dy argumente. Argumenti i parë është veçoria njërrokëshe e fjalëve të saj, ndërsa argumenti i dytë është përngjashmëria me gjuhët e tjera shumë të vjetra, d.m.th. sanskritishtja, persishtja, teutonishtja, keltishtja, hebraishtja dhe gjuha kaldaike. Por më i rëndësishmi nga të gjitha pohimet e tij afirmuese për kulturën tonë, që vijnë gjithnjë në ngjitje, duke marrë një karakter të theksuar të romantizmit nacional, është ai që paraqitet në kapitullin e fundit. Dorsa është optimist, si më vonë PashkoVasa dhe Samiu, për brumin e etnisë shqiptare, duke ngulmuar në faktin se dashuria e Shqiptarëve për kombin e tyre është shumë e fuqishme, siç ndodh te të gjithë popujt që i thurin lavde kujtimeve të lashta dhe aktualitetit të spikatur, gjithashtu të fuqishme janë edhe traditat e zakonet e lindura bashkë me ta, të cilat janë tablo shprehëse të jetës së tyre. Prandaj kombi shqiptar, besonte ai, mund të shpresonte në një vijimësi të përjetshme po njëlloj si dhe të gjithë kombet e tjerë të  Evropës. Kjo mrekulli besimi do të lartësohet përgjatë gjithë veprës, për të kulmuar sidomos në faqet e saj mbyllëse.

“Por a do ta durojnë vallë shqiptarët përherë shtetin e poshtër dhe mizor të tiranit Otoman”, është pyetja-mision e Rilindjes që Dorsa shtron për zgjidhje. Edhe përgjigjia është ajo e një ideolgu të kulluar të ringjalljes, duke iu përshtatur gjithë idesë së mendimit arbëresh, që ashtë një mendim rringjallitës, më tepër se rilindës për Shqipërinë. “Ajo, provinca më luftarake dhe më e vendosur për lirinë shumë më tepër sesa fqinjët e saj, e frymëzuar nga ringjallja e Greqisë, të cilën në pjesën më të madhe vetë Shqipëria e krijoi me guximin e saj, e ndërgjegjësuar për dobësinë e qeverisë turke, e shtyrë nga zhvillimet e fundit të provincave të largëta të Moldavisë, Vllahisë dhe Serbisë, na bën të hamendësojmë se gjendet në momentin e përpjekjes për betejën e fundit të ringjalljes së vet.”

Vetëm se merita e madhe e Dorsës është se ai nuk mbetet këtu, platformës së tij çlirimtare, ai i bashkëngjit një buçimë messianike të njëjtë me atë provani për të cilën do të fliste më vonë edhe De Rada, për përkatësinë tonë të krishterë në gjirin e Evropës. “Flitet vetëm për ringjallje dhe prej kësaj vijnë kërcënimet e vazhdueshme, inkursionet, kryengritjet, mosbindjet ndaj ligjit, shpesh duke u bashkuar me flamurin e një prijësi dhe për të tërhequr vëmendjen e Portës së Lartë. Në këto ngjarje unë lexoj përgatitjet e furtunës së afërt dhe agimin e ditës së nesërme, e cila do të jetë e kthjellët. Po a mund të ndalet kjo psherëtimë e Krishtërimit që kërkon të përhapet dhe të thërrasë bijtë e kësaj bote drejt Kryqit, këtij kushtimi madhor të të gjithë Evropës, e cila tashmë shpreh zemërimin kur sheh ende që barbarizmat dhe despotizmi rëndojnë mbi kaq shumë njerëz të paracaktuar për të shkëlqyer në historinë e njerëzimit. Kjo do të jetë për Shqipërinë ngjarja më e pashlyeshme dhe më solemne: atëherë Shqipëria do të përfundojë edhe misionin e saj luftarak dhe do të fillojë lëvrimin e letërsisë dhe kulturës atdhetare, meqenëse kohët, dëshiruese të baraspeshës midis kombeve dhe popujve, kërkojnë edukimin e mendjes dhe të zemrës dhe nuk kërkojnë më ushtrimin e forcës së krahut”.

Në kohën kur botohej libri i Dorsës, Naim Frashëri ishte në shpërgënj, ndërsa Samiu, që nuk kishte lindur akoma, do të botonte pas afro 50 vitesh, pra vetëm në 1899, veprën që e shuguroi si ideolog të Rilindjes. “Kombi shqiptar nuk ka patur shkrimtarë, pasi duke u ushtruar në mënyrë eskluzive nën armë, nuk gjeti mundësinë të kultivojë germat në kohë, kështu asnjë bashkëkombas për aq sa di unë, nuk është marrë me përshkrimin e plotë që do të duhej për një histori të plotë”.   Kjo ishte arsyeja iluministe e misionit dorsian për të përballuar këtë mangësi  historike dhe e “vetmja meritë që ai priste nga publiku ishte t’i kish ngritur kombit një monument, duke mbledhur në një, atë që ata kanë mbjellë në veprat e tyre të çmuara”.   Po në thelb, ai shkoi shumë më tej, ai u bë pararendësi i platformës së madhe që formuloi Sami Frashëri. Në fakt vepra e tij, marrëdhëniet e të cilit me arbëreshët dihen, nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje e përpunuar e veprës së Dorsës, përshtatur në shqip dhe përditësuar me zhvillimet politike të kohës. Po ajo strukturë, po ato ide, po ai impiant ideologjik. Ka ardhur koha që historiografia jonë ta njohë përfundimisht këtë kulm të Rilindjeve të vogla arbëreshe. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back