Kryesore

Kompromis për Kartat e identitetit

               Publikuar në : 09:50 - 23/02/21 liberale

Kryeministri e ka pritur pozitivisht kërkesën e opozitës së bashkuar për shtyrjen e afatit për kartat e identitetit që kanë skaduar, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit. Rama tha se çdo propozim i arsyeshëm që bën secila parti, dhe që është në interes të procesit zgjedhor, është i mirëseardhur.

Kryeministri Edi Rama e ka pritur pozitivisht kërkesën e opozitës së bashkuar për shtyrjen e afatit për kartat e identitetit që kanë skaduar, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit. Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së shtabit të PS-së, Rama theksoi se pavarësisht faktit se nuk e ka dëgjuar si propozim, bën sens si kërkesë. “Nuk e kam dëgjuar këtë si propozim. Zgjedhjet janë të përbashkëta. Rregullat e lojës janë aprovuar bashkarish. Çdo propozim i arsyeshëm që bën secila parti, dhe që është në interes të procesit zgjedhor, është i mirëseardhur. Bën sens dhe do të trajtohet me të gjithë seriozitetin e duhur në mënyrë që të gjitha palët në këtë proces të ndihen të barabarta në rregullat e lojës”, -tha Rama.

Skadimi i kartave

Teksa na ndajnë afro 60 ditë nga zgjedhjet parlamentare, shumë qytetarë ende nuk kanë rinovuar mjetet e tyre të identifikimit. Opozita e bashkuar u ka dërguar një letër një javë më parë Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçit, kryeparlamentarit Gramoz Ruçit si dhe kreut të KQZ-së ku i bën thirrje që të shtyjë afatin e skadimit të pasaportave dhe kartave të identitetit deri më 30 prill 2021.

Në letrën e firmosur në emër të opozitës nga Gazment Bardhi, ata ngrenë shqetësimin për konstatimin e një numri të madh të qytetarëve shqiptarë të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike.

“Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile janë në total 1,062,000 shtetas të cilët rrezikojnë të mos votojnë në datën 25 Prill 2021 për shkak së dokumenti i tyre i identifikimit ka skaduar apo skadon deri ditën e zgjedhjeve”, – thuhet në letër.

Sipas letrës së opozitës pamundësia ekonomike dhe koha e shkurtër për të mundësuar pajisjen me karta identiteti qytetarët shqiptarë që u ka skaduar mjeti i identifikimit që mundëson votimin në zgjedhjet e 25 prillit kërkohet marrja e masave të njëjta me ato të ndërmarra me ligjin nr. 11/2019, datë 05.03.2019 “Për një shtesë në Ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar”, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u vendos shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Për shkak të natyrës urgjente ndërhyrja mund të bëhet me Akt Normativ, ku të parashikohet një dispozitë tranzitore në ligjin nr. 8952/2002, me përmbajtje si vijon: “Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë, të cilat janë lëshuar nga data 9.2.2009 dhe që përfundojnë brenda datës 25 Prill 2021, zgjatet deri në datën 30 Prill 2021.”.

Vetëm pak muaj më parë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se numri i personave që u ka skaduar dokumenti i identifikimit biometrik (kartë identiteti ose pasaportë) dhe nuk e kanë rinovuar deri më datë 31 dhjetor 2020, është 873 mijë qytetarë.

Duke qenë se jemi në prag zgjedhjesh, edhe politika shqiptare si dhe ambasadorët e huaj u kanë bërë apel të gjithë shqiptarëve që të aplikojnë. Edhe pak ditë më parë, Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të aplikojnë.

Çuçi

Ditë më parë, ministri i brendshëm, Blendi Çuçi i pyetur për problemin e kartave të identitit dhe rrezikun e mosvotimit të qytetarëve që u skadojnë ato, tha se “Për dokumentet e identitetit, ne po bëjmë gjithçka që ti sensibilizojmë njerëzit që të shkojnë të aplikojnë për rinovimin e dokumentit të identitetit në mënyrë që ditën e zgjedhjeve të kenë një dokument të vlefshëm. Sa i takon mobilizimit tonë ne kemi hapur pika në të gjithë Shqipërinë për aplikimin për dokumentet e identitetit, i mbajmë edhe të shtunave tani hapur. Kemi një kapacitet prej 15 mijë deri në 20 mijë karta në ditë për të printuar. Unë që ditën e parë që erdha si Ministër i Brendshëm i kam kushtuar  një pjesë të rëndësishme të kohës time një fushate për të sensibilizuar njerëzit për të aplikuar për dokumentin. Me urdhrin tim u vendos në publikimin e listës së radhës të votuesve, që atyre votuesve që ju ka skaduar dokumenti i identitetit, apo i skadon deri në datën 25 prill të markohen në listë. Në portalin e-Albania është vendosur një mesazh që të alerton, që nëse hyn për të marrë një shërbim gjëja e parë që të del është  që shiko i nderuar qytetarë të ka skaduar dokumenti i identitetit. Kam sensibilizuar të gjithë personat të cilët kanë një audiencë në publik, përfshi ambasadorë, persona publik që merren me politikë, etj.”

Letra e plotë e Opozitës

Zoti Ministër

Me shqetësim kemi konstatuar një numër të madh të shtetasve shqiptarë të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike dhe që janë në pamundësi, përfshirë atë ekonomike për ta rinovuar atë. Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile[1] janë në total 1,062,000 shtetas të cilët rrezikojnë të mos votojnë në datën 25 Prill 2021 për shkak së dokumenti i tyre i identifikimit ka skaduar apo skadon deri ditën e zgjedhjeve.

Siç jeni në dijeni, Opozita e Bashkuar ka bërë thirrje të shpeshta drejtuar shtetasve shqiptarë, për t’i sensibilizuar për nevojën e rinovimit sa më shpejt të dokumentave të identifikimit. Por, të ndodhur përpara kohës tejet të shkurtër në dispozicion dhe varfërisë ekstreme të shumë qytetarëve që i ka mbaruar afati i vlefshmërisë së dokuementeve të identifikimit, besojmë se ka ardhur momenti për marrjen e masave nga ana e Qeverisë për të garantuar një zgjidhje të vërtetë dhe gjithëpërfshirëse të kësaj problematike me impakt direkt në procesin zgjedhor.

Në këtë drejtim, Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, duhet të nisen nga mbrojtja e interesit të qytetarëve dhe nevoja për të garantuar të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur, pa asnjë pengesë joproporcionale. Në mungesë totale të politikave inçentivuese të Qeverisë dhe subvencionin e pagesës së rinovimit të dokumenteve identifikuese për shtresat në nevojë, jemi përpara situatës që Partia Socialiste kur ishte në opozitë e quante “taksa e votës”, që në këtë rast bëhet realisht e tillë nëse mbajmë në konsideratë faktin që çmimi i letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike është rritur me 50 përqind, dhe në ndryshim nga praktika e mëparshme, Qeveria aktuale nuk subvencionon asnjë shtetas të vetëm në Republikën e Shqipërisë, në rinovimin apo pajisjen me dokument identifikimi.

Për këtë arsye, në emër të Opozitës së Bashkuar, kërkojmë nga ana juaj, marrjen e masave të njëjta me ato të ndërmarra me ligjin nr. 11/2019, datë 05.03.2019 “Për një shtesë në Ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar”, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u vendos shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Për shkak të natyrës urgjente ndërhyrja mund të bëhet me Akt Normativ, ku të parashikohet një dispozitë tranzitore në ligjin nr. 8952/2002, me përmbajtje si vijon: “Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë, të cilat janë lëshuar nga data 9.2.2009 dhe që përfundojnë brenda datës 25 Prill 2021, zgjatet deri në datën 30 Prill 2021.”.

Kjo masë nuk duhet të ndalë nxitjen tonë të përbashkët për shtetasit shqiptarë që të bëjnë rinovimin e dokumenteve të tyre të identifikimit. Mirëpo për efekt të garantimit të të drejtës kushtetuese për të zgjedhur, shtyrja e afatit të vlefshmërisë është një masë proporcionale dhe e domosdoshme, që duhet të ndërmerret pa vonesa të mëtejshme në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back