Tensionet po rriten në veri të Kosovës. Mediat italiane kanë pasqyruar gjerësisht zhvillimet e fundit ndërsa dhjetëra serbë u përleshën me ushtrinë e KFOR-it, forcën paqeruajtëse të NATO-s , ndërsa ata u përpoqën të merrnin kontrollin e zyrave të njërës prej komunave ku kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën javën e kaluar, me ndihmën e autoriteteve.
Ngjarja ka ndodhur në Zveçan, 45 kilometra në veri të Prishtinës, ku serbët janë përleshur me policinë e Kosovës.
Më pas ushtarët e KFOR-it kërkuan nga demonstruesit që t’u hapin rrugën dy veturave të forcave speciale të policisë së Kosovës. Përballë refuzimit të tyre, ushtria përdori gaz lotsjellës dhe granata trullosëse për të mbrojtur oficerët kosovarë në automjete dhe për të shpërndarë protestuesit, sipas mediave lokale. Serbët u kundërpërgjigjën duke gjuajtur me gurë dhe duke i vënë flakën një veture.
U plagosën 41 ushtarë të KFOR-it, mes të cilëve 11 italianë. Nga 11 italianët e plagosur, tre janë të rëndë, por jo në rrezik për jetën. Ata kanë pësuar djegie dhe fraktura. Këtë e mëson ANSA nga burime zyrtare.
“Dua të shpreh solidaritetin me ushtarakët e misionit të KFOR-it, të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve mes demonstruesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Ushtarët italianë vazhdojnë të angazhohen për paqen”. Kështu shkruan në Twitter ministri i Jashtëm Antonio Tajani.
/Liberale.al/