Aktualitet

KOMENT nga Red Varaku: Pse shmanget debati real mbi thelbin e krizës në PD?

Shkruar nga Liberale
KOMENT nga Red Varaku: Pse shmanget debati real mbi thelbin e krizës

Red Varaku

Ka një përpjekje për ta zhvendosur debatin real të PD dhe një përpjekje për të shmangur thelbin e debatit, i cili qëndron tek vendimi i Lul Bashës për të pezulluar nga grupi parlamentar Sali Berishën, pasi SHBA e shpalli atë si i korruptuar dhe minues i demokracisë.

Një debat që duhet të fokusohet tek fakti që kriza aktuale në PD është thelbësisht çështje parimore. Një çështje që lidhet drejtpërdrejtë me ekzistencën e Partisë Demokratike.

Kjo sepse dihet që SHBA-të jo vetëm që janë aleatët më të mëdhenj të kombit shqiptar dhe mbartëset e vlerave perëndimore ku ne duam të aderojmë , por ato janë dhe themeluesit e PD që e krijuan atë si antipod të regjimeve totalitare që e kanë burimin në Rusi dhe i dhanë dy herë fitoren në një situatë ku vendi sapo kishte dalë nga kthetrat e regjimit më të egër komunist dhe dihet që pa ndihmën e tyre .

Pra, nuk ka dyshim që debati i vërtetë brenda PD duhet të lidhet drejtpërdrejtë vetëm me të vërtetën me të cilën PD duhet të përballet, distancimin nga të korruptuarit, sepse vetëm pasi të përballet me këtë të vërtetë atëherë PD mund të përballet dhe me mazhorancën. Çdo debat tjetër është debat shterpë që nuk prodhon asgjë dhe vetëm riciklon krizën brenda PD, pikërisht sepse shmang thelbin e krizës.

Por, le t’i kthehemi arsyeve sepse televizionet e oligarkëve dhe kukuvajkat e gazetarisë që vegjetojnë prej vitesh në këto televizione po tentojnë që t’i shmangen një debati të vërtetë brenda PD, që është në fakt një debat që do t’i shërbente në radhë të parë qytetarëve dhe davaritjes së tymnajës së hedhur mbi PD në mënyrë krejt të padrejtë.

Arsyeja e parë lidhet me nevojën për t’i ikur debatit real në lidhje me akuzat për korrupsion dhe minim të demokracisë nga aleati më i madh i kombit shqiptar dhe mbartësit më të madh të vlerave perëndimore, për të cilat z. Gabriel Escobar ka deklaruar se në një vend normal demokratik me drejtësi të pakapur sot Berisha do të ishte në burg.

Arsyeja e dytë lidhet me fshehjen e të vërtetave ulëritëse që zbuloi Mcgonigal, ku qartësohet sulmi politik mbi Lulzim Bashën dhe ku qartësohen arsyet e vërteta të bllokimit të rrotacionit në 25 prill, çka rrëzon dhe të gjitha akuzat e ngritura kundër Lul Bashës qoftë nga Rama, qoftë nga foltorja.

Ndërsa arsyeja e tretë lidhet me fshehjen e dështimit të të gjitha ndryshimeve dhe proceseve të premtuara nga rithemelimi ku bie në sy flakja tej e tezave konservatore të cilat iu premtuan demokratëve, dështimi i zgjedhjeve për institucionet e brendshme në parti ku bien në sy zgjedhjet në forumin rinor ku pati akuza deri edhe për mbushje të kutive dhe dështimi i primareve ku u qartësua se sërish kandidatët po përzgjidheshin me orientim nga lart si gjithmonë dhe prova më ulëritëse për këtë ishte “dorëheqja” e komanduar e z. Alimehmeti, një figurë tejet premtuese në kuptimin e simbolikës që figura e tij përfaqësonte për një ndryshim real në PD.

Thënë kjo është e qartë që ka një përpjekje për të marrë peng debatin mbi PD dhe për ta devijuar atë nga misioni i saj si gardiane e vlerave perëndimore dhe demokratike.

Kjo provon që nuk ka asnjë dyshim që establishmenti i korruptuar i tranzicionit shqiptar, është investuar totalisht në mbajtjen e PD në krizë permanente, përmes keqpërdorimit të disa gazetarucëve që notojnë në luks me gjakun e shqiptarëve .

Dhe për t’i kthyer përgjigje pyetjes që ngritëm në titullin e këtij shkrimi e gjitha kjo bëhet me qëllimin kryesor për të mbajtur të bllokuar sistemin politik , çka po çon në asgjësimin e demokracisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH