1

“Kronikë lufte e qytetit pa luftë” dokumenton pranverën e 1999-s

               Publikuar në : 09:39 - 01/11/19 liberale

Në kuadër të  muajit të librit dhe në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Kosoves dhe Muzeun Historik Kombetar kanë përuruar librin “Kronikë lufte e qytetit pa luftë” (Kukës, 1999)” i autorit Bashkim Shala.

Ceremoinia e përurimit të librit u zhvillua në sallën kryesore të Muzeut Kombëtar ku morën pjesë protagonistë të asaj periudhe, si ushtarakë e punonjës policie që kanë sherbyer në atë periudhë në rajonin e Kukesit si dhe zyrtarë të lartë poltikë e shtetrorë.

Në këtë aktivitet, mori pjesë ish ministri i Brendshëm i asaj periudhe, aktualisht zv\ministrër i Mbrojtjes Petro Koçi, ish nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë në atë periudhë, shkrimtari dhe gazetari, Namik Dokle.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ambasadori i ri i Republikës së Kosovës në Tiranë, Nait Hasani. Kryetari i UGSH-së Aleksandër Çipa i cili në hapje të takimit foli për vlerat e këtij libri që sipas Çipës do i shërbejë memories historike. Në këtë libër pasqyrohen kryesisht ngjarjet e pranverës së vitit 1999, që ishin dramatike për popullin e Kosovës, por edhe për banorët e Kukësit, që ofruan strehim për popullatën e dëbuar nga dhuna e terrori i forcave serbe.

Recensenti i librit, Petrit Palushi, ka thëne se bëhet fjalë për libër të dëshmisë dhe të reflektimit. Sipas tij, ky libër risjell në vëmendje kryesisht atmosferën e pranverës dramatike të vitit 1999. “Libri është një përmbledhje shkrimesh të botuara asokohe në gazetën ‘Koha jonë’. Shkrime të tilla fillojnë më 12 janar të 1999-s, vijojnë në krejt pranverën dhe përmbyllen me reportazhin e së enjtes së 17 qershorit, disa ditë pasi Kosova u çlirua prej policisë dhe ushtrisë serbe”, ka thënë ai, duke shtuar se aty janë përfshirë edhe një intervistë me gazetarin kilian Abner Machuca, që ishte plagosur nga snajperistët serbë në maj të vitit 1999, në zonën kufitare, si dhe një reportazh me gazetaren Marie Colvin, të dyja këto të botuara në “Koha Ditore”, ku gazetari Shala tash e disa vjet punon si korrespodent nga Shqipëria.

“Libri na ndihmon në ruajtjen e memories, pra për të rikujtuar edhe një herë se çfarë ka ndodhur në atë periudhë… Ky libër ka vlera, sepse është i shkruar nga një gazetar profesionist si Bashkim Shala…”, ka deklaruar Palushi, duke shtuar se vepra publicistike në fjalë ka të bëjë me faktografi.

“Duke i ndjekur ngjarjet e gjysmës së parë të vitit 1999 thuajse ditë pas dite, gazetari Shala e përcillte realisht atmosferën për lexuesin”, ka thënë Palushi, duke shtuar se autori mblidhte informacionin e nevojshëm drejtpërdrejt nga Kukësi e rrethina e tij.

“Në librin ‘Kronikë lufte e qytetit pa luftë (Kukës, 1999)’ është përshkruar më së miri dramatika e asaj kohe, shpesh e vërejtur edhe në imtësitë më të padukshme”, është shprehur Palushi. Për këtë arsye, sipas tij, libri është i dobishëm jo vetëm në lëmin gazetaresk, por u shërben edhe historianëve si faktografi, sikurse edhe nxënësve e studentëve të sotëm për të mësuar historinë e asaj kohe.

Gazetari i njohur Kristo Mertiri, ish zëdhenës i qeverisë në Kukës gjatë krizës së Kosovës ka folur për vlerat unikale të librit dhe gjuha e thjeshtë e komunikuese e përdorur nga gazetari sipas tij i pa kompromis dhe i paanshëm Bashkim Shala. Ndërkaq drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi  në ceremoninë e përurimit të librit ka theksuar se kjo vepër “ka rëndësi të madhe, sepse shërben për njohjen e situatës në Kukës dhe Shqipëri dhe të asaj në Kosovë”, në pranverën e vitit 1999.

“Libri na jep të dhëna reale mbi përjetimet e kosovarëve dhe qëndresën e tyre në luftë për liri e pavarësi. Vepra do t’u shërbejë të gjithë atyre që duan të njihen me ngjarjet e kësaj periudhe të lavdishme të historisë së popullit liridashës të Kosovës”, ka thënë Koçi.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, ka theksuar se libri i autorit Bashkim Shala duket që sjell ngjarje të vogla nga Kukësi i pranverës së vitit 1999, porse ato janë ngjarje të mëdha.

“Ngjarjet që sjell ky libër janë argumenti më i mirë për të treguar edhe në rrafshin politik, edhe ndërkombëtar se intervenimi i NATO-s në vitin 1999 ka qenë i drejtë, pasi Serbia kishte prekur pikën mbi të cilën bota demokratike nuk mund t’i mbyllte sytë më”, ka thënë Ukshini, duke shtuar se plani i Beogradit ishte shfarosja e një populli. “Intervenimi i NATO-s ka ndodhur për shkak të këtyre ndodhive, që janë dokumentuar nga Bashkimi”.

Ukshini ka shtuar se lexuesi nuk lodhet me këtë libër, meqë autori ka “një gjuhë të saktë, gjuhë precize, nuk i ka zmadhuar gjërat, i ka transmetuar në mënyrë shumë autentike”.

“Mendoj se është një testament, një dokument që u përcillet brezave të ardhshëm. Ky libër kontribuon në kultivimin e kulturës së kujtesës”, ka shtuar Ukshini. Në anën tjetër, autori Bashkim Shala ka shfaqur dëshirën që libri i tij të jetë një vlerë dokumentare më shumë për atë periudhë.

“Shkrimet i filloj me provokimet serbe, vazhdoj me dëshmitë e gjenocidit. Ndoshta kam gabuar në ndonjë fakt, por dëshira jonë ishte që dëshmitë e gjenocidit t’i paraqesim, t’i bëjmë publike. Ka edhe shumë ngjarje për menaxhimin e krizës”, ka thënë Shala. Madje ka theksuar se sikur të kthehej në kohë nuk do të shkruante me aq kritikë për menaxhimin e krizës.

“Po të kthehesha ndoshta nuk do të shkruaja ashtu siç kam shkruar. Kam qenë shumë kritik për menaxhimin e krizës, sepse me dhimbseshin njerëzit”, ka thënë Shala. Ai ka thënë se kronikat e kohës së luftës përfundojnë me një reportazh nga Prizreni më 17 qershor, duke respektuar gazetarët vendorë që në liri të pasqyrojnë realitetin e tyre. Sipas tij, në libër janë përfshirë edhe një intervistë me gazetarin kilian Abner Machuca, që ishte plagosur nga snajperistët serbë në maj të vitit 1999, në zonën kufitare, si dhe një reportazh me gazetaren Marie Colvin, e cila u vra në Siri.

“Unë s’kam çfarë të flas për librin, sepse lexuesi duhet të flasë për të”, ka përfunduar Shala, duke i shprehur mirënjohje të pranishmëve për pjesmarrjen për fjalët e zgjedhura që thanë për librin.

<
>
0f68b5d1-158d-4ed5-9a79-f80a7edc03ab 2bbd1032-d360-45e6-80dd-11b5aa5938c1 3b0edf78-bff9-49ca-921c-963d2000182d 6ba2cd98-b09a-4667-a847-735c4254b145 9f608a9c-3a70-4dc2-9f67-0dcef9e7b3bb 19cf4eff-e2a3-43d6-a133-d6b24bd27c95 33ab4283-d4cc-447e-bb0d-b6e5b54b7152 74f0fdc6-fdfa-46e8-b7c1-479c59b9adf1 316010ed-ccdb-4f39-9d2a-a23c429ace35 0bef8717-4558-4713-846b-337fb4f81e0d 832230a2-8835-472d-b8fb-eb308f49416e 93887751-f692-4d85-ac31-65f73c45eb55

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *