Aktualitet

KOMENT nga Red Varaku: Rruga e dhimbshme, por e pashmangshme nga duhet të kalojë PD

Shkruar nga Liberale
KOMENT nga Red Varaku: Rruga e dhimbshme, por e pashmangshme nga duhet të

Afera McGonigal nuk është vetëm ngjarja më e rëndë politike e këtyre 32 vjeteve, por njëkohësisht ajo është edhe një prozhektor që hodhi dritë dhe zbuloi për qytetarët shëmtinë, barbarinë dhe makutërinë e përbindëshave të korruptuar që gëlojnë në kënetën tonë politike të tranzicionit.

Nuk ka asnjë dyshim që shumë shpejt të vërtetat që zbuloi ky skandal do të prodhojnë efekte që do të rikonfigurojnë dhe ridimensionojnë radikalisht të gjithë realitetin tonë politik.

Gjithsesi, midis të vërtetave që po zbulon ky skandal e vërteta më e madhe që bie menjëherë në sy është fakti që të vetmit aktorë të interesuar dhe të përkushtuar ndaj interesave të popullit shqiptar janë SHBA-të.

Pas zbulimit të kësaj afere është e qartë që operacioni i tyre, duke filluar me shpalljen nongrata të z. Sali Berisha dhe duke vazhduar me goditjen asgjësuese ndaj Edi Ramës, është pjesë e një projekti që ka si objektiv kryesor përmbysjen e establishmentit të korruptuar shqiptar të tranzicionit, që për SHBA-të është kthyer në pengesën më të madhe të zhvillimeve demokratike në vend.

Thënë kjo tashmë është e qartë që e vetmja formulë për rikthimin e demokracisë në Shqipëri është shkulja me gjithë rrënjë e establishmentit të korruptuar shqiptar, që konsiderohet se ka marrë peng të ardhmen e shqiptarëve dhe krijimi i kushteve për një brez të ri që do ta udhëheqë këtë vend në sfidat e reja të kësaj epoke.

Kështu tashmë është bërë e qartë se arsyet se pse SHBA-të, përmes zyrtarëve më të lartë të tyre , i kanë kërkuar opozitës të distancohen nga Sali Berisha, kanë të bëjnë pikërisht me thelbin e këtij operacioni, shkuljen e establishmentit të korruptuar të tranzicionit ku Rama dhe Berisha sipas SHBA-ve përbën pjesën integrale të tij dhe rikthimin e vendit në shinat normale të demokracisë.

Jo pa qëllim kjo erdhi në formën e një kushti për PD në këmbim të mbështetjes Amerikane për përmbysjen e Ramës dhe rikthimin e PD në pushtet dhe jo pa qëllim erdhi edhe në formën e një kërcënimi për të kundërtën, sepse logjikisht e kundërta nënkupton vazhdimin e paktit të zi të 2008, që nënkupton një pakt në kurriz të demokracisë .

Në këtë kontekst të ri të krijuar pas kësaj ngjarje detyra dhe barra për të bërë ndryshimin bie vetëm mbi PD si forca më e madhe opozitare.

Kështu e vërteta e aferës Mcgonical qartëson brutalisht arsyet e ofertës Amerikane në shtatorin e 2021 në lidhje me PD dhe të ardhmen e shqiptarëve, ku PD i është ofruar hapur mbështetja Amerikane dhe dëshira e tyre e madhe që ashtu si në 1990 të jenë sërish në krah të tyre.

Pra, nëse e lexojmë me kujdes mbështetja e tyre është aty sërish për PD për të bërë këtë kapërcim epokal për vendin ashtu si në 1990.

Deri tani skepticizmi i shumë aktorëve brenda PD në lidhje me dyshimet që kanë pasur në lidhje me këtë operacion që po zhvillohet nga SHBA-të për eliminimin e korrupsionit, operacion që me të drejtë perceptohej si sulm kundër PD, ka qenë i arsyeshëm.

Por pas goditjes fatale të Ramës, çdo dyshim përveç se naivitet, është ligësi ndaj PD.

Në këto kushte PD është e detyruar të fillojë menjëherë një reflektim në lidhje me ofertën Amerikane të bërë nga zyrtarët më të lartë të SHBA-ve pas shpalljes nongrata të z. Berisha si e vetmja zgjidhje për largimin e Ramës dhe krizën e demokracisë në vendin tonë.

Sa më shpejt që PD ta bëjë këtë reflektim aq më shpejt Rama do të rrëzohet.

Përndryshe, çdo vonesë e PD për të ndërmarrë hapat që i kërkohen nga SHBA, nuk është vetëm një thikë pas shpine për demokratët dhe një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëhet Ramës, por është një tradhëti e madhe ndaj interesave kombëtare të kombit shqiptar. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH