Letërsi

Kryqi i Diktatorit

Shkruar nga Liberale

Mira Meksi hulumton në një vepër letrare figurën e Enver Hoxhës. “Diktatori në kryq” së shpejti do të vijë nga Onufri

Shpëtim Doda

I mësuar tashmë me klimën dhe me botën e krijimtarisë letrare të Mira Meksit, si dhe me motivet ( topo-it) letrare të veprave të saj, ku spikat fuqishëm Dashuria, – e ngërthyer kjo në të tërë gjerësinë dhe format e saj, nga një besim i epërm romantik tek Erosi, deri te përfytyrimi i saj freudian si maskë dhe instinkt i vdekjes, – lexuesi i saj besnik me siguri do të ndihet i zënë në befasi duke nisur, madje, që nga titulli, Diktatori në kryq, i cili, si çdo paratekst, priret  t’i ofrojë atij një shenjë në lidhje me traumën rreth së cilës boshtohet rrëfimi – një funksion ky që titulli vërejmë ta mbulojë gjithnjë te romanet e saj.

Në këtë drejtim, duke u nisur që nga titulli i këtij romani, me siguri që do të ndihet i befasuar madje edhe ai lexues që i ka ndjekur në vijimësi zhvillimet dhe prurjet e Letrave Shqipe, ku Mira Meksi gëzon tashmë një status kulturor gjithnjë e në rritje, duke u shpërfaqur pjesë e kanonit të kësaj letërsie dhe duke luajtur një funksion të rëndësishëm përfaqësues brenda saj. Arsyeja është e thjeshtë: në gjykimin tonë, ndryshe nga letërsia e vendeve të tjera, figura e Diktatorit është një tópos letrar i pandeshur deri më sot, – më së paku kjo në dijeninë tonë, – jo vetëm në krijimtarinë letrare të Mira Meksit, por edhe në Letrat Shqipe; ajo çfarë ndeshim në letërsinë shqipe, duke u kthyer, për arsye më se të njohura historike, në pjesë e kanonit të saj, ka qenë përjashtimisht vetëm figura e Prijësit apo e Udhëheqësit, ndërkohë që figura e Diktatorit – jo Diktatura! – vijoi të mbetej për shkrimtarët tanë një temë gati-gati tabù edhe pas rënies së Diktaturës.

Kësisoj, qyshse në titullin që mbart, ky roman i hap lexuesit një perspektivë shumë më të gjerë sesa thjesht dhe vetëm një lexim apo një interpretim ngushtësisht dhe përjashtimisht estetik. Vështruar në këtë drejtim, ky roman, i cili shpërfaqet më i ndërlikuar artistikisht dhe më i ngarkuar stilistikisht sesa romanet e tjera të Mira Meksit, shënjon një arritje jo vetëm për krijimtarinë e saj, por edhe për vetë letërsinë shqipe, pasi jo vetëm që pasuron ndjeshëm tópoi-t letrarë të kësaj letërsie, por zgjeron dukshëm edhe kanonin e saj, duke sjellë në vëmendje tema dhe figura të patrajtuara më parë, si dhe duke eksploruar në vise letrare të pashkelura deri më sot nga shkrimtarët shqiptarë.

Topoizimi letrar i figurës së Diktatorit

Shekulli XX është pa dyshim një shekull epokal dhe epokalizues njëheri. Është shekulli i triumfit të pandalshëm e të gjithanshëm të pozitivizmit, i revolucioneve dhe i zhvillimeve të hovshme e marramendëse në sferat shoqërore, kulturore, botëkuptimore, etike, politike, ekonomike, teknologjike e shkencore, aq sa Eric Hobsbawm e përkufizon emblematikisht si “shekulli i shkurtër”. Në të njëjtën kohë, shekulli XX është një shekull simptomatikisht tragjik, jashtëzakonisht i mbushur me ngjarje traumatike dhe fatshënjuese për njerëzimin; është shekulli i dy luftërave botërore, shekulli i përplasjeve ideologjike, i Luftës së Ftohtë, i sistemeve e regjimeve totalitare, i diktaturave dhe mbi të gjitha, shekulli i individualizmit absolut, i perëndizimit të individit, i ngritjes së tij në objekt kulti; shkurt, është shekulli i lindjes së figurës së Diktatorit, në kuptimin modern të fjalës, i cili konceptualisht është i ndryshëm dhe i dallueshëm nga termi “tiran” apo “despot”, pavarësisht se në përdorimin e përditshëm e ndeshim rëndom si sinonim i tyre.

Përballë një mozaiku të tillë zhvillimesh, topoizimi i figurës së Diktatorit, shndërrimi i saj në tópos letrar, mund të na duket diçka sa e natyrshme, po aq dhe e pritshme, pasi një nga misionet që synon vetë letërsia, – dhe që lexuesi pret prej saj! – është pikërisht pasqyrimi i jetës dhe i përvojave të njeriut, i prirjeve, botëkuptimit, botës psikike dhe ndërgjegjes së tij, si dhe i zhvillimeve, botëkuptimit dhe ndërgjegjes historike të shoqërisë në të cilën jeton, të cilat, në një mënyrë apo në tjetrën, projektohen dhe ndikojnë pashmangshëm te jeta, prirjet, botëkuptimi dhe ndërgjegjja e njeriut si i tillë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, krahas një lloj intrigimi, si në rastin e Gabriel García Márquez-it, apo edhe një pikënisjeje ideologjike, si në rastin e Ramón del Valle Inclán-it, Robert Graves-it, Christopher Wilson-it, Miguel Ángel Asturias-it, Alejo Carpentier-it, Jorge Zalamea-s, Augusto Roa Bastos-it, George Orwell-it, sa për të sjellë në vëmendje disa shembuj, topoizimi letrar i figurës së Diktatorit lidhet deri diku, më së paku kjo në leximin tonë, edhe me një nga karakteristikat thuajse dalluese të tërë diktatorëve të shekullit XX.

Krahas mizorisë së skajshme dhe ambicieve për pushtet, të tërë diktatorët e shekullit XX i përbashkon edhe ambicia për t’u shpalosur si njerëz të pendës – Lenini shkroi Zhvillimi i kapitalizmit në Rusi, Hitleri shkroi Lufta ime, Mao Ce Duni shkroi Libri i kuq, Josif Broz Tito shkroi disa ligjërata politike, Enver Hoxha Hrushovianët, Titistët, Eurokomunizmi është antikomunizëm, Shënime mbi Lindjen e Mesme; Çaushesku shkroi disa traktate rreth politikës së brendshme e të jashtme. Sakaq, një pjesë e diktatorëve të shekullit XX ishin pashërueshmërisht të prekur nga “sëmundja e Neronit, iu dhanë edhe ndezullisë së të qenit gjeni të letërsisë; Francisco Franco shkroi romanin Raza, Benito Musolini romanin Dashnorja e Kardinalit, Omar Gaddaf-i Libri i gjelbër, një përmbledhje me tregime të shkurtra, Saddam Hussein-i shkroi katër romane, Oliveira Salazar-i shkroi një Biografi politike, Enver Hoxha disa libra me kujtime, si Vitet e vegjëlisë, Baraka e Nushajve, Kur lindi Partia, Me Stalinin etj., Fidel Castro Jetëshkrim në dy zëra, Ditarë etj., Saparmurat Niyazov-i, diktatori i Turkmenistanit, romanin Libri i shpirtrave, ndërsa Stalini, Mao Ce Duni, Ho Chi Minh, Kim Jong-il, Gurbanguly Berdymukhamedov-i, diktatori që pasoi Saparmurat Niyazov-in, shkruan poezi.

Pavarësisht nivelit artistik të rëndomtë e mediokër, tërë shkrimet e diktatorëve – realitetet e tyre të ambalazhuara me propagandë! – u kthyen programatikisht në pjesë thelbësore e kultit të personalitetit të tyre, u përkthyen, me urdhër të tyre, në shumë gjuhë të huaja dhe u shpërndanë në mbarë globin si një mesazh i denjë për tërë popujt, madje u veshën me breroren e teksteve të shenjta, u shndërruan në “bibël”, për t’iu imponuar me detyrim, si mjet edukimi dhe busull orientimi tërë popullit, përfshirë – madje në mënyrë të veçantë – edhe atë pjesë të tij e cila ishte armike e regjimit; në këtë drejtim, teksti më “edukues” mbetet pa dyshim “kryevepra” e diktatorit Berdymukhamedov mbi “artin e pirjes së çajit”, mbi “dobitë mjekësore dhe ndikimin e tij në të menduarit, në filozofinë, kulturën dhe botëkuptimin e njeriut”.

Dhe jo vetëm kaq, mes diktatorëve të shekullit XX pati syresh që shkuan akoma më larg, guxuan të jepnin formula, direktiva e receta për letërsinë dhe artin, duke imponuar në jo pak raste “modele”, për t’u shfaqur në formën e një “bible të artit”. Kështu, Lenini shkroi Organizata e partisë dhe letërsia e partisë, Stalini Mbi artin dhe kulturën dhe një pamflet mbi gjuhën, Mussolini mbajti një sërë fjalimesh mbi artin fashist, Mao Ce Duni shkroi Mbi letërsinë dhe artin, Enver Hoxha shkroi, po ashtu, Mbi letërsinë dhe artin, Fidel Castro shkroi Dialogu i qytetërimeve, si dhe mbajti një sërë fjalimesh mbi letërsinë dhe artin revolucionar, Kim Jong-il shkroi një libër Mbi artin e kinemasë – një studim tejet i “thellë” dhe “brilant” ky, i cili vatërsohet në gjetjen, në zbulimin, apo në idenë “gjeniale” se “në një film, pamjet duhet të duken qartë dhe mirë në ekran”.

Kësisoj, përmes “kryeveprave” të tyre, të gjithë diktatorët e shekullit XX përvijuan dhe formësuan, kush më shumë e kush më pak, jo thjesht një “bibliotekë”, por edhe një kanon të mirëfilltë, atë diktatorial, duke përfshirë në të edhe letërsinë dhe artin; mjaft të mbajmë parasysh ngjashmëritë e skajshme që vërehen lehtë mes veprave të tyre.

Përpjekja për të përvijuar dhe për të formësuar një kanon të këtillë lidhet jo vetëm me vetëdijen e diktatorëve për fuqinë e artit si mjet efikas propagande dhe manipulimi, por, në mënyrë të veçantë, me frikën që ndienin nga Pushteti i artit, ndikimin e të cilit e patën ndier së pari vetë, në psikën e tyre; kështu, për shembull, romani Ç’të bëjmë? i Nikolaj Çemishevskijt la një ndikim aq të thellë te Lenini, saqë tërë jetën e tij ky u përpoq që të imitonte me fanatizëm Rahmetovin, njërin prej personazheve të romanit. E njëjta gjë pati ndodhur me Stalinin; romani Atëvrasja i Aleksandër Kazbegit pati një ndikim aq të thellë tek ai, saqë emrin e personazhit kryesor, Koba-s, e përdori si pseudonim për veten. Për rrjedhojë, krahas shfrytëzimit të artit si një mjet propagande e manipulimi, përvijimi dhe formësimi i kanonit diktatorial lidhet me synimin e diktatorëve për të përvetësuar edhe Pushtetin e artit, me qëllim që të neutralizonin frikën që ndienin ndaj tij.

Duke mbajtur parasysh një kuadër të këtillë, topoizimi letrar i figurës së Diktatorit nuk lipset vështruar kurrsesi si idolatri, apo si përpjekje për të lartësuar ose për të përjetësuar dhe për të përligjur një figurë të tillë; përkundrazi, krahas shumëçkaje, topoizimi letrar i figurës së Diktatorit, letrarizimi i saj, është deri diku edhe një formë për t’i kthyer Cezarit çfarë i takon Cezarit dhe shkrimtarit atë çfarë i takon shkrimtarit; shkurt, pra, është një përplasje mes dy kanoneve, kanonit të letërsisë dhe atij të diktaturës, çka vërehet qartësisht te një nga karakteristikat përbashkuese të topoizimit letrar të figurës së Diktatorit; shprehimisht, paraqitja tipizuese apo arketipizuese e kësaj figure. Në shkrimet e tyre për letërsinë dhe artin, tërë diktatorët e shekullit XX mëtojnë të përvijojnë dhe të formësojnë sipas nevojave dhe qëllimeve të tyre një “model” ideal, tipik dhe arketipik, të shkrimtarit dhe artistit, për t’ua imponuar më pas këtë “model” të tërë shkrimtarëve dhe artistëve. Nga ana tjetër, në topoizimin e tyre letrar dhe artistik të figurës së Diktatorit, edhe shkrimtarët dhe artistët mëtojnë të përvijojnë dhe të na paraqesin figurën tipike e arketipike të Diktatorit, duke ua kthyer kësisoj diktatorëve me të njëjtën monedhë, si të thuash, dhe kjo vërehet qartë edhe në ato raste kur shkrimtari pikëniset nga një shembull i veçantë. Shembujt më të qartë të kësaj karakteristike që i brendashkruhet topoizimit letrar të figurës së Diktatorit i ndeshim te Miguel Asturias, Carpentier-i, Orwell-i, García Márquez-i, Wilson-i etj., tek të cilët kuptohet qartë se topoizimi letrar i figurës së Diktatorit është edhe një kundërpërgjigje, një pozicionim i ndërgjegjes krijuese dhe mbi të gjitha, formë qëndrese e letërsisë përballë diktatit, diktaturës dhe diktatorëve.

Topoizimi i figurës së Diktatorit te Diktatori në Kryq

Në topoizimin letrar të figurës së Diktatorit te Diktatori në Kryq i Mira Meksit ndeshim thuajse të tëra elementet e tablosë së paraqitur në sythin pararendës, të përcjella përmes satirës, humorit, ironisë së hollë, sarkazmit, madje edhe parodisë, dhe, mbi të gjitha, përmes epifanive dhe fantazisë rrëmbyese.

Së pari, pavarësisht se pikëniset nga një shembull i veçantë, nga një personazh historik (lexuesi e rrok lehtë se për kë është fjala), në topoizimin letrar të figurës së Diktatorit Mira Meksi mëton, dhe ia arrin, të përvijojë dhe  të paraqesë arketipin e Diktatorit, ndonëse fjala është për një arketip lokal, për arketipin e Diktatorit të Luftës së Ftohtë, i cili te Stalini pati gjetur mishërimin dhe shprehjen e vet më të qartë dhe më emblematike. Episodi i “pagëzimit të Stalinit”, si dhe interpretimi që i bën vetë Diktatori përgjatë përsiatjeve dhe përpjekjeve të tij për të zbërthyer kumtet e ëndrrave që i ishin fanepsur, shfaqet mjaft domethënës në këtë drejtim.

Sakaq, në këtë roman ndeshim, jo rastësisht, edhe djegien e teksteve të shenjta dhe zëvendësimin e tyre me “biblën” e Diktatorit, çka jo rastësisht zë vend mbas këshillimit të tij me Stalinin. Ëndrrat e Diktatorit me episodet kulmore të Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re, në të cilat është vetë protagonist, e përcjellin mjaft ndjeshëm dhe në mënyrë efikase një pamësi të këtillë. Po ashtu, në këtë roman ndeshim më tepër se një herë përkthimin dhe botimin e veprave të Diktatorit në shumë gjuhë, për t’u shpërndarë më pas nëpër botë nga ambasadat shqiptare. Sakaq, njësoj si te romanet e tjera, edhe te ky roman vërejmë se si ndërgjegjja krijuese i kapërcen kufijtë e ngushtë të vetjakes dhe shkrihet njëshmërisht me imagjinatën krijuese, përmes së cilës Mira Meksi e zeron paq largësinë mes saj dhe Diktatorit; që në faqet e para arrin të depërtojë jo vetëm në vetminë e dhomës së tij, por edhe në mendjen, në ndërgjegjen, në psikën, madje dhe në pandërgjegjen dhe pavetëdijen e Diktatorit, për të rrokur psikozën, parandjenjat, ndjesitë, ankthet, përjetimet, frigimet, dyshimet, paranojat, brerjet e ndërgjegjes, këndvështrimet, mendimet, bindjet dhe idetë e tij, ndërmjet të cilave, jo rastësisht, ndeshim të paraqitur edhe vetëdijen që Diktatori ka në lidhje me Pushtetin e artit, çka Meksi e jep në mënyrë tejet efikase përmes mendimeve dhe përjetimeve të tij teksa mban vesh La vie en rose, apo teksa sjell ndër mend Zogjtë e Hitchcock-ut, apo dashurinë e jetuar dhe përjetuar gjatë rinisë së tij përmes “thjerrës” së Balzak-ut dhe tablove të Gauguin-it etj., pa anashkaluar assesi ndërkaq episodin e farsës së sprovës së Kryqit, gjatë së cilës Diktatori kërkon që të imitojë Krishtin ndërsa e urdhëron “kavjen” të dalë nga qefini dhe të ngrihet në këmbë; madje, në këtë roman ndeshim, jo rastësisht, edhe vlerësimin që Diktatori i bën vetes si shkrimtar: “Për një piramidë të vetën i qau zemra ato çaste. Një piramidë që nuk do të ishte varr për të, larg qoftë!, ku ai do të shkëlqente me mungesën e tij. Një piramidë që do të mbante kujtimet e tij për t’ia shpalosur njerëzimit, në jetë të jetëve. ‘Aty do t’i keni të gjitha, pa fshehje, pa ambalazhime, puro. Aty dhe në titujt e librave të mi do të gjeni kumtet e mia’, iu drejtua me mendje të gjithëve. ‘Veç të keni tru për t’i lexuar dhe deshifruar’, tha, jo pa ironi.” (Pjerrëzimi shkronjor yni – Sh. D.)

Ndërkaq, topoizimi letrar i figurës së Diktatorit, krahas të qenit deri diku një formë për t’i kthyer Cezarit çfarë i takon Cezarit dhe shkrimtarit çfarë i takon shkrimtarit, është edhe një formë e çmitizimit dhe e demistifikimit të figurës së Diktatorit, e zhveshjes së saj nga shkëlqimi dhe brerorja mbinjerëzore, heroike, e lavdishme dhe e pavdekshme, me të cilat e patën mbështjellë qoftë ai veten, qoftë propaganda e orkestruar prej tij. Te ky roman çmitizimi dhe demistifikimi i figurës së Diktatorit realizohet përmes kontrastit të fortë mes perceptimit të jashtëm rreth Diktatorit dhe perceptimit që vetë Diktatori ka për veten.

Që në faqet e para romani na vendos përballë Diktatorin, një njeri jo i plotfuqishëm, por i pafuqishëm; një njeri që tashmë ka ndjesinë se po jeton “një ekzistencë fantazmë” brenda një “bote të zymtë”; një njeri që tronditet ndërsa zbulon befas vetminë që i ka gllabëruar çdo hapësirë, jo vetëm dhomën, por edhe shtratin, jo vetëm shtëpinë, por edhe hapësirën jashtë saj, thuajse i braktisur, pa ndjekës, pa njerëz të cilëve mund t’u besonte; një njeri që e kupton qartazi se pushteti i ka rrëshqitur nga duart dhe ndihet krejt i pafuqishëm për të reaguar përballë njerëzve që e rrethojnë, që “i fshihnin të vërteta, sajonin realitete të rreme, krijonin një udhëheqje shteti mediokre nën hundën e tij, kur merrnin vendime në këmbë të tij me anë informacionesh të rreme, kur i hidhnin dorën në qafë, ndërkohë që tinëzisht punonin kundër tij e Partisë së tij, kur shpiknin përbetime e grupe armiqësore në emër të tij, ndërkohë që në të vërtetë ishin ata vetë që po i shfarosnin njerëzit e tij besnikë një nga një, kinse me dorën e tij”; një njeri i brerë nga ankthe, pasiguri dhe dyshime se edhe njerëzit e familjes po i minonin jetën; një njeri që gjallon brenda një paranoje, “me frikën e një psikoze”, me “tmerrin se në kraharor mbante një bombë me sahat, e cila mund të shpërthente nga çasti në çast”; një njeri që ndihet më tepër i vdekur se i gjallë, si i varrosur për së gjalli, ku folja “përgjoj” te fraza që Diktatori mendon me psherëtimë, “në këtë shtëpi përgjohen edhe dëshirat e pathëna”, mbart edhe kuptimin e “përgjimit të të vdekurit”; shkurt, pra, një njeri që, teksa vigjilon rrahjet e çrregullta e të frikshme të zemrës dhe sinjalet e oksidimit përfundimtar të gjakut, mushkërive dhe mëlçisë, “parandien fundin” e tij, kupton se “ka ardhur koha” të përballet me vdekjen. Sythi i parë i kapitullit I, i cili na paraqet paraprakisht traumën e romanit, vatërsohet te frazat “parandjeu fundin” dhe “kish ardhur koha”, të cilat janë jo vetëm pikëlidhja e dy pjesëve të këtij sythi, por edhe istosi, boshti i romanit si një i tërë. E megjithatë, pavarësisht kësaj, përmbajtja dhe shtrirja e rrëfimit në faqet e këtij romani zhvillohen përtej këtij konstatimi, duke e shndërruar këtë në kuadër epifanik, zbulestar, brenda të cilit shfaqen dhe rrëfehen edhe ngjarjet më thelbësore të jetës së Diktatorit, shpeshherë të përcjella përmes kujtimeve, përsiatjeve apo monologëve që ky zhvillon me vetveten.

Vetëdija se tashmë kish mbërritur ora e mbrame e shtyn Diktatorin të përsiatet në vetminë e dhomës së tij rreth vdekjes dhe pasvdekjes. Ndryshe nga sa mund të pritej, përballja me një gjasë të këtillë nuk mbart kurrfarë dramaticiteti; përkundrazi, Diktatori “u mundua t’i mbushte mendjen vetes se fundi ishte në rrjedhën e vet të natyrshme”. Dhe jo vetëm kaq; në përsiatjet e Dikatorit rreth vdekjes dhe pasvdekjes së sivëllezërve të tij lexuesi ndeshet me një sarkazëm e humor çmitizues dhe demistifikues njëherazi. Është e vërtetë, sakaq, se në një moment Diktatori ndien frikë, “frikën e takimit, në atë rrugëtim të mbramë, me viktimat e tij”, sidomos kjo me njerëzit e tij të afërt dhe me “shokët armiq”, të vetmit që i krijonin shqetësim; është e vërtetë se edhe ofshan për numrin e tyre të madh, porse kjo frikë nuk krijon kurrfarë brejtjeje të ndërgjegjes, kurrfarë rimorsi zhgurues.

Përkundrazi, davaritet shumë shpejt dhe ftohtazi, përmes përligjjes në emër të ideologjisë, të projektit të ndërtimit të rendit të ri dhe njeriut të ri, viktimat e panjohura (çdo revolucion ka nevojë të domosdoshme për viktimat e veta!), si dhe të mbijetesës, viktimat e njohura, njerëzit e afërt dhe shokët armiq – “Më mirë të marrësh se të japësh: të marrësh vdekje se të japësh vdekje”. Dhe jo vetëm kaq; fill pas përligjjes në lidhje me viktimat dhe gjakun e derdhur, si për të nënshkruar një traktat paqeje me ndërgjegjen e tij, Diktatori premton vetë me vete: “në rikthim shumëçka duhet të ndryshojë” dhe kridhet “me shpejtësi në ringjalljen e tij të fshehtë dhe të sigurt, si në një intimitet të ngrohtë dhe të dashur, por edhe të mistershëm njëkohësisht”, prej nga lexuesi kupton qartë qetësinë me të cilën Diktatori përsiatet rreth vdekjes dhe pasvdekjes së tij.

Përmes kësaj kthese të beftë, rrëfimi në këtë pikë na zbulon poetikën e tij të ndërlikuar; fjala është, më konkretisht, për strukturimin e tij dhe spiralor, i mbështetur mbi një sistem “hapjesh” progresive, që këtu do të thotë shprehimisht se çdo kapitull zhvillohet duke ndjekur një “hapje” përkatëse, e cila, nga ana e saj, projektohet si e tillë qysh në kapitullin pararendës. Kështu, pas projektimit të gjasës së ringjalljes në kapitullin e parë, në kapitullin vijues rrëfimi vatërsohet te zbërthimi i “misterit”, te Kryqi i cili përbën edhe pjesën e dytë të titullit të romanit. I vështruar në këtë drejtim, ndërkaq, si pjesë e paratekstit, termat “diktator” dhe “kryq” të titullit hedhin dritë mbi dy histori, të cilat zhvillohen paralelisht, aq sa mund të thuhet se kemi të bëjmë me një roman brenda romanit, dhe që në fund pikëpriten, bashkohen dhe shkrihen në traumën e romanit si një i tërë.

Gjatë zbërthimit të “misterit” të gjasës së ringjalljes, Mira Meksi e zhvendos lexuesin në Moskë, ku patriarku i Kishës Ortodokse Ruse, Aleksej I, deshifron një letër që Rasputini i pati dërguar paraardhësit të tij, patriarkut Makarij II, në të cilën i fliste për një relikt të Krishtit, nga i cili jo vetëm buronte pushteti absolut i Patriarkanës së Kostandinopojës, por varej edhe e ardhmja dhe shpëtimi i njerëzimit. Mbas deshifrimit të saj, me synimin që pushteti absolut i Patriarkanës së Kostandinopojës t’i kalonte asaj Ruse, patriarku Aleksej I fillon përpjekjet për të shtënë në dorë Reliktin e Shenjtë, Kryqin e kishës së Labovës, në trupin e të cilit ishte ngallmuar një ashkël nga Druri i Kryqit mbi të cilin u kryqëzua Krishti. Për të arritur qëllimin, patriarku Aleksej I kërkon ndihmën e Stalinit dhe për ta bindur, shpiku një atribut të rremë të Ashklës së Shenjtë të ndryrë në trupin e Kryqit, atë të fuqisë së Krishtit për të kthyer të vdekurin në jetë. Argumenti i patriarkut rezultoi tejet efikas dhe mbushamendës. I joshur nga kjo veti e Ashklës, Stalini pranon të përfshihet dhe krijon një grup të posaçëm të Shërbimit Sekret Rus për t’u marrë përjashtimisht me këtë çështje. Informacioni ndërkaq arrin te Diktatori shqiptar, i cili pa një pa dy vihet në kërkim të Ashklës së Shenjtë, të cilën arrin ta shtijë në dorë, ndonëse jo përmes njerëzve të tij.

Me hyrjen e Ashklës së Shenjtë në jetën dhe vdekjen e tij, gjendja e Diktatorit ndryshon katërçipërisht; ftohtësia i lëshon vend ankthit aromësqufur, ngërçit vdekjeprurës, parandjenjave të këqija, pasigurisë, brerjeve të ndërgjegjes për tërë sa kish kryer kundër fesë, për rrënimin dhe plojën që ndodhi, për masakrimin, kasaphanën ndaj klerit, që pati larë vendin me gjak. Në këtë monolog të gjatë me vetveten, Diktatori ndien si kurrë më parë tmerrin nga zemërimi i Zotit, frikën nga humbja e besimit të tij, besimit komunist, i cili qëndronte në themel të ngrehinës së Pushtetit të tij, aq sa tani nuk ndihet i sigurt nëse në rastin e tij vetia krishterike e Ashklës së Shenjtë ishte një bekim apo një mallkim, një instrument i hakmarrjes së Zotit, një akt mëkatshlyrës, diçka më e rëndë se vdekja e amshuar. Kësisoj, krejt pa e kuptuar, Diktatori e sheh veten në rrugën e Kalvarit, në një Via Crucis. I torturuar mes të këtilla ndjesive, pasigurive dhe dyshimeve, Diktatori nuk pendohet për çfarë kishte kryer, por thjesht i vë detyrë vetes që të afrohej me fenë, se duhet të arrinte me çdo kusht që ajo t’i falte gjakun e derdhur, duke premtuar se jeta e tij e dytë “kish për të qenë ndryshe”.

Kësisoj, përmes Ashklës së Shenjtë, Diktatori më tepër sesa jetë, kërkon një mundësi të dytë për vetveten. Mundësinë e parë e pati shteruar duke këmbyer dashurinë me komunizmin; mundësinë e dytë kërkon ta shterojë duke këmbyer komunizmin me dashurinë. Porse gjërat nuk shkuan aspak sipas planit të tij, ndërkohë që ndodhën sipas tërë dyshimeve të tij. Dhe nuk mund të ndodhte assesi ndryshe. Diktatori ishte më se i vetëdijshëm se lufta për pushtet, lufta për pasardhësin e tij kish nisur tashmë dhe po zhvillohej nëndheshëm dhe me shpejtësi; ajo çfarë Diktatori nuk dinte, ishte gjasa se viktima e kësaj lufte të egër të Pushtetit do të ishte ai vetë, se Pushteti do të ishte jo thjesht dhe vetëm streha dhe ngrehina e vetmisë së tij, por edhe vetë Kryqi mbi të cilin do ta kryqëzonin për së gjalli dhe për së vdekuri. Në fund të fundit, siç është fatshkruar të ndodhë në fund të “biblës” së çdo diktatori./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH