Editorial

Kotësia e ndalimit të grumbullimeve politike

Shkruar nga Liberale
Kotësia e ndalimit të grumbullimeve politike

Klementin Mile

Paralajmërimi i kryeministrit për të mos lejuar më “asnjë lloj grumbullimi, qoftë edhe politik”, është një masë që synon të marrë legjitimitet prej kontekstit të numrit të rritur të të infektuarve me koronavirus. Se sa kjo masë shërben vërtet për të ndalur përhapjen e mëtejshme të virusit në popullsi, është një gjë që mund ta vlerësojnë specialistët dhe që do ta dëshmojë e ardhmja.

Megjithatë, përpos interpretimit në funksion të shëndetit publik, kjo masë mund të vlerësohet edhe politikisht. Jo thjesht në kuadër të kufizimit të të drejtave individuale, civile dhe politike të qytetarëve, por mbi të gjitha si pjesë e një strategjie politike që synon mbajtjen e pushtetit përmes ndalimit të zërit protestues.

Në qoftë kështu, kjo strategji politike është e kotë, pa asnjë rezultat pozitiv për qeverinë. Kjo sepse ajo mbështetet te një iluzion i mirënjohur në filozofi, i cili nuk është iluzion vetëm për idealistët subjektivë. Kështu, filozofët pyesin: nëse një pemë rrëzohet në pyll dhe aty nuk është askush për ta dëgjuar, a bën zhurmë pema kur bie? Për idealistët subjektivë pema nuk bën zhurmë, pasi zhurmën duhet ta perceptojë dikush, duhet ta dëgjojë ndonjë vesh njerëzor, që të ndodhë. Këtë implikim mbart edhe paralajmërimi i kryeministrit për të mos lejuar më asnjë lloj grumbullimi – për sa kohë grumbullime nuk ka, nuk ka as zhurmë, nuk ka as protestë dhe nuk ka as dëm politik prej protestës.

Por ky interpretim idealisto-subjektiv e keqkupton protestën. Protesta, në thelbin e vet, është indinjatë që buron spontanisht, është fenomen i ushqehet nga sfera emocionale e njeriut, jo nga organizimi dhe grumbullimi i njerëzve në një shesh. Grumbullimi në hapësirë i njerëzve të indinjuar është dytësor, parësore është indinjata, e cila, e vetme, garanton cilësinë e protestës.

Në këtë mënyrë, duke i ndaluar grumbullimet, kryeministri nuk arrin t’i ndalojë edhe protestat. Ajo do të vazhdojnë të ekzistojnë në formën e indinjatës së ndier spontanisht, e cila është në kërkim të një hapësire publike për t’u shprehur. Mosvënia në dispozicion e kësaj hapësire publike ndalon vetëm manifestimin e protestës nëpër televizione e gazeta. Ky ndalim mban në këmbë iluzionin filozofik se duke mos patur dëshmitarë pema që rrëzohet nuk do të bëjë zhurmë; sikurse mban në këmbë iluzionin politik se protesta, duke mos ia lejuar grumbullimin, nuk do të arrijë të ngjizet.

Realistët në filozofi dhe realistët në politikë nuk i besojnë shumë perceptimit subjektiv dhe manipulimeve konstruktiviste. Realiteti është objektiv dhe, pavarësisht nëse vëzhgohet apo jo, do t’i japë efektet e tij. Indinjata e qytetarëve ndaj qeverisë, nëse gjendet e përhapur në një numër të madh individësh, është tanimë një protestë e heshtur me efekte reale. Ajo, pavarësisht nëse e gjen apo jo tani hapësirën publike mediatike, do ta prodhojë efektin e vet pak më vonë në një hapësirë publike vendimtare: te kutia e votimit. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH