Kryesore

Kosova duhet të kalojë nga romanticizmi patriotik në diplomaci

               Publikuar në : 09:20 - 01/07/20 Ervis Iljazaj

Ervis Iljazaj

Aktakuzat ndaj Presedenit Hashim Thaci, pikërish kur ishte nisur drejt Shtëpisë së Bardhë për të filluar një rrugë bisedimesh e cila me shumë gjasa do të conte në një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, tregon qartë se klasa politike kosovare, por edhe ajo shqiptare, është shumë hapa mbrapa në diplomacinë ndërkombëtare.

Ka ardhur koha që, klasa politike e Kosovës të ngjitet në një nivel tjetër të politikës së saj. Të hyjë plotësisht në marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci. E cila, për patriotizmin nuk do të dijë. Sepse, diplomacia funksion tërësisht me logjikë të ftohtë, dhe jo me emocionet që të mbërthen ndjenja patriotike, aq më tepër kur artikulohet në një mënyrë romantike, ashtu sikurse ndodh shpesh, në Kosovë dhe Shqipëri, për sa i përket çështjes së Kosovës.

Me këtë gjë, nuk nënkuptohet aspak që Kosova të lërë mënjanë interesat e saj dhe atdhedashurinë. Por, përkundrazi, interesat dhe perspektivën e saj ta mbrojë me mprehtësinë dhe inteligjencën që kërkon diplomacia.

Në këtë kuptim, artikulimi politik, sidomos për sa i përket marrëdhënies me Serbinë, i bazuar vetëm te patriotizmi dhe jo te një gjuhë diplomatike, nuk e çon Kosovën asgjëkundi.

Sepse, njohja e Kosovës nga Serbia, është padyshim më e rëndësishme se sa njohjet që mund t’i vijnë nga shumë shtete të ndryshme. Shtete të cilat, shumë prej nesh nuk i dinë as emrin.

Prandaj, duhet një bisedim midis Kosovës dhe Serbisë pa paragjykime. Duke lënë pas të gjitha tabutë historike dhe duke u fokusuar tek e ardhmja ndërkombëtare e saj.

Më këtë nuk dua të them se, propozimi i Hashim Thaçit për marrëveshjen është i saktë apo jo. Edhe për faktin se, nuk ka të dhëna mjaftueshëm për këtë marrëveshje, me anë të të cilave mund të japësh një mendim përfundimtar.

Përtej këtij rasti, ajo që është e rëndësishme për Kosovën, është braktisja e një mendësie patriotike romantike, dhe futja në një logjikë diplomatike, që nuk nënkupton aspak lëshime territoresh apo nënshtrim ndaj Serbisë. Por, një logjikë tjetër që shikon përtej emocioneve që më të drejtë kaplojnë shpeshherë qytetarët dhe politikën e Kosovës.

Kosova tashmë ka një status tjetër, dhe nuk është në një moment ku emocionet të mbizotërojnë mbi logjikën. Tashmë si një shtet autonom dhe i pavarur, duhet të futet në botën e diplomacisë, e cila, është e vështirë dhe kërkon strategji të mirëmenduara.

Për të gjitha këto arsye, ka ardhur koha që, Kosova të ndërtojë politikën e saj diplomatike, duke u ngritur në një stad tjetër të filozofisë së saj qeverisëse, larg çdo tentacioni emocional, që dëmton perspektivën e saj perëndimore.

Sa më shumë kalon koha, aq më në disfavor të cështjes së Kosovës është. Kosova duhet sa më shpejt të jetë e mundur të arrijë një marrëveshje me Serbinë. Fati i Kosovës nuk duhet lënë në dorë të konjukturës ndërkombëtare, e cila pas disa vitesh nodoshta është jo në favor të saj. Cfarë ndosh përshembull nëse pas disa vitesh Kina bëhet superfuqia botërore?!

Deri më tani Kosova ka patur një siguri për shtet formimin e saj nga Shtetet e Bashkuara, e cila sot ndikon gjeopolitikën botërore. Mirëpo, kjo gjeopolikë nuk është cudi të ndryshojë pas disa vitesh.

Në këtë kuptim, Kosova duhet sa më shpejt të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, gjë e cila siguron pavarësinë e saj të përjetshme, dhe siguron të ardhmen e sigurtë të qytetarëve të saj. /Gazeta Liberale

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back