Editorial

Komisioni i Venecias, garanti i ekuilibrit kushtetutes shqiptar

Shkruar nga Liberale
Komisioni i Venecias, garanti i ekuilibrit kushtetutes shqiptar

Ervis Iljazaj

Ka pothuajse një vit që Parlamenti , ose më saktë mazhoranca, gjendet në një konflikt të thellë me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Duke filluar që nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit, por më shumë për emërimet e organeve të reja të drejtësisë, dhe kryesisht për atë të Gjykatës Kushtetutese, përplasja e këtyre dy institucioneve ka qenë një nga krizat më të mëdha kushtetutese që ka patur Shqipëria në dekadën e fundit.

E gjitha kjo situatë ka ndodhur për faktin se Shqipëria gjatë kësaj kohe ka qenë pa Gjykatë Kushtetutese, pra pa rolin e arbitrit. Në këtë kontekst, konfliktet midis presidencës dhe parlamentit, apo edhe konflikte të natyrës së ndryshme janë zgjidhur nëpërmjet forcës.

Dihet fare mirë që në këto raste forca e kartonave dhe e pushtetit që ka qeveria ka bërë të mundur që vendimet e saj të shkojnë përpara, ndërsa ato të institucioneve të tjera në konflikt me të, të bllokohen nëpërmjet forcës arbitrare.

I gjendur në këtë situatë, përballë një pushteti të fortë, Presidenti i Republikës tentoi dhe rrugën e fundit për të mbrojtur më së paku neutralitetin dhe kushtetueshmërinë e Gjykatës Kushtetutese, organit më të lartë në një shtet të së drejtës,  i cili ndër të tjera, do të marrë në shqyrtim një sërë cështjesh shumë të rëndësishme për politikën shqiptare. Ruga e fundit për mbrojtjen e Kushtetutës që provoi presidenca ishte ajo e protestës së dy marsit.

Një rrugë, që për hir të së vërtetës është jo e zakonshme për një President. Por, i gjendur përballë një mazhorance me shumë pushtet dhe pa Gjykatë Kushtetutese, ndoshta ishte e vemtja rrugë e mbetur për të arritur qëllimin e tij. Pra, vendimeve politike, sidomos ajo për shkarkimin e tij, Presidenti ju përgjigj po me mjete politike në kushte kur nuk kishte asnjë rrugë tjetër insitucionale dhe kushtetutese. Në këtë kuptim, protesta e dy marsit nuk ishte protesta e parë e një presidenti, por protesta e parë për mbrojtjen e një Presidenti, dhe si pasojë e Kushtetutës dhe shtetit shqiptar.

Betejës publike të Presidentit, për mbrojtjen e kushtetueshmrisë në procesin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese i dha të drejtë vendimi i Komisionit të Venenecias. Një vendim i cili nuk ka dalë në formën përfundimtare, por nga ato që raportojnë mediat, Venecia i jep të drejtë Presidentit për ligjin e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetutese dhe procesit të emërimit të tyre.

Nëse përmbajtja e vendimit është e tillë, ashtu sikurse raportohet në media deri më tani, atëherë vendimi i Venecias nuk bën gjë tjetër përvecse rikthen ekuilibrin kushtetutes në Shqipëri, i cili mungon tashmë prej shumë kohësh ne favor të mazhorancës dhe pushtetit të saj. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe rendin kushtetutestë saj. Sepse ndarja e pushteteve, balanca e dhe kontrolli midis tyre është një kusht bazë për formimin e një shteti demokratik. Me këtë vendim Komisioni i Venecias i rikthen edhe njëher dinjitetin institucionit të presidencës dhe rolit të tij në rendin kushtetutes shqiptar.

Kështu që, nëse mazhoranca do të ketë vullnetin të respektojë këtë vendim të plotë, atëherë duhet të ketë nga ana e saj një reflektim të thellë për sa i përket ndarjes së pushteteve dhe balancës midis tyre. Deri më tani, kjo mazhoranca ka ushtruar arbitraritetin e kartonave të saj pa asnjë kontroll, pa asnjë institucion tjetër në gjendje që mund të kufizojë pushtetin e saj, duke rrezikuar që të vendosej ajo që Tokievill, filozofi i famshëm francez kishte frikë për demokracitë, tiraninë e mazhorancës. Për këtë arsye, të gjitha demorakcitë, sidomos ajo e shteteve të bashkuara kanë hartuar instrumenta kushtetutes për të kufizuar  pushtetin e mazhorancës, pa të cilat një demokraci kthehet në tirani.

Për të gjitha këto arsye, Vendimi i Komisionit të Vencias, është një ogur i mirë për rivendosjn e rendit kushtetutes në Shqipëri. /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH