Aktualitet

Kosovo Theatre Showcase, 2020

Shkruar nga Liberale
Kosovo Theatre Showcase, 2020

Josif Papagjoni         

Kosovo Theatre Showcase është një panair shfaqjesh dhe idesh, e organizuar nga “Qendra Multimedia” për zhvillimet e fundme teatrore në Kosovë në kohë pandemie, si një sfidë artistësh për të mbajtur çelur portat e komunikimit shpirtëror me publikun dhe parfumin e të bukurës. Është një forum i kudogjendur nëpër vende të ndryshme të Evropës, ku ofrohen mirëfilli përvojat teatrore të një vendi, ftohen artistë e njerëz të ditur të teatrit që të diskutojnë mbi to, të paraqesin alternativa, rrugëzgjidhje, risi, ku shkëmbehen rrjedhimisht përvoja dhe krijohen mundësi njohjesh e këmbimesh të projekteve teatrore nga njëri vend te tjetri. Në Shqipëri nuk e kemi një përvojë të tillë si në Kosovë, andaj dhe është mëse e dobishme që një format i tillë teatror, i iniciuar nga ndokush me emër dhe me energji në laminë e teatrit dhe të dramës, të mund të frymonte edhe në Tiranë ose në ndonjë qytet tjetër të vendit.

Ishin 13 shfaqje të natyrave të ndryshme, që nga monodramat, dramat e plota, shfaqjet e gërshetuara mes performimit dhe publikut në mjediset e hapura urbane, dancteatër, performime të tipologjive të teatrit ambiental, audio-video shfaqje, screening. Në këto shfaqje publiku ndjen pulsin e ndryshimit, ndjen se si gjuha e teatrit dhe kodet e tij sofistikohen, se si refuzohen klishetë dhe si artistët rreken drejt risive, një dinamizmi që duket se vetë ritmi i shoqërisë së sotme e imponon. Ndonëse publiku vjen me maska, ngjan disi i çuditshëm, ai nuk ka qejf t’i largohet “salcrave” estetike shpirtërore që i japin kënaqësi të thella të artit, fatkeqësisht të munguara në këto kohë sa të frikshme, aq dhe të habitshme.

Në këtë edicion mori pjesë dhe një shfaqje teatrore e ftuar, e ardhur nga Sebia, “Balava”, tekst i Dunja Matic, regjisor Andrej Nosov. Sillte raportet e vështira në familje midis prindërve dhe fëmijëve, më ngushtë nënave dhe bijave, ku kundërshtitë, refuzimet dhe kufizimet qenë të ndërsjella ndaj njëra-tjetrës. Të dyja palët qenë njëherësh të fajshëm dhe të pafajshëm, paçka se më shumë qe i dukshëm autoritarizmi dhe pedantizmi i nënave, tabutë e ngrira dhe tutela kufizuese, një konflikt reciprok brezash të vjetër e të rinj, kur koha sakaq ecën, ndryshon dhe ajo që dikur çmohej e “shenjtë”, e “virtutshme” tashmë ka mbetur pas, shpesh duket cinike. Mes personazheve u dhanë marrëdhëniet komplekse mes dashurisë dhe zemërimit, simpatisë dhe përbuzjes, afrimit dhe largimit, solidaritetit dhe vetmisë. Ky tekst së largu të kujtonte dramat e Lorkës, ndonjëherë edhe McDonagh. Shfaqja ndiqte parimin e “teatrit minimalist”, me pak lëvizje dhe një mizanskenë të zvogëluar, thuajse statike, me një lojë aktoriale të thjeshtë, nganjëherë e thjeshtëzuar. Ajo që më bëri përshtypje qe passhfaqja, diskutimi që u bë, posaçërisht fjala e aktores së shquar të teatrit të Beogradit, Miriana Karanoviç. Ishte një artiste me formim kulturor të plotë, imponuese, gati një estete e teatrit. Ajo ngriti disa çështje të mprehta të kuptimit të teatrit dhe rrjedhave të sotme të tij. Evidentoi problemin e karakterit të teatrit bashkëkohor duke ngulur këmbë që ai t’i ikte “madhështisë së rreme” dhe konvencioneve të shumta mbytëse, misionit të shprehur politik dhe ndikimit mbi turma, të ishte më i thjeshtë, më i besueshëm, më bindës, më intim, si të thuash një “teatër i vogël” por tejet ndikues, brenda përjetimit dhe anës psikologjike të spektatorëve. Të ishte një teatër që ndërtonte marrëdhënie të drejtpërdrejta me publikun e tij, pa e dhunuar atë me madhështi dhe instrumentalizime politike, përtej konvencioneve agresive, miteve e magjive, pra i largët. Përkundrazi, të kërkonte te e thjeshta të vërtetën e jetës dhe vetë njeriut.

Drama e njohur e Brehtit “Arturo Ui” ishte vënë në skenë nga i ndjeri Bekim Lumi, regjisori fort i talentuar, nga të paktët regjisorë që numërohen me gishta. Gjej rast të shpreh dhimbjen time për ikjen para kohe të tij. Qysh student ai spikati për integritetin e tij kulturor, talentin dhe kërkesat e larta, çka e shprehu në veprat që la pas. Sjellja e një tufe gangsterësh politikë që rrëmbejnë pushtetin legjitim me dhunë, provokimet e kërcënimet duke u shndërruar në tmerrin e botës, siç ndodhi me klikën naziste hitleriane në Gjermani, ishte një ide që arriti të shprehej në këtë shfaqje gjithandej: në mënyrën e lojës së aktorëve përplot tensione, në mizanskenën e saj, e cila në disa momente u shoqërua me gjetje të bukura alegorike (WC-të si poltrona ku uleshin kastat drejtuese të vendit, vaskat si arkivole ku vriteshin kundërshtarët politikë, e qeshura e fundit e Arturo Uisë nën një histeri kërcënuese). Por do të doja që drama e Brehtit të mos i bishtnonte karakterit të saj të thukët e të drejtëpërdrejtë politik, sepse pata përshtypjen që spikama ideore mbetej veçse mbi disa gangsterë të rëndomtë me revole, me uniformat kaki dhe xhaketat e hapura që u zbulonin gjokset, duke e fashitur më kryesoren, lidershpin politik nazist, çka e mpakte dhe e zvogëlonte përmasën e idesë së dramës. Të qenit “gangster” është thjesht alegoria që kasta politike nazifashiste përfaqsonte. Por krejt drama dhe dialogët e saj janë pikërisht historia e përgjakshme e karrierës së Adolf Hitlerit, që e çoi botën në plojën e saj më katastrofale. Mbajtja në këmbë e gjithë mizanskenës me lëvizje e rrotullime të shumta krijonte monotoni. Dhe më kryesorja, aktrimi nuk mbërriti dot në përfaqësimin që këta personazhe kishin si të tillët.

Shfaqja e dancteatrit “Let’s go” e Gjergj Prevazit, paçka se e shkurtër, si një duo me dy balerinë, në stilin ekspresiv të koreografit të mirënjohur, përpos shkathtësisë plastike dhe lëvizjeve të përpunuara të trupit, unë dekodova aty edhe një ide, që m’u duk se e përshkonte mendimin koreografik. Në fillim dy balerinët mbanin një top linoleumi, që u rëndonte mbi supe. Ndofta ishte barra e jetës, ai guri i famshëm e i mundimshëm i Sizifit, apo stërpesha e botës që Atlasi mbante mbi shpinë. Jeta si mundim. Por ajo mund të ishte edhe një gravitet shtypës për secilin, problemet dhe hallet njerëzore, përgjegjësitë, andaj ata kërkonin t’ia linin njëri-tjetrit atë barrë. Nëse ky asociacion ishte disi më efemer dhe i pakapshëm, topi i linoleumit që hapej dhe shndërrohej në rrugë ishte më i dekodueshëm. Është rruga e jetës, shpesh e mundimshme, ku fatet përplasen diku korridoreve të emigrimit, ecejaken midis njëri-tjetrit dhe kalimi nëpër të është torturues, zhgërryes, në kërkim të një daljeje. Mjaft i zhdërvjelltë plastikisht ishte Fjorald Doçi, me lëvizjet e prera e të vështira, që plotësoheshin nga dinamika trupore e Robert Nuhës. Ato m’u duken taman si një stërmundim, si të qenë dy insekte të gjendura ngushtë, dy milingona në kërkim të udhës, të një daljeje të mbyllur. Më pëlqeu fort trajtimi muzikor modern, ritëm dhe tinguj që kërkonin lëvizje të vrullshme, të prera dhe që krijonin një gjendje ankthi e nën trysni...

“Kthimi i Karl Mayt” ishte një tekst shpotitës, sarkastik dhe me mbivendosje parodike e groteske, i Jeton Nezirajt, inskenuar nga Blerta Neziraj, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Nuk qe një dramë klasike, por një amalgamë veprimesh dhe episodesh ku gërshetoheshin disa elemente, gjer te parodia, kënga. Disa herë qesha me veprimin aktoresk dhe atë çfarë ngjante aty. E trajtuar si një aventurë udhëtimi të një grupi artistësh kosovarë për në Gjermani, me një dialog të shpenguar shpesh të shoqëruar me batuta e sharje me ngarkesë banale, shfaqja kishte një damar të fortë sarkastik ndaj paragjykimeve që vihen re në qëndrimet e shteteve evropiane perëndimore ndaj Lindjes në përgjithësi dhe Ballkanit në veçanti, e konkretizuar me tutje me Kosovën dhe raportet e saj kontraverse me Evropën. Ajo godiste atë ideologji që ushqente diskriminimin dhe racizmin, që merrte në mbrojtje njerëz të cilët kishin filtruar apo shpalleshin si apologjetë të regjimeve kriminale, siç ishte rasti i shkrimtarit austriak Piter Hanke, laureat i çmimit Nobel, i cili lavdëronte Milosheviçin dhe që nuk e njihte genocidin e ushtruar prej tij në Kosovë. Zëmërimi, qejfmbetja, kritika, gjer dhe sarkazma e hidhur ndaj pedantizmit të vendeve evropiane bëhen nga pozitat e domosdosë historike për pranim, për njohje e bashkëpunim, për respekt reciprok, duke tejkaluar paragjykimet dhe paranojat historike. Por kisha dëshirë që krahas kësaj, sensi autokritik ndaj mangësive tona të ishte edhe më i thukët, siç u bë disa herë, sidomos me imazhet e një Shqipërie anakronike, anadollake, çka mund të vijohej diç më shumë edhe me deformimet e sotme, jo thjesht politike por edhe më gjerë, të cilat rëndom kthehen në argumente nga disa vende evropiane për refuzimin e vizave etj. Shfaqja kishte shumë energji, një aktrim dinamik me ravijëzime karakteresh komike, siç qenë Ardian Morina, Armand Smajli, Ylber Bardhi, Arta Muçaj, Shpëtim Selmani; po kështu një trajtim plastik të shkathët të roleve, gjeste e sjellje që shkaktonin të qeshura, grotesk, sikurse një tufë habish, paradoksesh dhe replikash humoristike, diku edhe pak bufonadë, pak burleskë etj.

Shfaqja që më mbresoi më shumë ishte, padyshim, “Katër stinët e Armikut të Popullit”, e shkruar nga Jeton Neziraj dhe e vënë në skenë me gjetje domethënëse nga Blerta Neziraj. Pse më mbresoi? Sepse ishte diç e ashpër, vërtet dramatike e tragjike, pa lajle-lule, pa qerthuj artificialë kinse “psikologjik” që rrëmojnë në traumat e fsheta të njeriut; nuk i binte rrotull e rrotull, por drejt e në zemër të temës: blerjes së pushtetit nga mafia e ndërtimeve, betonizimit të qyteteve tona, shkatërrimin e mjedisit, blerimit. Ky është një fenomen që Prishtina e Tirana e kanë ndjerë mbi shpinat e tyre me kafshimet e skrepave dhe gëlltitjet e hapësirave jetike urbane, duke i kthyer ato në geto moderne qiellgërvishtësish me prepotencën dhe idiotësinë e tyre. Unë besoj se teatri do mbetet një tribunë socialpolitike ku hidhen ide me ndjeshmëri të fortë, gjer dhe rebele, sfidante ndaj çdo lloj pushteti abuziv. Teatri nuk duhet katandisur në ndoca performanca me zhbirilime pafund në shpirtrat e deformuar dhe agnostik, ku nuk kuptohet ç’thuhet dhe që kanë pak impakt me hallet e publikut shqiptar. Drama ndiqte modelin postmodernist të risemantizimit duke u cytur nga vepra e njohur “Armiku i Popullit” e Ibsenit, që sillte përmes doktor Shtokmanit paradigmën niçeane të individit të fuqishëm, të lirë, të pathyeshëm, si kusht për katarsis politik. Ani pse autori, ndryshe nga Ibseni, e vret heroin e tij (e vret mafia e ndërtimit, që ka blerë pushtetin politik, sindikatat, mediet), zemërimi ndaj krimit ka shkuar tashmë tek zemrat e publikut, ndërsa në finale, si pjesë e pacipë e pushtetit dhe shoqërisë së molepsur, ky njeri i ndershëm, i vrarë skutave, “vlerësohet” pas vdekjes, madje në “nder” të tij i jepet edhe emri një rruge. Çfarë poshtërsie, çfarë cinizmi!...

Po ky çift artistësh Jeton dhe Blerta Neziraj sollën po aq një tekst e shfaqje të guximshme e sfidante, “A.Y.L.A.N.”, ku tanimë trajtohet problemi i racizmit, solidaritetit njerëzor me shoqëritë në nevojë e situata lufte, rikonceptimi i religjionit, ku idetë afishohen si tekste të hapura, jo një herë me tone retorike të një “teatri provokues”. Kjo shfaqje pati një mizanskenim interesant duke i futur aktorët mes sallës bosh të spektatorëve, si për të evidentuar mungesën e reagimit publik, shurdhërinë që shpesh kaplon ndërgjegjen botërore. Ndryshe nga këto tri drama të fundit, me dramën “Natën, ma!” ne cekëm një tekst brilant, në dukje me një dialog të rëndomtë, pa fjalë të “zgjedhura”, “poetike” a “metafora” tronditëse gjatë ligjërimit, por që të gjitha këto, krejt ashti i ligjërimit, pak nga pak, ashtu si në një seancë hipnotike na çonte drejt një humbelle shpirtërore ku dëshpërimi dhe zhgënjimi nga jeta, më shumë nga fati, ishte i pacak, tmerrues, mallëngjyes. Një grua e martuar, me fëmijë, e divorcuar, epileptike, ka vendosur të vrasë veten dhe kërkon ta bëjë këtë përballë të ëmës. Kjo situatë e mbajtur ndezur nga regjisorja Ema Andrea, erdhi përmes një loje të brendësuar nga Ilire Vinca (nëna) dhe natyrale nga Jonida Beqo (bija), ku përjashtoheshin klithmat e jashtme dhe çdo spekulim aktorial me shitjen e një “dramaciteti” të jashtëm. Ishte një tekst vërtet i bukur, që më çonte s’di pse në “kullotat” e Dostojovskit, ku fjala ka njëmijë e një dyer si labirintet egjiptiane dhe ku fataliteti është përtej një pikëllimi të “ëmbël”, është vetë dhimbja. Veç rri disa minuta në çaste meditimi pas shfaqjes dhe përjeto thellësinë, ferrin e një shpirti të pambrojtur, të brishtë e të pafajshëm.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH