Të martën në darkë, ndeshja që do të mbyllë ditën e nëntë të Botërorit, do të jetë Iran-SHBA.
Është një ndeshje vendimtare, duke qenë se të dy kombëtaret nuk do të kenë asnjë ndeshje tjetër që të rrisin shanset për t’u kualifikuar në fazën e 16-të të Botërorit Katar-2022.
Një ndeshje e tillë pritet me padurim dhe veçanërisht për arsyet që shkojnë përtej sportit; Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë kundërshtar me njëri-tjetrin për shumë vite dhe marrëdhënia e tyre ka shënuar disa nga hapat më të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare në gjysmën e dytë të shekullit njëzetë.
Fakti që ka njëfarë armiqësie mes dy vendeve, u vu re në mënyrë të veçantë para ndeshjes, atëherë kur Federata Amerikane e Futbollit, në një imazh të shpërndarë në rrjetet sociale, kishte paraqitur flamurin e Iranit pa simbolin qendror që përfaqëson stemën e Republikës Islamike, një version ky i stilizuar i fjalës Allah, d.m.th, i regjimit teokratik që ka qeverisur vendin që nga viti 1979.
Heqja e stemës ndoshta ishte një provokim në mbështetje të protestave kundër regjimit, të cilat ende vazhdojnë për muaj të tërë në Iran, duke u marrë si ofendim nga media shtetërore iraniane, e cila bëri thirrje për eliminimin e Shteteve të Bashkuara nga Kupa e Botës.
By posting a distorted image of the flag of the Islamic Republic of #Iran on its official account, the #US football team breached the @FIFAcom charter, for which a 10-game suspension is the appropriate penalty.
Team #USA should be kicked out of the #WorldCup2022 pic.twitter.com/c8I4i4z3Tv— Tasnim News Agency (@Tasnimnews_EN) November 27, 2022
Për shumë vite, ekuilibri politik i Lindjes së Mesme dhe më tej varej nga marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. SHBA-të janë fuqia e parë politike dhe ekonomike në botë, ndërsa Irani, pavarësisht se është një vend shumë më i varfër dhe më pak ndikim, mbetet gjithsesi një fuqi rajonale me një peshë të caktuar, pa përmendur këtu faktin se është edhe një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit në botë.
Më parë, dy kombëtaret, Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë takuar vetëm dy herë; një në vitin 1998 në Kupën e Botës në Francë dhe herën e dytë në vitin 2000 në një ndeshje miqësore. Ndeshja më e tensionuar dhe më e spikatur ishte sigurisht ajo e para, e vitit 1998. Ajo ndeshje ishte një nga ngjarjet më të komentuara dhe më të diskutuara të atyre ditëve.
Një ndeshje e tillë në atë kohë, sigurisht u luajt me masa sigurie shumë të mëdha; madje, trajneri i kombëtares amerikane, Steve Samson i tha CNN-it se jo vetëm lojtarët dhe anëtarët e tjerë të ekipit ruheshin nga forcat policore, por edhe familjet e tyre, pasi kishin frikë nga ndonjë sulm terrorist.
Në realitet gjithçka shkoi shumë mirë, edhe tensionet përgjatë ndeshjes ishin mjaft të kufizuara. Madje, pati edhe shkëmbim lulesh. Ndeshja përfundoi 2-1 për Iranin, por asnjëra skuadër nuk e kaloi dot grupin.
Megjithatë, ajo çfarë bie më shumë në sy se asgjë tjetër është se deri në Revolucionin Islamik të vitit 1979, një ngjarje që solli në pushtet regjimin aktual, marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ishin të shkëlqyera.
Në mesin e viteve 1941 dhe 1979, Shah Mohammad Reza Pahlavi, sundimtari i Iranit deri në kohën e Revolucionit, ishte një aleat mjaft i ngushtë i Perëndimit, por edhe vendi i tij furnizonte rregullisht me hidrokarbure kompanitë amerikane dhe britanike të naftës.
Pati padyshim ulje-ngritje në marrëdhëniet e tyre, veçanërisht mes viteve 1951 dhe 1953, iranianët zgjodhën në mënyrë demokratike si kryeministër Mohammad Mosaddeq, një lider i pavarur që kërkoi të largonte Iranin nga orbita amerikane. Qeveria e tij u përmbys me një grusht shteti që ndoshta u financua nga britanikët (dhe në një masë të vogël nga amerikanët) dhe pushteti iu kthye Shahut.
Që nga ai moment dhe deri në vitin 1979, Irani ishte aleati kryesor i Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Nga viti 1963 deri në vitin 1979 në Iran ndodhi i ashtuquajturi “revolucion i bardhë”, një program ky shumë i gjerë reformash dhe i zbatuar nga Shahu që ishte sugjeruar nga administrata amerikane e John F.Kennedy. Megjithatë, modernizimi po ndodhte shumë shpejt dhe për këtë arsye, kjo politikë u damkos si “perëndimizëm”, veçanërisht nga fetarët.
Mbështetja e SHBA-së për Shahun u shndërrua në problematike, pasi qeveria iraniane u bë më autoritare, më e korruptuar dhe brutale. Duke filluar nga mesi i viteve 1970, atëherë, një krizë e rëndë ekonomike shkaktoi protesta të shumta në vend, duke nxjerrë në rrugë shumë qytetarë.
Protestat ishin shumë masive dhe përbëheshin nga të gjitha shtresat e shoqërisë; kishte studentë dhe punëtorë, klerikë shiitë dhe militantë të majtë. Megjithatë, shumë shpejt, Ajatollah Ruhollah Khomeini u pozicionua në mes të drejtuesve kryesorë të atyre protestave. Khomeini ishte në mërgim në Paris, pasi kishte qëndruar në Irak për disa vite; megjithëse nuk ishte një nga fetarët më autoritarë iranianë nga pikëpamja doktrinore. Ai ishte një prej eksponentëve kryesorë të klerit shiit që në mënyrë të veçantë udhëhoqi politikën e ashpër kundër shahut.
Protestat u kthyen në një revolucion popullor dhe shahu, i cili ishte i sëmurë, u largua përfundimisht nga Irani në janar të vitit 1979. Disa javë më vonë, Khomeini u kthye në vend.
Fillimisht, administrata amerikane e Jimmy Carter shpresonte të ruante të paktën marrëdhënie normale me atë që kishte qenë aleati i saj kryesor në rajon. Retorika e Khomeinit ishte thellësisht anti-amerikane; Ajatollahu i përcaktoi Shtetet e Bashkuara si “Djalli i madh” dhe një nga sloganet revolucionare, që më vonë do të bëhej i famshëm, ishte “Vdekje Amerikës”!
Pavarësisht kësaj, të paktën në ditët e para, regjimi i ri revolucionar që zëvendësoi atë të Shahut ishte jashtëzakonisht i larmishëm; ai përfshinte komunistë, liberalë dhe anëtarë të tjerë të ndryshëm të popullsisë civile, si dhe klerin shiit që mbështeti Khomeinin.
Megjithatë, situata erdhi dhe u përkeqësua disa muaj pas Revolucionit me të ashtuquajturën “kriza e pengjeve”, ku disa qindra studentë sulmuan ambasadën amerikane, duke marrë peng 53 punonjës të saj. Lirimi i tyre u bë 444 ditë më vonë dhe kjo ishte një krizë shumë e rëndë politike për administratën Carter, i cili nuk u rizgjodh më. Kjo ngjarje shënoi gjithashtu edhe fundin e marrëdhënieve miqësore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, përgjatë viteve të para të Revolucionit, Khomeini kishte arritur të eliminonte të gjithë komunistët ose ata që konsideroheshin si të moderuar nga qeveria revolucionare, duke e shndërruar pastaj plotësisht Iranin në një republikë islamike dhe në një teokraci. Khomeini u bë Udhërrëfyesi Suprem i vendit, pra, figura kryesore politike dhe fetare, me detyrë të përjetshme.
Që nga ajo kohë e pastaj, marrëdhëniet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mbeten pak a shumë të hapura dhe armiqësore, megjithëse, padyshim pati edhe ulje-ngritje. Me ardhjen e Ronald Reagan, (1981-1989), marrëdhënia zbriti në kontradiktat e Luftës së Ftohtë; Amerika armatosi Irakun gjatë luftës Iran-Irak që zgjati gjatë gjithë viteve 1980, por në të njëjtën kohë i shiti Iranit armë për të financuar grupet anti-komuniste në Nikaragua.
Gjithashtu në vitet 1980, Irani filloi një politikë të mbështetjes së organizatave të ndryshme shiite (si Hezbollahu në Liban) që synonte të zgjeronte ndikimin e tij jashtë vendit, por që shpesh përkufizohej nga Perëndimi si mbështetje për terrorizmin. Xhorxh W.Bush, në vitin 2002, e përfshiu Iranin mes vendeve armike të Amerikës që përbënin të ashtuquajturin “bosht të së keqes”, së bashku me Irakun dhe Korenë e Veriut.
Çështje të tjera që lidhen me konfliktin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ishin mbi të gjitha sanksionet ekonomike që fillimisht administrata amerikane dhe më pas qeveritë e tjera aleate perëndimore vendosën kundër Iranit. Sanksionet e para erdhën menjëherë në vitin 1979, por ato u rritën gradualisht përgjatë viteve. Përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, Irani ishte vendi më i sanksionuar në botë.
Një nga konfliktet kryesore ka qenë gjithmonë programi bërthamor iranian. Ai filloi në vitet 1950 me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, por u shndërrua në një kërcënim madhor pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Irani pretendon të ndërtojë teknologjinë bërthamore për qëllime paqësore, d.m.th, për të ndërtuar impiante për prodhim të energjisë elektrike, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë pasur gjithmonë frikë se objektivi real i regjimit është ndërtimi i armëve bërthamore.
Për shumë dekada, Irani dhe Shtetet e Bashkuara, kanë negociuar por edhe janë konfliktuar për çështjen bërthamore. Kjo çështje arriti të zbutej disi në vitin 2015, kur Irani pranoi të nënshkruajë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe një grup vendesh perëndimore për të vendosur disa kufizime në pasurimin e uraniumit, në këmbim të një reduktimi të konsiderueshëm të sanksioneve perëndimore. Një marrëveshje e tillë u konsiderua historike, por disa vjet më vonë, ajo u anulua në mënyrë të njëanshme nga Presidenti Donald Trump. Negociatat kanë rifilluar pas zgjedhjes së Joe Biden, por ka shumë pesimizëm për suksesin e tyre.
Aktualisht, qeveria iraniane e formuar pas zgjedhjeve të vitit të kaluar përbëhet nga ultra-konservatorë, të cilët janë gjithashtu shumë skeptikë ndaj çdo forme të dialogut me Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë, kohët e fundit, regjimi iranian akuzoi Shtetet e Bashkuara për organizimin dhe nxitjen e protestave në vend./Përgatiti Liberale.al/