Aktualitet

Korrupsion e pastrim parash, Lefter Koka mohon akuzat

Shkruar nga Liberale
Korrupsion e pastrim parash, Lefter Koka mohon akuzat

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë. Mbi të rëndojnë tri akuza, e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave lidhur me çështjen e inceneratorëve.

Hetimi i SPAK për inceneratorin e Elbasanit çoi në arrestimin e tij, ndërsa shpalli në kërkim biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Në sallën e gjyqit, Koka ka mbajtur qëndrim mohues për të tre akuzat.

Ish-zyrtari i lartë Koka, ministër i LSI në qeverinë “Rama 1”, rezulton nga hetimet e deritanishme të ketë “shpërdoruar detyrën” gjatë procedurës së kontratës koncesionare, nga mungesa e dokumentacionit, deri në zbatimin e një procedure që nuk parashikohej në ligj.

Sipas SPAK, veprimet e kryera nga anëtarët e komisionit për dhënien e koncesionit në bashkëpunim me ish-ministrin Koka, si titullar i autoritetit kontraktor, kanë dëmtuar interesat e shtetit, si edhe i kanë sjellë përfitim të parregullt për shoqërinë “Albtek Energy”, që fitoi koncesionin.

Sa i përket veprës penale të “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”, SPAK ngre dyshime për një ryshfet gati 3,8 milionë euro të përfituar nga ish-ministri Koka. Sipas Prokurorisë së Posaçme, në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë përfitime të parregullta monetare nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” SH.P.K. që përfitoi koncesionit dhe “Integrated Technology Services” SH.P.K., që zbatoi punimet për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve.

Gjithashtu, sipas SPAK, dy biznesmenët kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të maskuar origjinën dhe arsyen e transferimit të tyre.

Gjykata e Posaçme vendosi edhe sekuestro preventive mbi dy shoqëritë tregtare dhe pasuritë e dy biznesmenëve, si edhe pjesë takuese të aksioneve të ish-ministrit në një kantinë vere.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH