Aktualitet

Koncesionet e inceneratorëve, 100 mln euro të paguara nga buxheti në 5 vite

Shkruar nga Liberale
Koncesionet e inceneratorëve, 100 mln euro të paguara nga buxheti

Koncesionet e inceneratorëve u kanë kushtuar shqiptarëve deri më tani mbi 100 milionë euro. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se pagesat direkte nga buxheti janë shlyer në mënyrë të rregullt që prej vitit 2016, e do të vazhdojnë edhe në vitet pasardhëse.

Për inceneratorin e Elbasanit mbështetja buxhetore për të kompensuar vlerën e investimit ka arritur në 4.1 miliardë lekë, duke përfunduar këtë vit. Për inceneratorin e Fierit, pagesat nga 2017-ta deri në fund të këtij viti llogariten në 3.6 miliardë lekë, ndërsa edhe për vitin 2022 është parashikuar një këst i fundit prej 630 milionë lekësh.

Koncesioni për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës ndërkohë është kontrata më e kushtueshme, me një vlerë investimi të parashikuar zyrtarisht në 17.1 miliardë lekë, por me kosto reale për t’u paguar shumë më të larta.

Pagesat e kryera nga 2018-ta deri në fund të këtij viti llogariten në 4.5 miliardë lekë dhe kryhen në bazën e një tarife fikse për çdo ton mbetje që depozitohen. Kjo pagesë që kryhet nga bashkitë e qarkut të Tiranës dhe të gjitha institucionet e tjera që dërgojnë atje mbetje, do të vijojë deri në fund të koncesionit 30-vjeçar.

Kostot e paguara dhe ato që do të paguajmë për këto tre koncesione ka qenë në fokus të akuzave politike, por edhe të analizave ekonomike: që nga vlerat e fryra të investimeve e deri tek përllogaritjet e gabuara, duke bërë që parashikimi i kostos reale të tyre të mund të arrijë deri në 500 milionë euro.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH