Viliem Kurtulaj
Viti i Ri 2023 nisi pothuajse siç nisi e përfundoi viti 2022, në botë dhe në Shqipëri. Në fillim të vitit të shkuar shpërtheu lufta Rusi-Ukrainë, luftë që nuk u shua as në këtë fillim viti. Inflacioni i lartë i vitit të kaluar vazhdon të jetë prezent edhe në 2023. Problemet klimatike vazhdojnë të mbeten shqetësim serioz. Megjithatë, disa gjëra ndryshuan në botë gjatë 2022. Argjentina dhe Messi fituan Kupën e Botës në futboll; pandemia Covid-19 pothuajse përfundoi (megjithëse sinjale negative po vijnë sërish nga Kina); Mbretëresha Elizabeta II e Mbretërisë së Bashkuar ndërroi jetë; Irani u përfshi nga protesta masive dhe të dhunshme; Popullsia e botës shkoi mbi 8 miliard banorë; etj. Ndërkohë, sa na përket neve, viti 2023 e gjeti Shqipërinë ashtu siç e la 2022.
Edi Rama vazhdon të ngryset dhe të gdhihet në pushtet prej sa e sa vitesh. Opozita vazhdon të mos zotërojë asnjë institucion, përveç Bashkisë Shkodër. PD-ja vazhdon të jetë e përçarë. Ambasada e ShBA-së në Tiranë vazhdon ta ketë nën vëzhgim SPAK-un dhe kreun e saj. Sali Berisha dhe Ilir Meta vazhdojnë të jenë krerët e opozitës. Erion Veliaj vazhdon të jetë pretendent për tu bërë pasardhës i Edi Ramës. Lulzim Basha vazhdon të jetë askund.
Ashtu si në 2022, inflacioni në Shqipëri vazhdon të jetë i lartë. Nafta vazhdon të jetë e shtrenjtë. Ekonomia vazhdon të jetë e dobët. Administrata publike vazhdon të jetë joefiçente. Niveli i korrupsionit vazhdon të jetë i frikshëm. Trafiku në Tiranë vazhdon të jetë skandal. Transporti publik vazhdon të jetë i tmerrshëm. Treni vazhdon të mosekzistojë. Propaganda politike nga të katër anët vazhdon të buçasë. Berisha vazhdon të jetë non-grata. Rama vazhdon të mendojë se është artist. Diplomacia vazhdon të jetë mediokër. Punësimet në shtet vazhdojnë të jenë nepotike. Gjykatat vazhdojnë të mos japin drejtësi. Mjekët dhe infermierët vazhdojnë të marrin ryshfet nëpër spitale. Sistemi arsimor vazhdon të jetë i dobët. Meritokracia vazhdon të mos ekzistojë. Ajri vazhdon të jetë i ndotur. Uji vazhdon të vijë me orar. Pallatet dhe kullat vazhdojnë të mbijnë në çdo cep. Bregdeti vazhdon të gllabërohet për interesa private të pak personave. Veriu vazhdon të jetë i diskriminuar. Rruga e Arbrit vazhdon të mbetet përgjysmë. Bulevardi i Ri i Tiranës vazhdon të jetë i papërfunduar.
Shqiptarët vazhdojnë të largohen masivisht nga ky vend. Anglia vazhdon të ankohet por, në të njëjtën kohë, të përfitojë nga fuqia punëtore që mbërrin atje. Çështja e detit me Greqinë vazhdon të jetë e pazgjidhur. Serbia vazhdon të krijojë probleme dhe konflikte në rajon. Rama me Kurtin vazhdojnë të kenë marrëdhënie të ftohta. Open Balkan vazhdon ende të mos e justifikojë veten. Amnistia fiskale vazhdon të jetë në agjendën e qeverisë. Shqipëria vazhdon të mos ketë asnjë medalje olimpike. Kombëtarja vazhdon ende të mos kualifikohet në finalet e një botërori. Komunistët vazhdojnë ende të drejtojnë. Media dhe politika vazhdojnë të jenë të lidhura me njëra-tjetrën. Hakerat iranianë vazhdojnë të hakërojnë dhe publikojnë të dhënat tona personale. Qeveria vazhdon të mos mbajë përgjegjësi. Pedagogët vazhdojnë të paguhen më pak se punonjësit e call center-ave. Kafenetë vazhdojnë të jenë të mbushura. Kënga fituese e Festivalit të Këngës në RTSH vazhdon të kontestohet. Këngëtarët vazhdojnë të këndojnë playback nëpër koncerte. Thashethemet vazhdojnë të mbizotërojnë nëpër biseda. Pensionet dhe rrogat vazhdojnë të jenë qesharake. Ndërkohë, njësoj si vjet, shqiptarët vazhdojnë të shohin me vëmendje Big Brother. /Liberale.al/