Krye

Konstantinos Giakoumis/ 20 vitet e “varësisë” nga Shqipëria

               Publikuar në : 10:10 - 08/06/19 E Liberale

Konstantinos Giakoumis, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, tregon se çfarë e tërhoqi fillimisht në Shqipëri dhe përse vendosi ta zhvillojë më tej rrugëtimin e tij akademik dhe profesional në këtë vend.

Ishte student në vitin e dytë, në Universitetin e Athinës, kur mësoi se po krijohej një ekip kërkimor, i cili do të zhvillonte një ekspeditë në monumente të ndryshme në Shqipëri. Duke e konsideruar si një përvojë interesante, nuk e la këtë mundësi t’i shpëtonte nga duart. Ky kontakt i parë me Shqipërinë, falë kësaj ekspedite, la një mbresë të jashtëzakonshme te studiuesi i ri, dhe që prej asaj kohe lidhja me Shqipërinë do të ishte e fortë. Prof. i Asoc. Dr. Konstantinos Giakoumis, i cili është sot pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, me një shqipe perfekte, rrëfen fillimisht çfarë e tërhoqi në Shqipëri dhe përse vendosi ta zhvillojë më tej rrugëtimin e tij akademik në këtë vend.

“Lidhja ime me Shqipërinë është e hershme. Bëhet fjalë për periudhën e parë të tranzicionit në Shqipëri, në vitet ’92 – ’93, kur unë isha student në vitin e dytë, në Universitetin e Athinës dhe pata shansin të marr pjesë në një skuadër kërkimore që kryente ekspedita në Shqipëri, nëpër monumente të ndryshme”, tregon ai.

Duke qenë pjesë e kësaj skuadre lindi dhe nevoja për të mësuar gjuhën shqipe, të cilën profesor Konstantinos e zotëron mjaft mirë, madje për këtë ndan edhe një fakt mjaft interesant: “Kur vajta në shkollë për të mësuar gjuhën shqipe, zbulova që edhe gjyshja ime, më fliste kur isha i vogël, në një gjuhë që unë nuk e kuptoja atëherë, por që më pas zbulova që ishte gjuha arvanitase”.

Vitet në të cilat ai zhvilloi këtë ekspeditë, nuk ishin të lehta për Shqipërinë që sapo kishte dalë nga një regjim totalitar.

“Kur erdha pashë vende të thella, ku toka ende punohej me plug. Kjo për mua dukej një lloj ‘përralle’ nga fëmijëria ime, sepse nuk kisha pasur mundësinë ta përjetoja në Greqi, sepse kam lindur dhe jam rritur në Athinë dhe më kryesorja kjo kohë për Greqinë kishte kaluar. Gjithashtu më kanë bërë përshtypje njerëzit. Mbaj mend veçanërisht disa vende të caktuara që ishin në varfëri absolute e megjithatë kur vinte miku në shtëpi, do të bënin çmos që ta nderonin e kënaqnin atë. Kam përjetuar një lloj mikpritje, nga më të mëdhatë, dhe kjo ka lënë një mbresë të jashtëzakonshme. E them me bindje se atë lidhje të ngushtë njerëzore, ngrohtësinë që dikush gjen në Shqipëri, zor se e gjen në vendet e tjera. Kjo është edhe arsyeja përse edhe kolegët e huaj që kam njohur shpeshherë thonë se Shqipëria ka një cilësi që në një farë mënyre të bën të ‘varur’”, tregon ai.

“Joshja” nga ky kontakt fillestar bëri që Prof. i Asoc. Dr. Konstantinos Giakoumis të vendosë të zhvillojë doktoratën e tij pikërisht për Shqipërinë. Aplikoi dhe fitoi të drejtën e studimit në disa universitete, po zgjodhi atë të Birmingham-it në Mbretërinë e Bashkuar. Shkoi në këtë universitet pa një bursë studimi, por në vitin e dytë përfitoi plot tri të tilla, jo vetëm për shkak të rezultateve të larta akademike, por edhe për shkak të përzgjedhjes dhe zhvillimit origjinal të temës. Në përfundim, punimi i tij u cilësua si një nga tre më të mirët e fushës në Angli, për atë vit akademik.

Do të ishte pikërisht ky universitet edhe auditori i parë ku ai do të jepte mësim, në vitin 2001.
“Qendra për Studimet e Vazhdueshme, që tashmë është e përfshirë në Universitetin e Birmingham-it, ishte auditori i parë ku unë kam dhënë mësim. Aty kam dhënë disa lëndë, gjuhën greke, shqipe dhe frënge. Mbaj mend ditën e parë të mësimdhënies, në lëndën e frëngjishtes, auditori përbëhej nga studentë që vinin nga vende të ndryshme të botës, siç është ndërkombëtare dhe multikulturore Anglia. Kur i pyeta për veten e tyre më sollën botëkuptime kaq të ndryshme, saqë nuk e kuptova si ‘fluturoi’ ora e parë”, tregon Giakoumis.

Për shkak se studimet e doktoratës i zhvilloi duke pasur në fokus Shqipërinë, udhëtimet e tij ishin të shpeshta dhe njohuritë të shumta, për vendin dhe vendasit, e megjithatë në vitin 2003 vendosi të provonte eksperiencën e të jetuarit në Shqipëri për një ose dy vite. Ishte pikërisht ky momenti në të cilin ai u pozicionua si lektor në Universitetin e New York-ut në Tiranë, për lëndët Histori Arti dhe Qytetërime Botërore, ku më pas mbajti edhe detyrën e zv.rektorit.

“Viti 2003 ishte një periudhë ku i gjithë arsimi i lartë privat në Shqipëri shihej me shumë dyshim nga shoqëria shqiptare, për cilësinë që mund të ofronte. Jam i gëzuar që kam dhënë një kontribut që sot ky sektor në Shqipëri të mos cilësohet në mënyrë paragjykuese nga pjesa më e madhe e shoqërisë, them me bindje se kemi punuar vërtet shumë për të hequr këtë mosbesim.”

Në vitin 2017, profesor Giakoumis u bë pjesë e Universitetit Europian të Tiranës.

“Pasi mbylla një cikël në universitetin e New York në Tiranë, UET për mua ishte menjëherë opsioni i parë, për shkak se është një universitet, i cili ka pasur dhe vazhdon të ketë një emër të mirë në treg. Ka kolegë, me të cilët njihesha më përpara dhe veprën e tyre e kisha dhe e kam në vlerësim. Ka pasur dhe vazhdon të ketë një zyrë projektesh, që është shumë aktive dhe ndihmon në implementimin e ideve”, shprehet ai, ndërkohë që tregon se një prej sfidave që ka hasur në profesion është pikërisht tërheqja e vëmendjes së studentëve, edhe kur ata nuk studiojnë domosdoshmërisht në degë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me artin.

“Sfida kryesore, në fushën që lektoj unë, në historinë e artit, është si të bësh një lëndë të historisë së artit që të jetë tërheqëse për studentë që nuk kanë vendosur të studiojnë histori apo histori arti. Është, sepse të bën të mendosh në themelet e vlerave të këtyre lëndëve, në çdo fushë dhe shpeshherë më është dashur të përshtat lëndën në përputhje me interesat e veçanta që kishin studentët. Për shembull në fushën e juridikut kam krijuar jo pak herë një cikël leksionesh të përqendruar në vepra arti që preknin çështje që i përkasin drejtësisë apo jurisprudencës, në mënyrë që të lidhej historia e artit me çështje të filozofisë së të drejtës, ose për studentët e ekonomiksit, financës, tematika që kishin të bënin me interesat e tyre. Kjo është e vështirë, sepse edhe vetë studentët shpeshherë vijnë me bindjen që është një lëndë që nuk u nevojitet.”

Tashmë ka vite që jeton në Shqipëri dhe shprehet se tashmë është shtëpia e tij.

Ka dhënë mësim edhe në vende jashtë saj dhe vlerëson ndër të tjera edhe faktin se, pavarësisht të gjitha problematikave që përbëjnë aktualitetin, veçanërisht në sferën e arsimit të lartë, ka nga ata studentë shqiptarë të cilët punojnë fort për të arritur qëllimet e tyre dhe performanca mund të jetë lehtësisht konkurruese edhe me kolegët e tyre në universitetet më prestigjioze perëndimore.

“Studentët që punojnë fort, që janë të motivuar, kanë ‘etjen’ për të parë veten në një vend më të mirë nga çfarë aktualisht janë. Kam parë shumë prej tyre, të cilët përkushtohen në mënyrë maksimale për të arritur objektivat që i vënë vetes. Kjo është një gjë shumë pozitive”, thotë ai./ Gazeta Liberale

 

(Visited 19 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *