Kryesore

Krijuesi më vete e me Klub

               Publikuar në : 10:52 - 05/08/19 LP

Loer Kume

Unë nuk besoj në klube. Në të njëjtën mënyrë si nuk besoj në parti politike dhe në bindje politike. Një njeri krijues nuk mundet kurrsesi të zgjohet në mëngjes e të dijë me saktësi që një ide fikse, ideologji, apo një rrymë e caktuar është ajo çka bën esencën e tij. Sepse të qenët artist është si të jesh shpella e erërave të Eolit, çdo erë hyn, del, lë gjurmë, luan rolin e saj për të ngritur vela për çdo drejtim të mundshëm, të jesh artist është të jesh i hapur ndaj njohjes dhe ndaj mundësive.

E të jesh artist është një akt vetmitar, një mbyllje në laboratorin krijues në studion e shkrimtarit, për të prodhuar sintezën e erërave të tij.
Por, historia e artit botëror ka treguar që shumë artistë, shkrimtarë, gazetarë, gjejnë rrugën për te njëri-tjetri e për te grupime të ndryshme, për të krijuar grupe, klube, me ide të ngjashme, ose qëllime të ngjashme, të cilat në kohën e duhur kanë funksionuar si “blitzkrieg” i veprave të mëdha, sidomos të letërsisë botërore.

Në një udhëtim në histori, kujtojmë Stoikët dhe më pas Shkollën e Sokratit, nga e cila dolën Platoni e Aristofani ndër të tjerë.

Kujtojmë origjinën e klubeve të intelektualëve, Klubin e Mëngjesit Filozofik, në Kembrixh, krijuar më 1812-n nga 4 burra, me profile të ndryshme, duke debatuar idenë që të krijojnë gjëra për të mirën e njerëzimit e jo për përfitime materiale, njëri nga të cilët krijoi makinën llogaritëse dhe idenë e parë të një kompjuteri, një tjetër krijoi hartën e yjeve, i treti frymëzoi Marksin, e i katërti shpiku anodën, katodën.

Vijmë më 1920-n me “Bloomsbury club”, një klub me shkrimtarë, piktorë, ekonomistë, nga ku spikatën dy emra të letërsisë botërore, Virginia Wolf, dhe E. M. Forster.
“The Algonquin roundtable”, një grup dramaturgësh, gazetarësh, njerëzish të letrave e arteve që mblidheshin për 10 vjet rresht çdo ditë për drekë bashkë, nga ku ushqehej dhe e famshmja “The New Yorker”, atëherë në fillimet e saj.

“The stratford on odeon”, një grup i krijuar nga Ernest Hemingway, James Joyce, F. Scott Fitzgerald dhe Gertrude Stein, Ezra Pound, kompozitori George Antheil, artisti Man Ray, në vitet 1920. “Statford on odeon” ishte pseudonimi që James Joyce i vendosi “Shakespeare and Co”, librarisë se Sylvia Beach, e cila botoi dhe Uliksin e Joyce.

Një tjetër grup letrarësh, “The Inkelings” endet në këto vite, në të cilin bënte pjesë Tolkien dhe C. S. Lewis, e ky grup shërbente për lexime të përbashkëta e shërbeu gjithashtu për të latuar veprën e famshme “The Lord of the Rings”.
Një tjetër grup i famshëm endet në vitet ‘60 në New York, “The Factory”, anëtarë të së cilit ishin Andy Warhol, Salvador Dali, Mick Jagger, Truman Capote, Allan Ginsberg, Eddie Sedgwick.
Dhe në Shqipëri grupet patriotike e rilindëse gjithmonë kanë funksionuar si klube intelektualësh e letrarësh, si “Drita”, “Bashkimi”, e me artikulimet e tyre në formë gazetash në shtypin e përditshëm e me rolin e padiskutueshëm në zhvillimin e shoqërisë shqiptare përmes shprehjes së të vërtetave të padiskutueshme e të pakompromis.

Shoqëritë letrare e artistike edhe sot janë të pranishme, sidomos në Tiranë, si “Epër7shme”, apo shoqëria sekrete virtuale “A Dangerous Method”, anëtarët e së cilës enden nëpër tërë trevat shqiptare, duke krijuar një arenë rrahjesh idesh, zhvillimesh mendimi e letërsie, poezie, fotografie e artesh.

Ndaj, duke parë tërë këtë rrugëtim historik, themelimi i klubeve të reja letrare në Shqipëri është një akt që sjell vetëm proliferizëm, e bën vetëm mirë në terrenin tonë të tharë e pa komunikim letrar, pa mbështetje për letërsinë e artet shqipe, një grup i tillë i ri e zgjeron më shumë rrjetin dhe ndikimin e letërsisë, kritikës dhe arteve në shoqërinë shqiptare, e cila, gjëja që ka më shumë nevojë është qasja ndaj artit, për t’u zbutur e kulturuar e bërë mirë./Gazeta Liberale

(Visited 74 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *