Aktualitet

Kryebashkiaku i Matit reagon për akuzat e PD-së, sulmon me 21 Janarin

               Publikuar në : 18:44 - 21/01/20 liberale

I vënë në qendër të akuzave të Partisë Demokratike, kryetari i bashkisë së Matit, njëherësh edhe ish-gardist, Agron Malaj ka zgjedhur të reagojë pikërisht sot, me 21 janar.

Në këtë datë, 9 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të humbisnin jetën katër protestues.

Agron Malaj, i cili në atë kohë ka qenë në krye të detyrës në Gardë,  thotë se refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit.

Ai akuzon si përgjegjës ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-Ministrin e Brendshëm të asaj kohe Lulzim Basha, për të cilët thotë se dhanë urdhër për të qëlluar duke shkelur çdo ligj e çdo normë.

Postimi i plotë:

21 janari është një tragjedi me të cilën mua më është dashur të jetoj çdo ditë gjatë 9 viteve të fundit. Unë nuk humba në atë tragjedi asnjë pjesëtar të familjes time. Por ka megjithatë diçka që më bashkon mua, ish “gardistin e 21 Janarit” me familjet e 4 qytetarëve të pafajshëm që humbën jetën në atë ditë të tmerrshme. Na bashkon dëshira që ajo ngjarje të zbardhet e drejtësia të shkojë në vend.

Prej 9 vitesh tashmë emri im është lidhur me atë ngjarje tragjike. Emri i një njeriu, i një ish gardisti në krye të detyrës, që refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm, është lidhur në mënyrën më perverse me vrasjen e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, jo nga familjet, jo nga organet e ligjit, por pikërisht nga ata që dhanë urdhër për të qëlluar e më pas shkelën çdo ligj e çdo normë, për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës.

Unë sot, vijoj punën time me kokën lart. Me ndërgjegjen e pastër. Mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku çertifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje.

A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje? A nuk do duhej që të paktën sot, në 21 janar, së paku të mbyllnin gojën e të ulnin kokën nga turpi për jetët e pafajshme që kanë marrë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën urdhrat e ish kryeministrit dhe të atij që asokohe ishte Ministër i Brendshëm dhe që në çdo vend normal do ishin dënuar jo një, por disa herë, për krime që shkojnë nga vjedhja e korrupsioni e deri tek pastrimi i parave e financimi nga Rusia dhe vrasja?

Por mbi mua rëndon nevoja që kjo ngjarje të zbardhet e fajtorët të shkojnë atje ku meritojnë të shkojnë ata që duke shkelur ligjin kanë marrë jetë njerëzish. Prandaj, sot dua së pari, t’ju shpreh familjarëve ngushëllimet e mia. E së dyti, t’ju them atyre që as unë nuk do të rresht së kërkuari që ajo tragjedi e ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit.

Tags:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back