Aktualitet

‘Krisja e madhe’, pse po ia kthejnë ‘shpinën’ Franca dhe Gjermania qeverisë ‘Rama’?

Shkruar nga Liberale

Ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe ai i Gjermanisë, Peter Zingraf ishin të pranishëm në takimin e organizuar nga qeveria për amnistinë fiskale, por para se të merrte fjalën kryeministri Edi Rama, ata e kanë braktisur në mënyrë demonstrative takimin.

“Miqve dhe partnerëve europianë dua t’u them që respekti reciprok është ai që me respekt mund të refuzohet çdo ide, por ta trajtosh Shqipërinë si një vend armiqsh, ndërsa amnistia është bërë në të gjitha vendet që na japin mësim, kjo nuk është asgjë e drejtë, asgjë e duhur që tregon respektin pa kushte që ka Shqipëria ndaj partnerëve të saj” u shpreh kryeministri në fjalën e tij.

Në fjalën e tij, Rama ka kërkuar respekt nga ndërkombëtarët, që nuk mund ta trajtojnë Shqipërinë si një vend "armik".

Disa mekanizma ndërkombëtare janë shprehur kundër amnistisë fiskale, por qëndrimet e tyre Rama i ka quajtur “fletërrufe”.

Ambasada franceze dhe gjermane në Shqipëri reaguan përsa i takon bojkotit të fjalës së kryeministrit Edi Rama nga ambasadorët Zingraf dhe Basacq gjatë konsultimit publik për amnistinë fiskale.

Ata u shprehën se u larguan nga mbledhja sepse kishin takime të tjera.

Ndërsa shtuan se qëndrimi i tyre mbi amnistinë fiskale të propozuar nga qeveria, ishte i njëjtë me pikëpamjet e shprehura nga delegacioni i Bashkimit Europian.

“Ne u larguam sot në mëngjes nga mbledhja që po zhvillohej për amnistinë fiskale sepse të dy kishim takime. Ne ndajmë plotësisht pikëpamjet e shprehura nga Delegacioni i BE-së”– thuhet në reagimin e Elisabeth Barsacq dhe Peter Zingraf.

Pavarësisht kritikave të bëra nga opozita, dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Bashkimi Europian, sa i takon pasojave negative që mund të sjellë nisma, Rama sërish është shprehur i vendosur për të votuar projektligjin e amnistisë fiskale për shuma deri në 2 milionë euro.

Megjithatë, nëse Gjermania dhe Franca dalin kundër, vështirë se amnistia mund të kalojë. Ashtu si Berisha në betejën me SHBA-të, ndoshta rastësi, edhe Rama përmendi sot “sovranitetin”, duke nënkuptuar se Shqipëria është një vend sovran dhe i miraton vetë ligjet e saj.

Ambasadorët Zingraf dhe Barsacq kanë qëndruar të ulur në reshtin e parë duke dëgjuar fjalën e ministres së Financave Delina Ibrahimi, dhe zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, por janë larguar menjëherë sapo fjalën e ka marrë kryeministri Rama.

Ky i fundit duket se nuk e ka pritur mirë gjestin e tyre, dhe gjatë fjalës së tij ka folur për “mungesë respekti” nga diplomatë të huaj që e trajtojnë Shqipërinë si “vend me bisht”.

Por, pas largimit demonstrativ të dy ambasadorëve që përfaqësojnë dy vendet që udhëheqin Bashkimin Europian, duket se po jepen sinjalet e një krisjeje mes qeverisë dhe Perëndimit.

Pyetja që shtrohet është: A po ia kthen shpinën Perëndimi, të paktën gjysma e tij, pjesa e Bashkimit Europian, edhe kryeministrit Rama dhe pse?

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH