Analizë

Koronavirus/ Çfarë duhet të bëjë G20

Shkruar nga Liberale
Koronavirus/ Çfarë duhet të bëjë G20

Tashmë që shpërthimi i koronavirusit është një pandemi e gjerë, e cila po kërcënon si ekonominë globale, ashtu edhe me miliona jetë, është i nevojshëm një reagim i koordinuar ndërkombëtar. Ashtu si në krizën financiare të vitit 2008, G20 duhet të marrë drejtimin, duke nisur nga  samiti i  tij urgjent virtual , në javën e ardhshme.

Arabia Saudite, kryetari i këtij viti i Grupit të Njëzetës (G20), do të organizojë një samit virtual në javën e ardhshme,  për të diskutuar rreth një përgjigjeje  globale ndaj krizës COVID-19. Takimi i urgjencës nuk mund të vinte shumë herët. Për shkak se shëndeti global është një e mirë publike kolektive, çdo kërcënim ndaj tij  kërkon një reagim shumëpalësh.

Urgjenca shëndetësore gjithashtu kërcënon të shkaktojë një recesion global dhe krizë financiare. Siç mësuam në vitin 2008, krizat globale ekonomike gjithashtu duhet të përballen me një strategji shumëplanëshe. Veprimet e ndrojtura, të pakoordinuara ose të njëanshme nga vendet individuale do të jenë joefektive, në skenarin më të mirë dhe mund të çojnë në një spirale në të politikave “lyp te –fqinji”

G20 është kandidati i dukshëm për të luajtur rolin e koordinatorit global. Me rreth 90% të PBB-së globale, ai përfshin ekonomitë më të mëdha të përparuara dhe në zhvillim, në botë. Dhe si një forum pa sekretariat të përhershëm, është mjaft i zhdërvjellët për të bashkuar shpejt bashkësinë ndërkombëtare, siç bëri në nëntor 2008, në kulmin e krizës financiare.

Me atë rast, udhëheqësit e G20 u mblodhën në Uashington, për të organizuar një përgjigje të koordinuar dhe u takuan përsëri në prill 2009 në Londër, ku morën hapa për të stabilizuar ekonominë globale dhe për të rikthyer besimin. Funksionoi: një shfaqje publike e udhëheqjes kolektive dhe përgjegjësisë së përbashkët, parandaluan një kolaps më të thellë ekonomik.

Në urgjencën e sotme, rreziqet janë edhe më të larta, sepse miliona jetë janë në rrezik. Sikur COVID-19 të kishte një vdekshmëri prej 1%, numri i vdekjeve përfundimtare do të ishte i ngjashëm me atë të Luftës së Dytë Botërore. Më e keqja është se  ky mbetet  skenari “beninj”. Që nga 3 marsi, Organizata Botërore e Shëndetit e vendosi nivelin e vdekshmërisë aktuale në 3.4%, bazuar në rastet e raportuara.

 

Ekziston një nevojë urgjente për stimul fiskal, masa për të mbajtur në funksion zinxhirët e furnizimit global, angazhim për të shpëtuar masat proteksioniste dhe zhvlerësimin e njëanshëm të monedhave dhe marrëveshje për të siguruar likuiditet të bollshëm në sistemin monetar dhe financiar, global

 

Në ekonomitë e përparuara, sistemet e kujdesit shëndetësor që përballen me një rritje të rasteve të COVID-19, janë në rrezik kolapsi. Në shumë vende në zhvillim, infrastruktura mjekësore për trajtimin e sëmundjeve infektive është e kufizuar. Përkeqësimi i çështjeve, presioni në rritje në zinxhirët e furnizimit do ta bëjë më të vështirë blerjen e mallrave bazë, përfshirë pajisjet mjekësore.

Kjo nuk është një kohë për veprim të ndrojtur apo simbolik. G20 duhet të miratojë urgjentisht një plan për adresimin e urgjencës mjekësore, ndalimin e ekonomisë globale dhe rivendosjen e besimit. Ajo që vjen pas janë sugjerimet –larg një liste shteruese –të hapave që duhet të ndërmarrin politikëbërësit.

Së pari, drejtuesit e G20 duhet të përqafojnë plotësisht parimin e “virtualitetit”, duke anuluar pjesën tjetër të takimeve fizike të grupit, të planifikuar për këtë vit. Me lëvizjen online dhe me shmangien e mbledhjeve të panevojshme siç janë Business 20 dhe të tjerë grupe  angazhuese, G20 mund të japë një shembull për të gjitha ato vende dhe komunitete që ende duhet të njohin urgjencën e frenimit të virusit përmes “distancimit shoqëror”.

Së dyti, G20 duhet të krijojë një fond për të mbështetur përpjekjet e OBSH-së për të monitoruar dhe raportuar mbi urgjencën dhe për të koordinuar furnizimin e pajisjeve themelore, siç janë kutitë e testimit dhe maskat për fytyrën. Ashtu si në vitin 2009, është e rëndësishme t’i tregohet botës se profesionistë e  aftë,  janë në vendin e drejtuesit.

Së treti, G20 duhet t'i japë OBSH-së një vend zyrtar në tryezë, siç ka bërë tashmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe OECD. Shëndeti global ka qenë gjithmonë një temë dytësore për G20, i cili është prirë të përqendrohet vetëm në çështje të tilla si aksesi ndaj kujdesit, si edhe siguria e ushqimit dhe ujit. Por siç tregon kriza aktuale, ndikimi sistematik i pandemive dhe ndikimi i shëndetit publik në kushtet ekonomike, duhet të jenë çështje parësore të shqetësimit.

Së katërti, vendet anëtare të G20 duhet të jenë të gatshme të ndihmojnë vendet me të ardhura të ulëta të cilëve u mungon infrastruktura, dispozitat mjekësore, ekspertiza dhe personeli për të kontrolluar infeksionin. Aksioni i koordinuar midis qeverive, bankave të zhvillimit rajonal, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe enteve të tjera është thelbësore në këtë drejtim.

Së pesti, G20 duhet të miratojë një paketë emergjente për të parandaluar një kolaps të gjerë të ekonomisë globale. Ekziston një nevojë urgjente për stimul fiskal, masa për të mbajtur në funksion zinxhirët e furnizimit global, angazhim për të shpëtuar masat proteksioniste dhe zhvlerësimin e njëanshëm të monedhave dhe marrëveshje për të siguruar likuiditet të bollshëm në sistemin monetar dhe financiar, global.

Ashtu si në vitin 2008 dhe pasojat që la, kriza aktuale kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, “me çdo kusht” dhe nevojitet tani. Politika monetare në mungesë të politikave fiskale të koordinuara do të ketë vetëm ndikim të kufizuar dhe politikat fiskale të hartuara vetëm me konsiderata të brendshme do të jenë shumë më pak të fuqishme nga sa mund të kishin qenë ndryshe, për shkak të efekteve të tepërta të shpenzimeve të importit.

Hulumtimet tregojnë se ndikimi në nivel kombëtar i një pakete të koordinuar fiskale të stimuluar në të gjithë G20, mund të jetë deri në dy herë më i madh se ai i masave stimuluese vendase, të marra në izolim. Për më tepër, masat e njëanshme mund të prishin tregjet e bonove dhe në këtë mënyrë të rrisin kostot e shërbimit të borxhit për vende të tilla si Italia, e cila është e mbërthyer nga një emergjence mjekësore me goditje të plotë.

Mbi të gjitha, G20 duhet të jetë i guximshëm. Bota ka dëgjuar mjaft deklarata boshe dhe ka toleruar mjaft grindje diplomatike. Duke gjykuar nga shifrat që vijnë nga provinca Hubei e Kinës (epiqendra e parë e pandemisë) dhe Italisë veriore, shpërthimi global do të përkeqësohet ndjeshëm para se të përmirësohet. Dhe, për shkak se infeksioni është në një rrugë rritjeje eksponenciale, se përkeqësimi mund të jetë edhe më i tmerrshëm se sa kemi parë deri më tani.

Vetëm koordinimi ndërkombëtar mund të parandalojë skenarin më të keq. Njerëzit dhe bizneset në të gjithë botën janë thellësisht të shqetësuar – për të mos thënë në panik –dhe kanë nevojë për siguri. Udhëheqësit botërorë duhet të lënë mënjanë nacionalizmin e vogël dhe të udhëheqin. Përndryshe, një emergjencë që tashmë ndjehet si luftë mundet të bëhet e tillë.

*Paola Subacchi/ Project Syndicate/ Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH