Koment

Kosova dhe loja e gabuar në fushën e sigurisë

               Publikuar në : 09:45 - 24/02/20 Blendi Lami

Blendi Lami  

Përcaktimi i një shteti të vogël ka rëndësi për identifikimin e sfidave kryesore të tij kryesisht në politikën e jashtme. Një nga përkufizimet që janë dhënë historikisht, është se një shtet i vogël nuk mund të jetë fuqi e madhe dhe, për pasojë, është aq i dobët sa nuk sjell asnjë ndryshim në rendin ndërkombëtar. Kjo dobësi ka të bëjë kryesisht me madhësinë e territorit, popullatën, ekonominë dhe kapacitetin e limituar ushtarak. Autori Baldur Thorhallsson, në librin e tij “Shtetet e vogla dhe teoria e strehimit”, thekson se “një shtet i vogël nuk është në gjendje që në shkallë globale apo rajonale të ushtrojë vullnetin e tij politik ose të mbrojë interesat e tij kombëtare, duke ushtruar influencë”. Në këtë mënyrë, shtete të tilla kërkojnë “strehim”, duke pranuar marrëdhënie me vende më të mëdha, me qëllim që të marrin përfitime nga mbrojtja prej tyre. Me fjalë të tjera, një shet i tillë nuk është në gjendje të mbrojë interesat e tij kombëtare nëpërmjet mjeteve politike dhe ushtarake që zotëron.

Nga kjo optikë duhet parë edhe mënyra se si po sillet Kosova në raport me një fuqi botërore si Shtetet e Bashkuara, garantuese e stabilitetit dhe sovranitetit të saj, teksa sfidon hapur përfaqësuesit amerikanë që kanë për detyrë aktivizimin e mekanizmave për zhvillimin e vetë Kosovës. Nga kjo optikë duhet parë edhe sjellja e Kosovës me Bashkimin Evropian, që ka për mision – ndër të tjera – integrimin e Kosovës në strukturat evropiane, dhe sfida ndaj BE është një akt kamikaz ndaj vetë Kosovës. Nga kjo optikë duhet parë edhe sjellja e Kosovës me NATO-n, teksa Jens Stoltenberg deklaron se Aleanca e mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe se të gjitha përpjekjet e të dy palëve duhet të fokusohen në reduktimin e tensioneve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Në këto kushte, Kosova duket se nuk i përmbahet përkufizimit të mësipërm.  Në nivel rajonal, duket tenton t’i imponohet Serbisë në lidhje me taksën në kufi. Në rang më të gjerë, po shpërfill SHBA dhe BE. A po arrin të imponohet jo vetëm në rajon, por edhe në botë?

E ka të pamundur. Përveçse është shtet i vogël me aftësi të mangëta mbrojtëse, është gjithashtu shtet i dështuar. Që një shtet të imponohet në arenën ndërkombëtare, duhet të ketë kapacitete që krijojnë pozita strategjike dhe avantazhuese në raport me aktorët e tjerë. Një gjë e tillë nuk mund të arrihet në një shtet pa kapacitete dhe, për më tepër, i dështuar – sipas terminologjisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. Dështimi i një shteti e ka burimin – pikësëpari – tek stabiliteti brenda tij.

Sipas studiuesit Ian Bremer, stabiliteti karakterizohet nga dy komponentë thelbësorë: aftësia e shtetit për t’u bërë ballë krizave dhe aftësia e shtetit për të shmangur krijimin e krizave. Një vend është i paqëndrueshëm, nëse të dy këta komponentë nuk funksionojnë. Një vend si Kosova krijon shumë kriza që nuk është në gjendje t’i menaxhojë. Stabiliteti është aftësia për të neutralizuar goditje të tilla, dhe e fortifikon një vend, në mënyrë që të përballojë turbullira politike, ekonomike dhe sociale. Një vend me stabilitet të lartë ka institucione shtetërore të konsoliduara. Në një shtet të tillë, tensionet sociale janë të menaxhueshme: instrumentet e sigurisë funksionojnë brenda parametrave të përcaktuar qartësisht dhe krijojnë kosto që janë të parashikuara. Në rastin e Kosovës, një shtet pa stabilitet është një shtet i dështuar, pasi as nuk mund të zbatojë dhe as nuk mund të imponojë politika qeveritare. Një vend i tillë nuk ka kontroll mbi territorin e vet, mund të ndikohet apo administrohet nga forca të jashtme, ose mund të zhytet në kaos.

Në këtë mënyrë, sfida e Kosovës nuk duhet të jetë se si të sfidojë aleatët që e mbajnë artificialisht në këmbë, por si të kuptojë sfidat që mbart një shteti i vogël dhe i dështuar. Në këtë plan, për Kosovën diskutohet ekzistenca. Që ta ruajë këtë ekzistencë, Kosova duhet – së pari – të kuptojë thellësisht strategjitë e fuqive të mëdha të politikës së jashtme të vendeve që e mbështesin. Së dyti, duhet të përditësojë sfidat e saj të sigurisë që nuk mund t’i kontrollojë – mbrojtja e territorit, terrorizmi, katastrofat mjedisore, kërcënimet hibride etj – me fuqitë e mëdha që e mbështesin. Së treti, në pamundësi të kapaciteteve për t’u përballur me këto sfida, për marrëveshjet që bën, duhet të konsultohet me fuqinë e mëdha që e mbështesin.

Sipas  Laurent Goetschel, në librin “Interesat e politikës së jashtme dhe sigurisë së shteteve të vogla në Evropën e sotme”, dilema e sigurisë konsiston në dy elemente: influencë dhe autonomi. Kosova po përpiqet me anë të taksës kundër Serbisë të rrisë influencën dhe të ruajë autonominë. Në rrethana të një shteti me mbështetje, kjo do të ishte një manovër e spikatur, pasi Serbisë do t’i kërkohej reciprocitet. Por shtetet e vogla mund t’i arrijnë këto objektiva, kur janë në “karantina anti-grip”.

Për të kuptuar këtë, na vjen në ndihmë strategjia e “strehimit”. Mbrojtës të kësaj teorie, argumentojë se “shtetet e vogla kërkojnë të zvogëlojnë dobësitë e tyre sociale, ekonomike ose politike, duke u përafruar me fuqi të mëdha ose duke u bashkuar me organizatat ndërkombëtare”. Në këtë kuadër, kjo teori i konsideron shtetet e vogla pa peshë në sistemin ndërkombëtar, dhe thekson se shtetet e vogla kanë nevojë për “strehim” politik, ekonomik dhe social, duke qenë se janë vulnerabël ndaj faktorëve të jashtëm si tregjet e huaja, tregtia apo ndryshimet politike.

Nga ky prizëm, një shtet si Kosova nuk mund ta bazojë marrëdhënien e vet me SHBA, BE dhe NATO në terma të influencës, autonomisë apo sfidës. Duke marrë në konsideratë pozicionin që ka, nuk e ka luksin të sfidojë. Strategjia e strehimit demonstron se shtetet e vogla kanë nevojë për mbështetje në shumë dimensione: jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në sfera të tjera që ndërlidhen me vendimin e një shteti për të ndjekur një politikë të jashtme të caktuar. Vetëm në rast të një sinkronizimi i tillë i brendshëm, të gërshetuar me “bekim” nga jashtë, Kosova del nga “karantina” dhe merr vendime të pavarura në politikën e jashtme. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back