
Kryesore
Kosova, vendi i parë në Ballkan që s’ka marrë asnjë dozë vaksine

Angazhime por asnjë datë konkrete për mbërritjen në Kosovë të ndonjërës nga llojet e vaksinës anti-covid. Kaq mundi të thotë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, edhe pse para zgjedhjeve deklaronte se vaksina do të ishte në muajin shkurt në Kosovë
“Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës COVID-19 në sasi të mjaftueshme për 75 përqind të popullatës sonë”, tha Armend Zemaj, ministër në detyrë i Shëndetësisë,
Këtë deklaratë Zemaj e bëri pas mbledhjes së Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të situatës me Covid-19, ku sipas tij, situata me pandeminë në Kosovë është nën kontroll dhe nuk ka tendenca për ndonjë alarm. Por në Klinikën infektive, situata duket ndryshe. Ajo është e mbushur me pacientë ku 70% e tyre kanë nevojë për oksigjen.
“Faktikisht ne i kemi kapacitetet e mbushura me pacientë me COVID, i kemi 90 pacientë, por është e mbushur për arsye se në një repart është duke u bërë vendosja e oksigjenit qendror që do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ndërsa, repartet e tjera që janë në dispozicion 90 shtretër të gjithë i kemi të mbushur me pacientë prej të cilëve 60 deri 70 për qind e tyre janë me oksigjenoterapi”, tha Izet Sadiku, infektolog në Klinikën Infektive.
Megjithatë, zyrtarët e Komitetit anti-covid, po ashtu edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, deklarojnë se ka rënie të numrit të rasteve pozitive. Ai foli më shumë për strategjinë e vaksinimit edhe pse vaksinat ende nuk kanë ardhur.
“Ne jemi gati dhe po presim kontingjentin e parë të vaksinave të Oxfordit. Sigurimi i vaksinës pra është projektuar në strategji dhe pritet vetëm të realizohet, ekipet janë gati dhe kapacitetet pritëse janë gjithashtu gati”, tha Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së.
Aktualisht, në të gjitha spitalet anti-covid në Kosovë, ka të shtrirë 526 pacientë, prej tyre 370 janë me oksigjeno-terapi të vazhdueshme, ndërkohë që 21 nga ta janë në gjendje të rëndë, 7 prej tyre janë në respirator dhe gjendja e tyre vlerësohet shumë kritike. Megjithatë, në një kabllogram të Ambasadës Amerikane të publikuar së fundi, shteti amerikan e sheh Kosovën si të rrënuar nga Covid-19.