1

Kremtohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe

               Publikuar në : 17:10 - 18/12/21 ro ot

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe është kremtuar përmes një aktiviteti “Gjuha Arabe: një urë mes civilizimeve”, në hapësirat e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë me pjesëmarrjen e studiuesve dhe njohësve të mirë të kësaj kulture. Nën drejtimin e prof. asoc. dr. Adriatik Derjaj, shef i Departamentit të Gjuhëve Sllavo-Ballkanike, të pranishmit ndanë pikëpamje mbi rëndësinë e komunikimit mes gjuhëve. Dr. Jahja bin Xhuneid, studiues i Civilizimit Islam dhe Dorëshkrimeve, foli mbi përpjekjet e Qendrës për Kërkim dhe Nderkomunikim të Dijes, duke marrë Ballkanin si model. Dr. Hasan Al Na’m, profesor i Letërsisë Moderne në Universitetin e Mbretit Abdul Aziz, bëri një vëzhgim në brendësi të letërsisë saudite. Ai tha se duhen shfrytëzuar dorëshkrimet e shumta që gjenden në Bibliotekën Kombëtare mbi raportet historike me këtë gjuhë.. Isa Memishi, profesor i Gjuhës Arabe në Universitetin e Prishtinës, foli mbi Përkthimin e Letërsisë Arabe në Gjuhën Shqipe.Sipas tij ka një mungesë të përkthyesve dhe përkthimeve nga kjo gjuhë e rëndësishme e gadishullit arabik.

Aktiviteti u organizua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë Arabe në Shqipëri dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. “Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Arabe shënon një moment reflektimi në memorien kolektive të njerëzimit. Qytetërimi arab është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, një urë e rëndësishme kulturore që vendosi lidhjet mes trashëgimisë së botës antike me qytetërimin europian në shekujt XII – XIV. Dijetari i Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashëri, në veprën e tij “Qytetërimi Islam”, do të shprehej se, Europa u njoh me Platonin, Aristotelin, Ptolemeun, Euklidin, vetëm prej veprave të përkthyera nga gjuha arabe prej dijetarëve islamë. Është tashmë i njohur kontributi i qytetërimit arab në fusha të ndryshme të shkencës: në astronomi, matematikë, histori, gjeografi, në shkencat natyrore, mjekësi, filozofi, letërsi etj.”, tha drejtoresha e QKLL-së, znj. Alda Bardhyli. I pranishëm në aktivitet ishte dhe ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, Faisal Hifzi I cili foli mbi vlerat e përbashkëta të dy kulturave përmes gjuhës.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, me një vendim që mban numrin 3190, vendosi që gjuha arabe të përfshihet në listën e gjuhëve zyrtare të OKB-së.

Ky vendim u mor pas një propozimi nga Arabia Saudite, gjatë seancës së 190 të këshillit ekzekutiv në Unesco.

Viti 1988, vit kur shkrimtari egjiptian Nagib Mahfuz fitoi çmimin “Nobel” në letërsi, shënoi një pikë kthese në vlerësimin ndaj gjuhës dhe letërsisë arabe.

“Bota arabe gjithashtu fitoi ‘Nobelin’ me mua. Besoj se dyert ndërkombëtare janë hapur dhe që tash e tutje, njerëzit e shkolluar do të kenë parasysh edhe letërsinë arabe. Ne e meritojmë këtë njohje” do të shprehej ai gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit “Nobel” më 1988-n.

“Kjo ditë duhet të shërbejë pikërisht edhe si një ditë sensibilizimi mbi mënyrat sesi kulturat tona duhet të gjejnë urat e bashkëpunimit që letërsia e botës arabe të gjejë lexuesin shqiptar dhe anasjelltas. Jam e bindur se të dy kulturat tona kanë se çfarë i ofrojnë njëra-tjetrës aq më tepër që magjia e përkthimit do të bëjë të mundur leximin e kodeve shpirtërore të dy botëve tona”, tha Bardhyli.

Studiuesi nga Kosova Ramiz Zekaj tha se gjuha arabe ka qënë një shtyllë e rëndësishme për popujt e ballkanit dhe se duhet bërë më shumë për praninë e kësaj kulture në hapësirën shqiptare.


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back