Aktualitet

Ksenofon Dilo, një liberal në faqet e “Liberales”

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Ishte viti 1972 dhe unë të isha diç me shumë se 14 vjeç. Ishte një pasdite e përzier shtatori, diçka me re e me një shi të marrakotur, që krijonte një lloj oksigjenimi të beftë me shpërbërje ajri, sa të bënte të besoje se po jetoje në një skenë; një ndjenjë e çuditshme që e kthente të gjithë atmosferën në një sforco dhe të ndillte të ndryshoje diçka brenda teje, përndryshe të duhej të besoje se po i nënshtroheshe një monotonie që sa vinte e bëhej edhe më e padurueshme.

Kishim lënë një takim te “Shtëpia e Pionierit” me dy shokë fëmijërie, për të provuar edhe ne se a do mund të qëllonim në shenjë. Në mendje kisha ndonjë instrument apo diçka tjetër, thjesht për të dalë nga monotonia e mësimeve shkollore, por edhe për të provuar diçka të re. Shtëpia e Pionierit ishte diku në kurriz të rrugicës së Gjuhadolit, te Kakarriqtë, dhe ishte e ndërtuar me një stil arkitekturor të fundshekullit XIX, një stil i ulët ndërtimesh dykatëshe ndikuar nga arkitektura italiane, pa harruar dekorin pothuaj barok. Të linte shijen e një vile të pasurish që kish ndërruar destin, në një hapësirë publike, ku mësoheshin zejet, arti figurativ, muzika dhe baleti. Ishte një shtëpi e rrethuar me gjelbërim, si një harresë melankolie që të afronte shumë për të zhbiriluar histori të përziera e hibride nga ato të provincave, me princër e shërbëtorë, por edhe me ngjarje të reja të fshehura, nga ato që flakërijnë nga dashuritë e rioshëve në hap të parë. Dukej si një basen ëndrrash pa identitet, si një imazh i tejkaluar që lundronte më shumë në të shkuarën se në të tashmen.

U futëm zhurmshëm në ambientet e “Shtëpisë së Pionierit” dhe filluam të hapnim dyert me rrëmbim e zhurmë, duke pyetur të tre njëherësh se ku mund të gjenim dhomën e instrumenteve. Trokitëm te e para, te e dyta pastaj te e treta, ku vumë re një burrë të pashëm e të thinjur: ishte Ismail Lulani. – Çfarë kërkoni? – tha ai. Një nga ne i pyeti në ishte mësuesi i instrumenteve. Ndaloi pak, na mbajti nën vëzhgim dhe me një ton disi urdhëror na kërkoi që të afroheshim e të uleshim. U futëm brenda dhe po rrinim në këmbë. – Uluni, – na tha, dhe na vuri nga një letër përpara, për të na provuar me në një vizatim me model. Kishim zgjedhur gabimisht pikturën, por për shkak të turpit pranuam. E pamë njëri-tjetrin në sy si në një kompromis të heshtur, për të mos i thënë jo kësaj prove. Kështu nisi sprova e vizatimit. Mua më ra për pjesë një lopë e derdhur në allçi, gati anatomike.

Dy shokët e mi e mbaruan shpejt vizatimin dhe po lëviznin lirisht nëpër dhomë, ndërsa unë nuk kisha bërë akoma as një të tretën e figurës dhe po stërmundohesha në një analizë krahasimore vijash për të qullosur gjësend. Ndjeva që Ismaili rrinte pas shpinës sime dhe më vëzhgonte si me takt. Mbas një orë e gjysmë më kërkoi që të takohej me babanë. Ngrita supet si për t’i treguar se ç ‘hynte babai në këtë mes... – Duhet të flas me të, – më tha. Kështu nisa të ndjek kursin e pikturës, si një zgjedhje disi e veçuar e Ismail Lulanit. Sa vinte e më shtohej një lloj projeksioni për t’u bërë piktor, gjë që e ndjek edhe sot, si vite më parë, në një dëshirë që më duket se më vetrealizon si ambicie dhe si shtysë jetese, ndryshe nga zgjedhjet e tjera.

Mbas disa javësh komunikimi me Ismailin u gjendëm në një rrjedhë tërheqjesh e simpatish nga ato të pazëshmet, të sheshtat. Nganjëherë ndalonte e  më këshillonte gjëra zanati, në mënyrë të atillë sa kuptohej se kryhej në një përputhje me një fëmijë që i krijonte prirjen për të qenë në një zgjedhje të përbashkët shijesh, por edhe për faktin e një ngadalësie timen për të mos i mbaruar shpejt gjërat, që me sa duket ai e përkthente si një përqendrim karakteri. I pëlqente kjo ngathje e imja, sepse kushedi se çfarë i asociohej në kokë. Një pasdreke më lajmëroi se do të zhvillohej një takim me rëndësi diku në qytet: vinte dikush me rëndësi nga Tirana për të mbajtur një kumtesë për artin. Isha shumë i vogël për të marrë ngarkesa të tilla, por më tërhiqte ideja e një ambienti të panjohur dhe vendosa të shkoja, gjë që më vonë m’u bë një urë lidhëse me një botë ku mund të ëndërrohej.

Të nesërmen në mbrëmje zbuluam mysafirin e rëndësishëm nga Tirana: njoha Ksenofon Dilon, një burrë shtatshkurtër që lëvizte vazhdimisht me një paqëndrueshmëri që i jepte tension shtatit të tij inferior në një gazmim të paharrueshëm. Bënte gjeste me këmbë e me duar dhe fliste shumë rrjedhshëm, një veti kjo që do të më shoqëronte gjatë, si një nga ata njerëz me prirje natyrale e të formuar gati me gjithsej. Një gjë e rrallë në botën e zgjedhur të artistëve të shenjës, pasi të gjithë fshiheshin nën një mister të zhvendosur nga fjala, duke i dhënë përparësi shfaqjes me anë të shenjës, pra pikturës. Përmes ligjëratës shpjeguese të Ksenofonit u njoha për herë të parë me Van Gogh-un, Gauguin-in, Cezanne, Matisse-in dhe piktorë të tjerë post impresionistë. Një natë magjike në sytë e një fëmije, ku përpara tij prjektoheshin artistë të mëdhenj dhe legjenda të përfolura për veshët e mbyllur të një grumbulli njerëzish që aspironin art nën izolimin e rreptë të regjimit.

Sot duket si një shkujdesje e formës së rrëfimit, por përjetimi në atë sallë ishte mbresëlënës dhe të lejonte që për një çast të hapeshe ndaj një bote të re.

Fonja bënte interpretimin e tyre në aspektin historik, por edhe në një afri interpretuese dhe me një liri të mjaftë, që e bëri atë sallë fluturuese për nga ëndrrat e çliruara. Ishte një natë veçanërisht magjike, që na bëri si të kryer e të distancuar nga kostumi gri i kohës. Më pas pati edhe një takim më të ngushtë piktorësh. Studentët nuk kishin ndonjë dallim të madh në moshë me pedagogët e tyre, sepse instituti i arteve ishte shumë i ri në moshë.

Asokohe marrëdhënia mes piktorëve apo artistëve mbartte si gjen konceptin e mjeshtrit dhe çirakut, dhe kështu ky i fundit ishte i detyruar ta vidhte zanatin. Qe një koncept disi arkaik.

Për herë të parë në rininë time hasa një burrë elokuent, të rrjedhshëm e të sigurt në dijet e tij, me dëshirën për të komunikuar hapur, për ta përfshirë dëgjuesin që kish përballë. Një element i moderuar i komunikimit që hasej rrallë në atë kohë, për shkaqe formimesh dhe garash mes artistëve që mendonin sipas modelit të tyre të mëparshëm, në komunikim me ata që vinin më pas. Performanca e tij e hajthët solli besim te modeli i Ksenofon Dilos. Vite më pas e kisha në vëmendje në kalesat e papritura që vijuan në ndërrim rolesh, humbje territori, ndikimesh e kështu me radhë. Një natyrë për t’u pasur zili, në kuptimin se si nuk u prish nuk u trand në formimin e tij, po mbeti kthjellët, pa ulje-ngritje të forta. Ai e ruajti miellin e tij në formim dhe përcaktueshmëri si një njeri që di të presë, por edhe si një njeri mjaft inteligjent për të dhënë e kuptuar se prezenca e njeriut në një komunitet, siç ndodh me artistët, nuk duhet të jetë për arsye estetizuese, por për shkaqe formimi dhe karakteri, ku duhet të dish të “humbasësh”, në kuptimin që uji të mos shkojë gjithnjë në mullirin e X-it. Kjo është një humbje pasuruese. Qe një cilësi që e mbushi me elegancë, pa zhurmë, veç me dije e racionalitet.

Dilo qe një model jo i shpërvjelur apo i lëshuar në vathë, si ata që u vërsulën në skenën e afirmimit e të konkurrencës. Përkundrazi, ai është modeli i njeriut artist, pa një përcaktueshmëri, i hapur e liberal në shije, që e mban mend gjatë. Është modeli i artistit pa kufij, që diti të mos dallonte ndarje të tilla pëlqimesh e mospëlqimesh krahinore, racore apo statusore. Donte artistin: e zbulonte dhe e përkrahte me fjalë e qëndrime shoqëruese, jo të drejtpërdrejta, por në një analizë të rrethantë të linte të kuptoje se sapo kishe takuar një njeri të mençur nga bota e liberalëve. Kjo zgjedhje në figurën e imponuar ishte një çlirim shpresëdhënës që krijonte sërish modelin që mund të imitoje, nëse nuk ishte e mundur të ishe përsëritja e tij.

Më kujtohet interferenca në një miqësi të ngushtë me shkodranët Franc Ashiku, Danish Jukni,  Ismail Lulani, Jakup Keraj, me piktorë të rinj që pleksej pa asnjë teklif, apo miqësia me Vilson Kilicën, Naxhi Bakallin, Sali Shijakun; afria me Ismail Kadarenë dhe regjisorët Anagnosti, Gjika e Dhamo etj.

Mbresëlënës është edhe në krijimtari, por për çështje pozicionesh detyrohesh të udhëtosh shumëfish, se në jetë të qëllon të kontribuosh në shumë faqe të shfaqjes së talentit, siç është edukimi, që në thelb ka të bëjë me kulturën, por edhe për shkakun e prirjeve të tij për të ngritur një komunitet me ndikim. Me fort interes është cilësia e vetpërmbajtjes dhe e racionalitetit të filtruar e të vazhdueshëm, gjë që shihet përgjatë shenjave të kursyera që ai lë. Ndonjëherë themi se dija vret, por në të kundërt, kur vjen si kthjelltësi dhe inteligjencë, penetron në mënyrë konceptuale, duke dhënë sinjale të një drite kulturore apo udhëtimi që e përtërin botën.

Edukimi i tij nuk i nënshtrohet shpalmeve të kapërcyera të instinktit, por nëndarjeve të kontrolluara dhe kuruara me ndjeshmëri të lartë. Piktura e Fones është vibrante, e kubëzuar në volume të përgjithshme, e organizuar mirë dhe nën një kontroll të kursyer e fin, gjë që ndikoi edhe te skenografia, si një nga artet konvencionale që e bën pikturën e tij lehtësisht të shkëputur në koncept dhe nuk e lejon të pllangojë e godasë emocionalisht. Ka një tis që duket se rrjedh nga forma e lartë e leximit apo analizat e tij të thelluara në hierarkinë e zhvilluar të pikturës. Piktura e tij fsheh një lloj inteligjence, edhe pse është zhvilluar në një epokë shtrëngimesh. Është një shenjë që jeton si e pakohë për shkak të zgjedhjes dhe për shkak të formimit të artistit. Edhe në kompozimin më emblematik të tij si tipologji me përmbajtje nga realizmi socialist, me shumë finesë piktori i shpëton aktit emocional, duke modeluar nën një refleks të huazuar e të ndërmjetëm me pikturën bashkëkohëse europiane. Në rastin e modelimeve ndien një transparencë dhe përftim forme që të kujton pikturën kubiste, gjë që shënon një reflex të nevojshëm për të kuptuar kulturën depërtuese të artistit. Ndërsa te subjektet lirike në gjuhën e peizazhit çlirohet krejtësisht drejt muzave të tij të preferuara. Nuk mund të vinin piktorë më të mirë më vonë nëse nuk do ekzistonin pararendësit e tyre, sepse asgjë nuk lind nga hiçi. Ka një ndërveprim referencash që e bën ta përkthejë pikturën menjëherë si një shenjë arketipale.

Arti interferencës ndjehet në kalkulimet e artistëve që të bëjnë të mundur të kuptosh epokën nga vijnë, si në një kohë të supozuar si e ardhme, si dhe në atë çfarë neglizhuan më pas. Ky lloj vokacioni vibrues rrit komunikimin dhe e bën artin të diktueshëm e dialogues. Ksenofon Dilo është njeriu më liberal që kam hasur në jetë, por me një dukshmëri të fashitur, duke u vetëmjaftuar në ndikime të ngushta bashkëbisedimesh, dhe sigurisht edhe në raste të induktimit masiv ku kryente një akt dashurie të pakompromentuar. Sigurisht që epoka në të cilën ishte protagonist e detyroi të ishte disi i kamufluar dhe i kursyer në qëndrime. Nuk e di nëse ka qenë komunist, që me gjasë edhe mundet. Gjithsesi do ishte komunisti më liberal që ka parakaluar kulturën e asaj kohe.

Ksenofoni rreket diku te tetëdhjetë e tetë vjeç sot.

E shihja një nga këto ditë duke u zhvendosur diku në periferi të bllokut; m’u duk sikur nuk ecte, por sikur jepte sinjale lamtumire në kontakt me tokën. Në një hollim të normalizuar të vjetëve që mban në kurriz, por me një elegancë nga ato në karakter, që dimë të shohim ne të artit të shenjës, sikur kërkonte distancën e duhur teksa shkelte si pa kontroll, lehtë, si jugor tipik në një presion që duhet të ishte i mjaftueshëm, si prej njeriu të pakryer në kohën e vet, por me një dëshirë të zmadhuar për të thënë si në pendesë se ky thes i vogëlth, duke iu drejtuar vetvetes, është një thesar dëshmish apo një mbushje e njeriut me fjalë që duhen treguar, si çdo ecatar frymor që kërkon çlirim në shpirt.

Prandaj, ne të mëvonshmëve, na bie barra e një rilevimi të këtyre humanëve, për t’u dhënë zë e mbushur tablonë e një kohe të çmendur, por jo me të çmendur, pasi i bie të jenë të shumtë, por për të zbuluar një nënshtresë që i jepte sharm jetësor edhe asaj kohe që u ngrit në një ideologji absurde.

Ksenofon Dilo është një eruditi i fshehur, i vockël, i lehtë, gati i padukshëm, që endet në fund të udhëtimit të tij, me siguri me kontestimet e veta, me siguri në një dialog të gatshëm kompetitiv, por edhe në një mundësi për ta lënë hapur me inteligjencë dëshminë e kohës së tij. Ia vlen, dhe këtë do e ndiejnë më vonë të gjithë ata që nuk e kanë të zbardhur këtë komunikim si dialog me të sotmen.

Një bisedë brilante me të do të zbardhet së shpejti në një program për historikun e Universitetit të Arteve, si një nga themeluesit e mendimit estetik në Shqipëri, por edhe si dëshmi artistësh që kanë shumë për të treguar nga saga e kapërcyer e një epoke të ndërkryer me utopi./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH