Dossier

Koloneli nga Roma: Dua eshtrat e gjyshit tim, u pushkatua nga Enveri

               Publikuar në : 20:01 - 03/10/20 liberale

Memorie.al publikon intervistën me shtetasin italian, Terrencio D’Alena, me banim në Romë dhe me profesion mjek ushtarak me gradën e kolonelit në një nga Njësitë Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë pranë Policisë së Romës, i cili është nipi i Dr. Terenc Toçit, me origjinë arbëreshe, ish-sekretar Shteti, ministër i Ekonomisë dhe Kryetar i Parlamentit Shqiptar në periudhën e pushtimit italian të vëndit. Dëshmitë e rralla të z. D’ Alena lidhur me historinë e gjyshit të tij në Shqipëri, funksionet që ai ushtroi, pasionet dhe miqtë që kishte gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, si dhe refuzimin e tij për t’u larguar nga vëndi në fundin e Luftës, kur komunistët po merrnin pushtetin! Si e mësoi D’ Alena në Itali lajmin se në Tiranë te Kodra e Priftit, ishte zbuluar vënd-varrimi i 17 personave që u ekzekutuan në atë vënd në 14 prill të vitit 1945, ku mes tyre ndodhej edhe gjyshi i tij, kalabrezi Terenc Toçi, një nga personalitetet më në zë të Shqipërisë që nga Shpallja e Pavarësisë në vitin 1912. 

Nga Dashnor Kaloçi

Para pak ditësh në afërsi të Burgut të Burrelit, nga ana e strukturave përkatëse shtetërore filluan gërmimet për gjetjen e eshtrave të të dënuarëve që kanë humbur jetën në atë burg famëkeq që nga viti 1945 e deri në 1990-ën, kur në prag të ardhjes në Shqipëri të Sekretarit Shtetit të SHBA-ve, James Bejker, të dënuarit që mbaheshin aty u transferuan në burgun e Kosovës së Lushnjes. Thuhet se shkak për rifillimin e kërkimeve të të zhdukurve të atij burgu, është bërë shtetasi italian, Aldo Renato Terrussi, babi i të cilit, Giuseppe Terrussi, është njëri nga ish-të dënuarit e atij burgu, eshtrat e të cilt thuhet se prehn diku aty afër qershizës, bashkë me shumë të dënuar të tjerë që vdiqën në atë burg dhe trupat e tyre nuk u lejuan të merreshin prej familjeve të tyre. Por z. Aldo Renato Terrussi, nuk është i vetemi shtetas italian që pas viteve ’90-të vijnë për të kërkuar eshtrat e prindërve dhe të afërmëve të tyre në Shqipëri, që vdiqën gjatë periudhës së regjimit komunist në kampe dhe burgje të ndryshme, që ndodheshin në disa rrethe të vëndit. Një prej tyre është dhe Terencio D’Alena, i cili në vitin 2004, erdhi për të kërkuar eshtrat e gjyshit të tij. Për më shumë na njeh intervista që i morrëm në atë kohë z. D’Alena, të cilën po e publikojmë të plotë

A mund të na thoni se kush është Terencio D’ Alena dhe se çfar lidhje gjaku keni me Terenc Toçin, një prej 17 të pushkatuarve nga Gjyqi Special?

Unë banoj në Romë së bashku me gruan time Elvirën, me kombësi dhe shtetësi italiane. Babai im Nicola D’Alena ka punuar në zyrën e Këshillit të Ministrave në Romë. Unë jam diplomuar për Mjekësi, po në Romë në vitin 1982. Aktualisht punoj si mjek në repartin e ndërhyrjes së shpejtë të Policisë në Romë dhe kam gradën e kolonelit. Unë jam nipi i Terenc Toçit, pasi nëna ime Jeta (Rita) ka qënë një nga katër vajzat e tij.

Ku kanë lindur nëna dhe tezet tuaja?

Do ta nis nga gjyshja ime, pra bashkëshortja e Terencit e quajtur Klementina, e cila ka qënë italiane. Gjyshi im Terenc Toçi, është njohur me të në SHBA-ve, në fillim të shekullit të kaluar. Ai ndodhej atje për çështjen shqiptare. Nëna ime Jeta (Rita) ka lindur në San Cosmo di Albanese të Kalabrisë, ndërsa tezet e tjera të quajtura: Italia, Rosa, dhe Maria-Kristina, kanë lindur respektivisht në Salerno, Shkodër, dhe Tiranë.

Sa kohë ka jetuar në Tiranë gjyshi juaj dhe ku ka banuar ai?

Sa më kujtohet, nga tregimet e nënës dhe tezes Maria-Kristina që jeton ende në Romë, gjyshi im Terenc Toçi, ka ardhur në Shqipëri në vitin 1911. Më pas u largua dhe u rikthye në 1920-ën, për të mos u larguar më. Ai e quante veten shqiptar dhe banoi së bashku me familjen e tij në vilën nr. 4 e cila gjëndet pas hotel “Rogner” dhe para Radio Televizionit Shqiptar, (kryqëzimi i rrugës te Radio-Tirana). Ai e ndërtoi dhe e arredoi vetë atë rezidencë në vitet 1926-’27, së bashku me një arkitekt italian.

Çfar funksionesh ka pasur Terenc Toçi gjatë viteve që ka jetuar dhe punuar në Shqipëri?

Ai ka pasur shumë funksione, por disa nga ato më të rëndësishmet kanë qënë: Sekretar i Përgjithshëm i Republikës në vitin 1922, Ministër Ekonomie, dhe Kryetar i Parlamentit në vitet ‘40. Dua të shtoj, që kur ka mbajtur këtë post, gjatë Luftës, ai ishte kundër shtetëzimit të disa ndërmarrjeve shqiptare nga italianët, në mënyrë që ato të ngeleshin pjesë e Shqipërisë.

Përveç politikës, a ka pasur pasione të tjera gjyshi juaj?

Gjyshi im Terenc Toçi i hyri politikës me qëllim që të ndihmonte çështjen shqiptare, për të cilën ai i kushtoi edhe jetën. Përveç këtyre, ai studionte gjuhën italiane, shqipe, dhe atë franceze. Ai përshtati në shqip Kodin Civil italian, pasi ishte diplomuar për Drejtësi. Gjithashtu ai kundërshtoi dënimin me vdekje që ishte në Kodin Penal të kohës. Toçi hartoi një fjalor italisht-shqip, për të gjithë ata italianë që donin të mësonin shqip. Po kështu ai merrej dhe me botanikën.

Cilët kanë qënë miqtë më të afërt të tij në vitet e fundit të jetës?

Ndër miqtë më të afërt ai kishte gjeneralët Jakomoni, dhe Pariani, juristin Thoma Orollogai, dhe Dr. Simonidhin.

Në vitet e pushtimit 1939-’44, me kë jetonte ai në Shqipëri?

Gjatë atyre viteve ai jetonte me gruan Klementinën dhe me njërën nga vajzat, Maria-Kristinën që kishte lindur në vitin 1931.

A kishte mundësi që Terenci të largohej nga Shqipëria në fundin e vitit 1944, dhe të mos arrestohej nga komunistët?

 Gjyshi im, i kishte të gjitha mundësitë për t’u larguar nga vëndi, madje pati dhe oferta, por nuk pranoi. Ai e quante veten krejt të pastër dhe se nuk kishte pasur punë me askënd por vetëm kishte bërë të gjitha përpjekjet, për të kontribuar për çështjen shqiptare. Njëherë, gjyshja më ka treguar që tek porta na erdhën disa gjermanë, të cilët trokisnin pa pushim. Ajo i tha që ta hapte portën, pasi ata mund ta shqyenin atë. Kur doli Terenci, ata i thanë nëse kishte partizanë në atë shtëpi, dhe ai i’u përgjigj, jo. Atëherë ata hynë dhe ndënjën gjithë natën, duke pirë shampanjë. Me këtë rast ai kishte pasur mundësi që të arratisej, por nuk e bëri.

Kur dhe si e arrestuan?

Ai u arrestua në nëntorin e vitit 1944, në vilën e tij, krejt i qetë. Aty shkuan disa partizanë të cilët i thanë që të shkonte me ta, për “një sqarim deri në komandë”! Ai e kuptoi dhe qetësisht dorëzoi pistoletën në tavolinë dhe u nis me ta.

Gjatë kohës që ishte në hetuesi, u lejua të takohej me gruan dhe vajzën?

Klementina dhe vajza 14-vjeçarem Maria-Kristina, u lejuan ta vizitonin tre katër herë gjatë kohës që ai qëndroi në burg. Ato shkonin për t’a takuar në burg, në orën gjashtë të mëngjesit dhe pasi prisnin dy-tre orë të hapej porta, futeshin brenda së bashku me familjet e të arrestuarve të tjerë. Në kohën që ato komunikonin me të afërmit e tyre, prezent kishte roje partizane, të cilët talleshin, qeshnin dhe i fyenin ato.

A morën pjesë ato gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore?

Jo, nuk i lanë.

Po për vëndin e ekzekutimit të tyre, a mundën të mësonin?

Vëndin e ekzekutimit ato e mësuan që të nesërmen, pasi atë ua tregoi prifti italian, Kijezo, i cili u lejua të kryente ritet fetare para pushkatimit. Ai njihte tezen time, Maria – Kristina dhe u tregoi atyre edhe fjalët e fundit të Terencit, para pushkatimit, i cili i kishte thënë: “Nuk kam asgjë për t’u penduar. I kërkoj falje vetëm familjes sime, por politikisht nuk kam asgjë për të qortuar veten”. Kështu dy ditë pas ekzekutimit, Klementina dhe Maria- Kristina shkuan aty tek Kodra e Priftit dhe vendosën një buqetë me lule dhe kryqin pranë varrit të tyre.

Si e mësuan ato se kush ishte varri i tij, kur aty ishin 17 të pushkatuar?

Atë ua tregoi prifti Italian, duke u thënë se kur u pushkatuan, Terenci ishte në rreshtin e parë, (nga ana lindore) i lidhur dorë më dorë me hekura me Fejzi Alizotin.

Pas ekzekutimit të Terenc Toçit, Klementina me vajzën, si u larguan nga Shqipëria?

Largimi i tyre nga Shqipëria është një kapitull vuajtjesh më vete. Por peripecitë e tyre filluan që gjatë kohës që Terenci ishte në hetuesi, kur ato i larguan nga vila e tyre, të cilën e sekuestroi shteti komunist me të gjitha orenditë që kishte brenda. Pas kësaj ato jetonin nëpër miqtë e tyre në Tiranë, sidomos tek familjet Dino, Libohova dhe Toptani. Të ndodhur në atë situatë të vështirë, ato shkonin në zyrat e shtetit shqiptar duke kërkuar një vizë, për të ikur në Itali për disa punë të tyre, por nuk i lejonin, ndonëse ata jepnin disa garanci se do të ktheheshin përsëri këtu. Pasi e panë të pamundur që të largoheshin në mënyrë legale nga Shqipëria, ato biseduan me një pilot ushtarak britanik, i cili e mori përsipër transportimin e tyre jashtë Shqipërisë. Atë rrugëtim, ai e mori përsipër kundrejt një shpërblimi prej një sendi të florinjtë me vlerë shumë të madhe, që gjyshja Klementina, kishte mundur ta fshihte në trupin e saj, në momentin e kontrollit të vilës prej partizanëve. Kështu ato u larguan nga Shqipëria, për në Bari në mënyrë klandestine, disa ditë para krishtlindjeve të vitit 1945.

Deri kur ka jetuar Klementina në Itali dhe ku ka banuar?

Klementina ka jetuar deri në vitin 1971, dhe ajo ka qenë me një shtat të shkurtër dhe e dobësuar nga trishtimi i vrasjes së burrit të saj. Klementina ka banuar në një shtëpi në Romë së bashku me tre vajzat, njëra prej të cilave ishte e martuar e me fëmijë.

Kur e keni mësuar ju se gjyshi juaj, Terenc Toçin e kishin ekzekutuar komunistët në Shqipëri?

Që i vogël unë jam edukuar dhe rritur në një klimë të tillë familjare, me një urrejtje të madhe për rregjimin komunist. Që kur ishte gjallë gjyshja më thoshte: “Kur të rritesh të shkosh në Shqipëri dhe të luftosh kundër komunizmit”

Para se të vdiste gjyshja, a jeni interesuar ndonjëherë pranë ambasadës shqiptare në Romë për eshtrat e Terenc Toçit në Shqipëri?

Shtëpia jonë në Romë, ka qenë fare pranë ambasadës shqiptare, por ne nuk komunikonim asnjëherë me ta. Ata na dërgonin vazhdimisht revistën “Shqipëria e re”, e cila ishte e mbushur gjithë gënjeshtra.

Para viteve ’90 a keni pasur miqësi me familje shqiptarësh që jetonin në Itali?

Familja jonë para viteve ‘90 ka pasur miqësi të ngushtë me vëllezërit Asllan dhe Kapllan Libohova, që jetonin në San-Remo.

Si e mësuat lajmin për gjetjen e vëndvarrimit të eshtrave ku është ekzekutuar edhe gjyshi juaj, Terenc Toçi?

Lajmin për gjetjen e eshtrave unë e mësova nga një shqiptar i quajtur Sokol Borshi, që jeton në Pamezia në Romë, i cili gjithashtu kishte gjyshin të ekzekutuar bashkë me të 17 të ekzekutuarit, te Kodra e Priftit. Më pas, ne u njohëm edhe me email që na i dërgoi mbesa e tij, Aurora.

Çfar bëtë kur mësuat lajmin?

Sapo mësova lajmin, u’a thashë menjëherë tezeve të mija, por ato u treguan shumë skeptike. Tezja ime, Maria – Kristina tha: “Me siguri ky lajm ka diçka prapa”.

Për çfar e kishte fjalën tezja juaj?

Tezja ime u tregua skeptike për faktin se Terenc Toçi nuk kishte dhe akoma statusin e të Përndjekurit Politik. Kjo gjë është një turp. Po kështu është e pashpjegueshme se edhe në revistat që botohen në Kalabri, nuk flitet fare për Terenc Toçin.

Mars 2004, “Gazeta Shqiptare” dhe News24, zbuluan vëndvarrimin e 17 të pushkatuarëve me Gjyqin Special

Më 24 mars të vitit 2004, në verilindje të Tiranës, në vëndin e quajtur Kodra e Priftit, u zbulua vëndvarrimi i eshtrave të 17 viktimave të pushkatuara në 14 prillin e vitit 1945, me vendimin e Gjyqit Special, ku mes tyre ndodhej edhe kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari. Përveç Omarit, në listën e atyre 17 personave që u ekzekutuan 75 vite më parë, ndër më të njohurit ishin: Javer Bej Hurshiti, Terenc Toçi, Fejzi Alizoti, Kol Tromara, Aqif Përmeti, Dik Cami, Beqir Valteri, Shyqëri Borshi, Ismail Golemi, Gustav Mirdash etj. Të gjithë këtë persona kishin pasur funksione të larta si kryeministra, ministra, deputetë, gjeneral, diplomatë, prefekt, kryetar bashkish etj. Në të gjitha qeveritë shqiptare që nga ajo e Ismail Qemalit, deri tek ajo nën pushtimin gjerman në fundin e vitit 1944. Arrestimi i tyre nga komunistët të cilët ishin në pragun e fitores së luftës dhe marrjes së pushtetit, kishte filluar që në vjeshtën e vitit 1944, akoma pa mbaruar lufta dhe vazhdoi deri në janarin e vitit 1945 kur u arrestuan dhe personat e fundit të atij grupi të madh prej 73 vetësh, që u izoluan asokohe në burgun e vjetër të Tiranës. I gjithë ai grup i madh të arrestuarish, pasi u mbajtën për tre katër muaj në hetuesi, në qelitë e atij burgu, u nxorrën para Gjyqit Special, i cili kryesohej nga Kryetari, gjeneral-leitnant Koçi Xoxe dhe Prokurori, gjeneral-major, Bedri Spahiu. Pas afro një muaj e gjysëm seancash gjyqësore, ai preoçes i bujshëm që u zhvillua në ish-Kinema “Kosova” dhe që u ndoq me autorpolant edhe jashtë sallës nga mijra banorë të Tiranës, e mbylli siparin e tij më datën 12 prill, kur u dha vendimi dhe u komunikua dënimi me vdekje pa të drejtë apelimi për 17 prej tyre.

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back