Kryesore

Krijuesit, më solitarë sesa ua do puna

               Publikuar në : 09:58 - 05/08/19 LP

Preç Zogaj

“Vetmia është fati tij”, pati thënë për shkrimtarin Le Clezio, romancieri bashkëkohor francez, në fjalën e mbajtur në Stokholm me rastin e marrjes së çmimit “Nobel”. Është një sentencë e saktë, së cilës i brendashkruhet një vetmi më e madhe se ajo e domosdoshmja e procesit të krijimit, domethënë një mënyrë e vetvetishme apo e kërkuar të jetuari e të punuari dhe jo në pak raste edhe një fat, siç mund të përmendim shembullin e poeteshës së famshme amerikane, Emili Dickinson, e cila shkroi mijëra poezi në shtëpinë e saj, si në një ishull të shkëputur nga shkollat e rrethet letrare të kohës dhe botoi një numër shumë të vogël prej tyre, më pak se dhjetë, sa qe gjallë.

Në të njëjtën vetmi të dyfishtë artistike dhe fizike kanë shkruar autorë të tjerë të talentuar, por numri i tyre, dukshëm i vogël, i tregon si përjashtime apo edhe si “les enfants prodiges” të muzave në raport me autorët e mëdhenj, formimi, krijimtaria dhe suksesi i të cilëve ka kaluar dhe është realizuar nëpër marrëdhënie shumë aktive me klubet, shkollat, rrethet, miqësitë, kritikën letrare.

Të përmendësh emra dhe shembuj do të thotë të mos mbarosh kurrë. Si lexim i freskët më vjen të përmend librin autobiografik të poetit nobelist nga Meksika, Oktavio Paz, i cili u dedikon shkollave dhe rretheve letrare të shumta që e ndikuan përgjatë jetës, rëndësinë e talentit të lindur dhe punës ngulmuese.

Personalisht, sa herë flitet për klubet letrare, kujtoj atë të Lezhës në vitet tetëdhjetë, një shoqëri letrare në fakt, ku spikaste me natyrën e tij të papërsëritshme dhe njihej “primus inter pares” poeti Ndoc Gjetja, pastaj një kokë më lart se të tjerët, për shkak të shpirtit të lirë dhe kulturës së gjerë, poeti dhe përkthyesi Rudolf Marku dhe plot emra të tjerë që u formuan nën ndikimin e këtyre të dyve.

Me kohë kjo shoqëri letrare, ku “publikonim” për herë të parë gjithë çfarë shkruanim e përkthenim dhe diskutonin pareshtur deri në orët e vona, i kaloi kufijtë e Lezhës dhe mori tiparet e një shkolle letrare, manifesti i së cilës ishte një mënyrë e re të shkruari, që rrekej të hynte në lidhje me poezinë moderne bashkëkohore që shkruhej në Europë dhe në botë. Për shkak se me bërthamën e poetëve të Lezhës u bashkuan apo hynë në komunikim intensiv autorë dhe bërthama të tjera krijuesish nga e gjithë Shqipëria, si frymë “shkolla” e Lezhës ishte si një alternativë e metodës zyrtare. Poezitë e shumë autorëve të mbledhur rreth kësaj fryme të re nuk kishin asnjë lidhje me realizmin socialist.

Por sot, ndërsa po merr jetë klubi letrar i UET Press, ajo që kujtoj më së shumti nga kjo përvojë janë diskutimet për dorëshkrimet, për librat, për autorë, për tendenca, për fenomene që ushqejnë letërsinë. I bëjnë edhe tani në njëfarë mënyre, po jo si atëherë. Të shkuarën e vesh me ngjyra të bukura nostalgjia. Shumë gjëra vijnë dhe shkojnë me moshën e rinisë dhe me rrethanat e papërsëritshme që i lindin. Unë nuk e paraqes si model për t’u ndjekur mënyrën si e jetonim me njëri-tjetrin letërsinë dikur. Por një thelb mbetet dhe kjo është nevoja për të folur me njëri-tjetrin, për atë që shkruajmë. Koha ecën, mënyrat dhe format e komunikimit janë të tjera. Shqipëria ka sot disa klube letrare që kontribuojnë me pasion të madh për promovimin e autorëve dhe botimin e veprave të tyre.

Pasion, i cili duhet të mundë kurdoherë vështirësitë e mëdha me të cilat ndeshet jeta letrare në kohën tonë. Por duhet ta themi, se shkrimtarët janë në përgjithësi edhe më të vetmuar sesa ua kërkon fati, për të cilin flet Le Clezio. Ka pak diskutime për çështje të mirëfillta letrare, për temat dhe tendencat, për sfidat e krijimit në botën globale dhe dixhitale, etj., etj. Klubi letrar pranë UET Press mund të sjellë dhe me siguri do të sjellë dobi në këtë përpjekje. Ai ka avantazhin e të qenët një klub i hapur, ku pjesëmarrësit i bashkon ambicia për një letërsi cilësore dhe sa më komunikuese me miqtë e librit./Gazeta Liberale

(Visited 56 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *