Aktualitet

Kongresi i PS më 8 dhjetor, Edmond Trako sulmon Berishën: Simbol i kalbjes së PD, njeriu që e rrëmbeu fitoren e demokracisë

Shkruar nga Liberale
Kongresi i PS më 8 dhjetor, Edmond Trako sulmon Berishën: Simbol i

Edmond Trako, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, ka sulmuar ish-kryeminsitrin Sali Berisha, duke e akuzuar atë si njeriun që rrëmbeu fitoren e demokracisë, në vitin 1990 dhe e cilëson si simbol të shpartallimit të opozitës.

Në një postim në Facebook, Trako bën një krahasim mes Ramës në vitet '92-'93, kur u dhunua dhe u largua nga Shqipëria dhe Ramës si kryeministër në 2023, i cili arriti të ndryshonte historinë e datës 8 dhjetor, e cila mbahet si data e shkërmoqjes së PPSH-së.

Sipas tij, e gjitha sa ndodhi një ditë më parë me mbajtjen e Kongresit të PS, është një ngjarje shumë hidhëruese për demokratët, të cilët gjendet në debatin e mbijetesës, ndërsa socialistët zhvillojnë debatin e simbolikës së 8 dhjetorit.

Postimi i plotë

Rokada e "pronësisë politike" për datën historike 8 dhjetor

Mbas 33 vjetësh nga 8 dhjetori 1990, PS ka prej më shumë se 10 vjet për kryetar një njeri që në dhjetor të '90 aspironte të ishte udhëheqës i ndryshimit politik në Shqipëri, por në tentativën e tij të parë u pengua, u rrah në rrugë nga ushtruesit e dhunës në vitet '92-'93, deri sa u largua dhe nga Shqipëria...!!

Por u rikthye shpejt, triumfoi politikisht dhe pas 32 vitesh mban në të njëjtën datë Kongresin e ish-Partisë së Punës, pra e mban Kongresin e PS, në 8 dhjetorin historik dhe simbolik për demokracinë, në ditën që PPSH-se iu tronditën themelet dhe u shkërmoq për një javë, pra ne 8 dhjetor!

Rokadë e vërtetë “e pronësisë politike“ për këtë datë të shënuar me konotacion historik

Sot në vend të PPSH-së, mbas kësaj “rokade të pronësisë politike" mbi këtë datë, e degraduar, e copëzuar dhe deri qesharake, është bërë opozita që atëherë rrëzoi ish-komunistët dhe PPSH nga pushteti!

Simboli i shpartallimit të kësaj opozite, i kësaj kalbje të PD, është Sali Berisha, njeriu që e rrëmbeu fitoren e demokracisë në dhjetor '90 si pronë private dhe sot po shkon para gjyqit të historisë dhe atij penal për gjithçka çfarë i ka vjedhur këtij vendi, historinë, demokracinë dhe paratë e shqiptarëve.

Kjo është një histori shumë hidhëruese për të gjithë demokratët, kur mendon që sot, mbas 33 vjetësh, më 8 dhjetor 2023, ky debat u takon socialistëve, ndërsa debati për mbijetesë politike u takon atyre që përmbysën komunizmin. Bilanc i hidhur dhe turpërues ky për çdo demokrat që ëndërroi tjetër gjë në atë 8 dhjetor të '90 !

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH