Kolana UETPRESS- 15 vjet
Tituli: KRIMINALITETI I TË MITURVE
Autor: Bledar Mustafaraj
Prof. Dr. Skënder Kaçupi
Monografia “Kriminaliteti i të miturve. Aspekte kriminologjike dhe juridiko-penale” synon të trajtojë një dukuri mjaft aktuale dhe që paraqet interes të madh. Në kohët e sotme janë bërë përpjekje të shumta për të analizuar fenomenin e kriminalitetit të të miturve, në tërësinë e aspekteve të tij të veçantë. Patjetër, ky lloj kriminaliteti ka ekzistuar gjithnjë, por vetëm gjatë dekadave të fundit ka nisur të konsiderohet si fenomen shoqëror për shkak të ndikimit që ka në familje dhe në komunitet.
Shpesh mund të pyesim veten mbi arsyet që nxitin një fëmijë apo një adoleshent që të kryejë një vepër penale, ndonjëherë dhe tejet të rëndë. Autori i parashtron lexuesit të interesuar në çështje të tilla, përgjigjet që u jep shkenca e kriminologjisë pyetjeve që lidhen me këtë lloj të veçantë kriminaliteti.
Autori është ndalur në fillim të punimit në një trajtim të plotë të trajtimit të fenomenit në këndvështrimin e personalitetit, patologjive, trashëgimisë, etj., duke vazhduar më pas me këndvështrimin shoqëror, duke iu referuar ndikimeve që ka mjedisi dhe mospërshtatja në lindjen e kriminalitetit të të miturve. Kjo përpjekje vjen në harmoni me objektivin e shkencës së kriminologjisë, e cila synon të parashikojë veprat penale që mund të kryhen në një kontekst të caktuar shoqëror.
Më tej, autori ndalet në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të miturve, sipas parashikimeve të Kodit Penal, por dhe koncepte të tjerë që nuk trajtohen nga legjislacioni shqiptar lidhur me përgjegjshmërinë. Autori ka vënë në dukje parashikimet ligjore që lidhen me procedimin penal të të miturit, duke analizuar elementet pozitivë dhe të metat, por dhe duke krahasuar legjislacionin e brendshëm shqiptar me atë ndërkombëtar në fushën e drejtësisë për të miturit.
Punimi mbyllet me disa mendime lidhur me trajtimin e fenomenit në harmoni me modelet më të mira ndërkombëtare si dhe me një bibliografi të plotë për të interesuarit në fushën e kriminalitetit të të miturve dhe të drejtësisë penale për të mitur.
Pjesë nga libri
Para afro më tepër se gjysmë shekulli, Mynir Tirana theksonte se: “Kujdesi për fëmijët përshkon si legjislacionin tonë ashtu edhe praktikën e punës së organeve gjyqësore, të Prokurorisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këtyre në radhë të parë iu përket të marrin një seri masash, të cilat synojnë në zhdukjen e kriminalitetit të të miturve.”
Falë reformimit të legjislacionit dhe demokratizimit të tij pas viteve 1990 si dhe falë ratifikimit të mjaft akteve ndërkombëtare në fushën e drejtësisë për të mitur, koncepte të tillë si kriminaliteti i të miturve dhe mituria vazhdojnë të jenë mjaft aktualë në vendin tonë.
Është fakt i pamohueshëm që në vitet e fundit shoqëria shqiptare po përballet me një numër në rritje të të miturve, të cilët nëpërmjet sjelljes së tyre, ose dhe nëpërmjet një veprimi të vetëm, përfshihen në rrethin e kriminalitetit.
Trajtimi i fenomenit të kriminalitetit të të miturve kërkon që të njihet mirë koncepti mbi të, të studiohet shkencërisht profili i të miturit në konflikt me ligjin dhe shkaqet që e kanë sjellë. Me qëllim që të individualizohet, të përkufizohet dhe shpjegohet fenomeni i kriminalitetit të të miturve, lind si detyrë e domosdoshme sqarimi i koncepteve bazë të tij si, i mitur, kriminalitet dhe së fundi kriminalitet i të miturve, që shpesh ngatërrohet me termin devijim.
Ndërsa përcaktohet zakonisht si i mitur, individi që nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, legjislacioni penal përcakton nga ana tjetër se përgjegjësia penale për të miturin lind kur ai arrin moshën 14 vjeç. Kur bëhet fjalë për kriminalitetin e të miturve, termi i referohet tërësisë së veprave penale të kryera nga individët e grupmoshës 14 deri 18 vjeç. Sa i përket devijimit si term, përdoret kryesisht për të treguar gjendje vështirësie, mospërshtatjeje ose margjinalizimi.
Procesi penal, të cilit i nënshtrohet i mituri, nuk rregullohet nga një normativë e veçantë, por nga dispozitat e përgjithshme që iu nënshtrohen individët madhorë në moshë. Gjithsesi, në legjislacionin e brendshëm shqiptar janë bërë përpjekje për të zbatuar disa parime që janë përmbledhur qartë në Kartën evropiane për të drejtat e fëmijës, pika 8.23:
“Çdo fëmijë ka të drejtën e sigurisë juridike; të pandehurit e mitur gëzojnë të drejtën për të përfituar nga të gjitha garancitë e një procesi të rregullt, ku përfshihen e drejta për mbrojtje ligjore të veçantë dhe të përshtatshme; në rastin kur i mituri do të deklarohet fajtor për kryerjen e një vepre penale, duhet të shmanget burgimi i tij ose vendosja në një institucion penitenciar për të rritur, ai do t’i nënshtrohet një trajtimi të përshtatshëm, nga personel i specializuar, në mënyrë që të riedukohet dhe të rikthehet në gjirin e shoqërisë”.
Për të kuptuar drejt këta terma duhen marrë parasysh ndryshimet rrënjësore që ka pësuar shoqëria jonë gjatë dekadave të fundit dhe sidomos pasojat që kanë ardhur mes fëmijëve dhe adoleshentëve. Ndryshimet janë pasqyruar si në marrëdhëniet mes grupeve të fëmijëve dhe të të rriturve, ashtu dhe mes të rinjve me familjen e me shoqërinë. Format e reja të vështirësive dhe varfërisë rëndojnë mbi cilësinë e jetës dhe ndikojnë në mënyrë domethënëse mbi të, gjë për të cilën duhet të realizohen ndërhyrje mbrojtëse gjatë rritjes së të miturit. Disa prej shkaqeve kryesore të sjelljes kriminale të të miturve qëndrojnë në dëmtimin e marrëdhënieve domethënëse njerëzore, në dobësimin e lidhjeve të llojit parësor, në papërshtatshmërinë dhe cënimin e lidhjeve familjare. Për këtë arsye, subjektet e ndryshëm institucionalë duhet të rishikojnë funksionet e tyre, mënyrat dhe planet e veprimit e të ndërhyrjeve, që të jenë në gjendje t’i përgjigjen në mënyrë koherente dhe të vendosur kërkesave të kësaj grupmoshe. Në këtë kuptim, lind dhe nevoja për t’i dhënë çdo termi domethënien e saktë, si në botën akademike, ashtu dhe në atë të organeve ligjzbatuese.
Një ndër qëllimet e këtij punimi konsiston në pasqyrimin dhe analizimin e të gjithë elementëve që krijojnë një pamje të përgjithshme të fenomenit të kriminalitetit të të miturve.