Globi

Konkurrenca mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës

Shkruar nga Liberale
Konkurrenca mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës

Ligjvënësit amerikanë dhe zyrtarë të lartë të kabinetit diskutuan nëse buxheti i propozuar nga administrata e Presidentit Biden do të mundësojë që Shtetet e Bashkuara të konkurrojnë me Kinën ose do të mbeten pas.

"Sot Kina ka marinën dhe ushtrinë më të madhe në botë, si dhe ekonominë më të madhe në botë për nga fuqia blerëse", thotë Senatorja republikane Susan Collins.

Pekini ka thënë se synon ta përdorë këtë fuqi në rritje për të kontrolluar ishullin e Tajvanit, dhe nëse është e nevojshme do të përdorë forcën. 50% e tregtisë botërore kalon përmes ngushticës së Tajvanit. Po ashtu, Tajvani prodhon më shumë se 70% të gjysmëpërçuesve në botë.

“Si rezultat i veprimeve të njëanshme të ndërmarra nga Kina në lidhje me Tajvanin, do të kishim një krizë ekonomike globale dhe vendet do të prekeshin njëri pas tjetrit”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Zyrtarët thonë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj Tajvanit, ndërsa së shpejti pritet një paketë masive ushtarake për ishullin demokratik.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin paralajmëroi se nëse Kongresi dështon ta miratojë në kohë buxhetin, interesat e Shteteve të Bashkuara do të cënoheshin.

“Do të pengonte aftësitë tona për të marrë municionet kritike që na duhen ne dhe gjithashtu për të mbështetur aleatët dhe partnerët tanë”.

Senatori republikan Lindsey Graham e kritikoi administratën se po përpiqej ta fajësonte Kongresin lidhur me mangësitë e SHBA-së përballë Kinës.

“Nuk është aspak e vërtetë që kemi një politikë të fortë ndaj Kinës. Nuk është buxheti që do ta pengojë Kinën. Është vullneti ynë për t’u përballur me vende si Kina.”

Republikanët argumentojnë se buxheti i Presidentit Biden nuk përfshin ndërtimin e anijeve të reja, për të cilat Marina amerikane thotë se nevojiten për të penguar Kinën.

Ata kritikojnë refuzimin e Presidentit Biden për ta shpallur Rusinë mbështetëse shtetërore të terrorizmit për agresionin në Ukrainë, gjë që senatorë nga të dyja palët thonë se do të dërgonte një mesazh të fortë ndërsa Pekini thuhet se po peshon dërgimin e ndihmës ushtarake për Moskën. /VOA/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH