Kryesore

Koronavirus rrit krimet e urrejtjes

               Publikuar në : 09:19 - 22/03/20 liberale

Një të hënë në mbrëmje, në fund të shkurtit, Jonathan Mok po shëtiste në rrugën e zhurmshme Oksford në Londër, kur u sulmua. Ai u godit me shqelma dhe grushte në fytyrë, një rrahje që rezultoi me një sy të mavijosur dhe të fryrë sa  një top golfi, të cilin ia tregoi botës në një postim në Facebook. Mok është njëzetetre vjeçar nga  Singapori; prej dy vitesh studion  në Universitetin e Londrës. Sulmi, të cilin  e përshkroi në postimin e tij, ishte brutal dhe me motiv radikale. “Burri që u përpoq të më shqelmonte më tha:  “Nuk e dua koronavirusin tuaj në vendin tim”,  shkruante Mok, “para se të më grushtonte edhe njëherë,  që ma bëri fytyrën  të shpërthejë në gjak”.

Policia Metropolitane u thirr në vendngjarje, afër stacionit të metrosë në rrugën Tottenham Court, rreth orës nëntë e pesëmbëdhjetë në mbrëmje. Më 6 Mars, ata e quajtën incidentin “sulm i acaruar  racor” dhe njoftuan se kishin arrestuar dy adoleshentë, një gjashtëmbëdhjetë dhe një pesëmbëdhjetë. Në atë kohë, ata ende ishin në kërkim të dy burrave të tjerë,  që besohet se ishin përfshirë dhe i kërkuan publikut ndihmë për identifikimin e tyre. Fotografitë e publikuara të dy burrave janë të vështira për t’u dalluar; ato janë të paqarta dhe bardh e zi. Njëri nga burrat mban veshur një parka të trashë dhe mban diçka në gojë. “Ky sulm e la viktimën të tronditur dhe lënduar”,  tha në një deklaratë detektivja rreshtere Emma Kirby. “Nuk ka vend në rrugët tona për këtë lloj sjelljeje të dhunshme dhe ne jemi të përkushtuar të gjejmë autorët”.

Ditët e fundit, megjithatë, ndërsa frika dhe ankthi për Covid-19 janë përhapur, incidente të tjera janë shfaqur në Britani dhe gjetkë. Në Nju Jork, në metro, një burrë spërkati një pasagjer aziatik me “Febreze” dhe e dhunoi verbalisht. Javën e kaluar, një kurator vietnamez, An Nguyen, postoi një e-mail nga një galerist që përgatitej të ekspozonte në Panairin e Artit të Përballueshëm, në Londër. Galeristi i kërkoi Nguyen të mos paraqitej. “Koronavirusi po shkakton shumë ankth kudo, dhe me të drejtë apo jo, aziatikët shihen si bartës të virusit,”  lexohej në e-mail. “Prania juaj në stendë për fat të keq do të krijonte hezitim nga ana e audiencës për të hyrë në hapësirën e ekspozitës”.  Panairi i Artit të Përballueshëm konfirmoi më vonë se galeria nuk do të ekspozonte në panair, me marrëveshje të ndërsjellë. (Në një ironi tjetër, shumë nga raportet fillestare të lajmeve mbi incidentin përdorën fotografinë dhe biografinë e gabuar të një tjetër Nguyen, një artist që jeton në Kanada.)

Kur fola me Mike Ainsworth, drejtorin e shërbimeve në Londër në “Stop Hate UK”, një grup kundër urrejtjes, ai tha që organizata e tij kishte parë një rritje në krimet e urrejtjes dhe incidentet e raportuara nga komunitetet aziatike dhe individët në Mbretërinë e Bashkuar.

Ka pasur, në linjën tonë të ndihmës, një rritje e konsiderueshme e telefonatave nga komuniteti kinez”, tha ai. “Incidentet shkojnë nga sharjet, tek pështyma e deri tek shtyrje në rrugë”. Ai e quajti rritjen, edhe pse modeste,  si një sinjal, “duke pasur parasysh se ky është një komunitet nga i cili tradicionalisht nuk kemi marrë asnjë thirrje”. Ai gjithashtu vuri në dukje “një kthim në shqetësim dhe frikë” nga komuniteti kinez në Londër, në lidhje me veshjen e maskave ​​kirurgjikale. “Njerëzit që zakonisht mbanin maska,  ​​tani ndjehen se disi do të bëhen objekt i abuzimit nëse vazhdojnë ta bëjnë këtë”,  tha ai.

 

“Pandemitë mund të intensifikojnë frikën e “tjetrit” dhe të përkeqësojnë mitet raciste për të huajt që janë të sëmurë, ose të papastër”

 

Në ShBA, Lidhja Anti-Shpifje ka ndjekur memet raciste dhe aktivitetin në internet, të drejtuar kundër  bashkësive aziatike,  si  reagim ndaj pandemisë. Ata kanë zbuluar karikaturat që përshkruajnë një aziatik si “Winnie the Flu”, duke tallur me referencat si “supa e lakuriqit” dhe të tjera imazhet të dhunshme. “Për muaj të tërë, ka pasur postime në platforma ekstremiste si Telegram, 4chan dhe Gab,  që lidhin koronavirusin me shpifjet  dhe memet raciste dhe antisemitike, shkruante kjo Lidhje, në një postim të fundit në blog. “Përdoruesit nëpër këto kanale ndajnë rregullisht mesazhe raciste ose karikatura të njerëzve kinezë, duke tallur me zakonet e tyre të ngrënies, theksin  dhe higjienën”.  Disa postime, vijojnë ata, “duket se po brohorasin për virusin, duke shpresuar se ai do të përhapet në vendet kryesisht me njerëz  jo të bardhë, siç janë ato në Afrikë”. Oren Segal, nënkryetari i Qendrës për Ekstremizmin së LASh, vuri në dukje se ekstremistët “përdorin çdo mundësi për të krijuar përçarje”. Ai shqetësohej për përhapjen e përmbajtjeve raciste pasi gjithnjë e më shumë njerëzve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi dhe të komunikojnë në internet. “Fakti që kjo lloj urrejtje ekziston në të njëjtat hapësira ku njerëzit po mbledhin lajmet e tyre të ligjshme, është shqetësuese”,  tha ai.

Rebecca Hayes Jacobs, një studiuese e studimeve urbanistike që bashkë-kuroi një ekspozitë të titulluar “Qyteti Mikrob: Mikrobet dhe Metropoli” në Muzeun e Nju Jorkut vitin e kaluar, më tha se, gjatë gjithë historisë, pandemitë shpesh kishin intensifikuar diskriminimin kundër pakicave. Në 1858, një turmë dogji një spital masiv karantinash në Staten Island. Vendasit “kishin frikë se emigrantët ishin bartës të  etheve të verdha, veçanërisht emigrantët irlandezë”, tha Jacobs.

Pandemitë mund të intensifikojnë frikën e “tjetrit” dhe të përkeqësojnë mitet raciste për të huajt që janë të sëmurë, ose të papastër. “Shpesh vija midis vigjilencës dhe frikës mund të bëhet vërtetë e paqartë”,  tha ajo. “Vigjilenca është e rëndësishme për të mbrojtur popullsinë në përgjithësi, por, në të njëjtën kohë, paragjykimet dhe problemet shoqërore mund të zmadhohen në mënyrë të skajshme,  kur njerëzit tashmë janë të predispozuar të mos i besojnë njëri-tjetrit”.  Në fillim të shekullit XX, emigrantët në Ellis Island, parë si bartës të trachoma-s, iu nënshtruan shfaqjeve mësymëse “të mbështjella në të gjitha llojet e antisemitizmit dhe ksenofobisë”, tha ajo.

Danielle Olsen, e cila punon për Wellcome Trust, një organizatë bamirëse shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar e që kohët e fundit ka bashkërenduar një seri ekspozitash për një projekt të quajtur “Qytetet ngjitëse”, më tha, “Me SARS, më 2003, do të shihje  njerëz që nuk shkonin më në Chinatown, në Manhattan”. Ajo vuri në dukje një reagim të ngjashëm me Covid-19, i cili ka lindur “këto lloj idesh joformale se ka të bëjë gjithçka me racën, më shumë sesa me faktin se mund të ketë rastisur të keni udhëtuar atje’, tha ajo. “Kjo gjuhë inflamatore, ose retorikë alarmiste, ndodh kaq shpejt dhe nuk bazohet në asnjë fakt”.

Ainsworth, nga Stop Hate U.K., më tha që, pasi Britania votoi të largohej nga BE, organizata e tij gjithashtu pranoi një fluks telefonatash për krime të urrejtjes. “Kishte shumë njerëz që na telefononin duke thënë: “Kurrë nuk kam provuar racizëm në Britani, deri në javën e kaluar dhe jetoj  këtu  prej njëzet apo tridhjetë vitesh””.  Viktimat shpesh bëhen konfuzë nga ajo që u ka ndodhu. “Sulmi ndaj  anëtarëve të komunitetit kinez mbi koronavirusin është saktësisht e njëjta gjë me sulmin ndaj anëtarëve të komunitetit mysliman për t’u larguar nga  Europa: nuk ka asnjë lidhje logjike. Ky është një veprim krejtësisht jologjik ”.

Ainsworth theksoi se krimet e urrejtjes duhet të raportohen në polici. Por ai gjithashtu vuri në dukje se dëshmitarët mund të ndihmojnë duke bashkëvepruar me viktimën, për të përcjellë një sens solidariteti. “Unë nuk pres që njerëzit të përballen me autorët, por pres që njerëzit t’i tregojnë viktimës se nuk pajtohen me ato që thonë autorët”, tha ai. “Flisni me ta për gjëra çfarëdo, nuk ka rëndësi. Çfarë rrobash ke veshur, ku po shkon, si je? ”

“Ka një narrativë që ndodh me krimin e urrejtjes, nga keqbërësi i cili thotë, “Unë po ju sulmoj, por në të vërtetë shumë njerëz pajtohen me mua”. Krimi i urrejtjes bëhet me të vërtetë i rrezikshëm, nëse viktimat fillojnë të besojnë atë”, tha Ainsworth. “Unë kam biseduar me viktimat e krimit të urrejtjes në Londër, dhe një nga gjërat që ata thonë është se “të abuzohesh për shkak të racës në stacione metrosh është e tmerrshme, por të kesh dyqind njerëz në këmbë atje duke mos thënë asgjë, është që fillon të më shqetësojë vërtet dhe të  gërryejë besimin tim në shoqëri”./ Anna Russell, The New Yorker/ Liberale.al

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back