Globi

Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë 11 marrëveshje

Shkruar nga Liberale
Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë 11 marrëveshje

11 marrëveshje janë miratuar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të mbajtur në Shkup.

Infrastruktura, ekonomia, turizmi, inovacioni, kultura dhe diaspora ishin temat kryesore të marrëveshjeve mes dy vendeve. Projekti madhor që po inicohet është rruga Tetovë-Prizren.

Tema që ngjalli interes edhe për gazetarët ishte nisma “Open Balkan”. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se vendi që ai drejton është i orinetuar drejt perëndimit. Por shtoi se ky fakt nuk e zbeh bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut

“Jemi të orientuar kah e ardhmja e për neve e ardhmja është Bashkimi Evropian, pra BE është fati ynë, ndërsa Evropa është kontinenti ynë, andaj edhe si Republikë e Kosovës ne mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi Bashkimin Evropian e të cilat janë nga BE. Nga marrëveshjet që i kemi nënshkruar asnjëra prej tyre nuk do të mund të cenohet në zbatim pavarësisht ndonjë dallimi që mund ta kemi”, tha kryeministri Kurti.

Edhe për Zoran Zaev qëndrimet e ndryshme nuk ndikojnë në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Lidhur me çështjen Ballkani i Hapur, ne si kryeministra kemi mendime të ndryshme, por kjo nuk është pengesë që të bashkëpunojmë në mënyrë të shkëlqyeshme. Për mua vërtetë është historike kjo mbledhje e parë mes dy qeverive. Unë vetëm do të them se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i ndërton qëndrimet e veta, ne i respektojmë ato”, tha ai.

Dy kryeministrat në takimin bilateral që i parapriu mbledhjes mes dy qeverive kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar.

Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë realizuar shkëmbim tregtar në vlerë prej 305 milionë dollarësh vitin e kaluar, ndërsa për këtë vit është projektuar shifër mbi 400 milionë dollarësh.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH