Letërsi

Kolana UETPRESS/ 'Dashuri dhe Pushtet' nga Bruno Vespa

Shkruar nga Liberale

Dashuria dhe pushteti është rrëfimi i historisë së Italisë të shekullit të fundit, jetuar nga gratë që kanë qenë në krah të protagonistëve të saj.

Nga Benito Musolini te Romano Prodi, nga Vitorio Emanueli III te Silvio Berluskoni, nga Alçide de Gasperi te Betino Kraksi, nga Antonio Gramshi te Valter Veltroni…

 Italia e shekullit XX:  Si kanë dashuruar të pushtetshmit?

Bruno Vespa

“Sigurisht që do të martohesha përsëri me gruan time. Përse? Isha i dashuruar dhe jam edhe sot e kësaj dite.” Kjo përgjigje e Romano Prodit jehoi si një gjëmim në hollin kryesor të pallatit Kixhi. Asnjëherë fjala “dashuri”, e varrosur nga tonelata druajtje, nuk ishte shfaqur në fakt në bisedat mes Kryeministrit dhe bashkëshortes së tij Flavia. Kësisoj, kur Profesori e shqiptoi, lajmi u përhap në korridore me të njëjtën emfazë me të cilën, dymijë vjet më parë, turmës iu njoftua ringjallja e Lazarit.

Mjafton një shembull i thjeshtë për ta kuptuar. Një ditë Sandra Xampa, drejtuesja e zyrës së shtypit në pallatin Kixhi dhe mikesha e Flavias, po rishihte me të bocat e librit “Insieme”, i shkruar bashkërisht nga çifti Prodi. Në një moment flitej për muzikën: Flavia kishte përdorur një shprehje të tipit “më pëlqen…”, dhe Sandra i kishte sugjeruar ta zëvendësonte me “dua”. Gruaja e Profesorit e kishte parë e shastisur: “Unë nuk e përdor kurrë këtë fjalë…”

Disa qindra metra larg pallatit Kixhi, në atë faltore të opozitës, që është pallati Gracioli, Silvio Berluskoni më bën një përmbledhje (katër orë në tri takime) të historive të tij dashurore dhe, kur flasim për Veronikën, me të cilën ka ndarë çerekshekullin e fundit, më thotë: “Ka qenë dhe mbetet gruaja e jetës sime. Është shoqja më e mirë që një burrë mund të dëshironte”.

Dashuria dhe pushteti është rrëfimi i historisë së Italisë të shekullit të fundit jetuar nga gratë që kanë qenë në krah të protagonistëve të saj: nga Benito Musolini te Romano Prodi, nga Vitorio Emanueli III te Silvio Berluskoni, nga Alçide de Gasperi te Betino Kraksi, nga Antonio Gramshi te Valter Veltroni. Histori të ndryshme, ndonjëherë të paqta e ndonjëherë dramatike. Shumë prej drejtuesve tanë kanë pasur më tepër se një martesë dhe shpesh jeta e tyre politike është kapërthyer me çështje personale delikate. Por, gjithmonë, ndonëse me dritëhije të ndryshme, gratë kanë pasur një ndikim jo të parëndësishëm në ekzistencën, domethënë në zgjedhjet e atij që ka qeverisur ose të atij, që ka pasur një rol vendimtar në politikën italiane. Disa prej këtyre grave nuk kishin folur kurrë më parë, të tjerat e kanë mposhtur druajtjen që prej shumë vitesh i kishte shtyrë të qëndronin në heshtje. I falënderoj sinqerisht që të gjitha, sikurse falënderoj burrat e tyre, të cilëve në pesëmbëdhjetë vitet e fundit u kam kërkuar ngaherë vetëm vlerësime dhe sekrete politike, dhe që shqyen sytë kur i ftova të flasin për dashurinë.

Kurioziteti i parashikueshëm i lexuesit – dhe veçanërisht mendoj ai i lexueses – mbi bashkëkohësit, më bëri të vendos në fillim të vëllimit historitë e Prodit dhe të Berluskonit, dhe reagimet, shpesh krejt të panjohura, të bashkëshorteve të tyre, Flavia dhe Veronika. Ndërsa duke filluar nga kapitulli i dytë ndoqa rendin kronologjik, duke nisur nga jeta e pabesueshme sentimentale e Benito Musolinit, e njohur nga pjesa më e madhe vetëm me fundin e saj tragjik, dhe që ka qenë për të një punë e dytë e mirëfilltë,por e ushtruar me të njëjtin pasion si me të parën...

PJESE NGA LIBRI

Berluskoni: Përse hoqa dorë nga kumari dhe duhani

Si shumë italianë, i riu Berluskoni kujton me nostalgji makinën e tij të parë, një Fiat 500-sh që shërbeu si rast për një aventurë zbavitëse me një prej të dashurave të tij të para. “Fiatin e parë 500 -sh e bleva në vitet e universitetit më tregon ai, dhe u përpoqa ta transformoja në një prodhim jashtë serie. Te një miku im i vesha sediliet me lëkurë të kuqe dhe i vizatova një rrip të kuq përreth karrocerisë. Për të përuruar automobilin e ri, e ftova të dashurën të kalonim një fundjavë në Liguria, në Varigoti. Asokohe nuk kishte autostradë dhe në rrugën shtetërore për Gjenovë na u desh të ndalojmë në një kalim treni. U mblodh një grumbull njerëzish. U bëra kureshtar, u afrova dhe pashë se po bënin lojën me tre letra bixhozi. Që atëherë kisha jashtëzakonisht besim te mprehtësia ime. Pashë disa duar loje dhe mendova se e kisha kuptuar trukun, ndaj nisa të luaj. Fitova, u ktheva për të luajtur dhe fitova përsëri. Ndërkaq treni po vinte. I zoti i lojës më thirri: ‘Duhet të më japësh mundësinë e shpagimit. Nëse ta mban, luaj gjithë ç’ke fituar’. I prekur në sedër, unë luajta dhe, natyrisht, humba. Që prej asaj kohe kuptova se amatorët nuk duhet t’i sfidojnë kurrë profesionistët”.

“Treni kaloi, trau i kalimit u ngrit, të gjitha makinat u nisën dhe mbeti pas vetëm ‘500’-ja ime me vajzën që më priste brenda. Nuk pata kurajë t’i thosha: “Jam një torollak, i humba të gjitha paratë me atë tipin aty. S’ka më fundjavë në Varigoti, do të kthehemi në shtëpi”. Kjo qe e papranueshme për mua. Më mbetej veçse një mundësi: t’i lutesha fituesit. I thashë vetes: “Nëse më ecën, betohem se nuk do të luaj kurrë më në jetën time”. Ia përshkrova situatën.”‘Mos më nxirr keq me të dashurën. Ki besim dhe m’i jep paratë e mia, do të t’i dërgoj me postë të hënën.” Ai ishte një napolitan simpatik, e sfidoi vetveten, dhe unë ia ktheva paratë me një dhuratë. E mbajta betimin: nuk kam vënë kurrë më bast dhe nuk do të vë kurrë bast në jetën time.”

Nuk luan më që prej 1958-ës, dhe nuk pi cigare që prej 1964-ës, për të respektuar një tjetër zotim solemn të bërë me veten në një moment profesional shumë të vështirë, në fillim të karrierës së tij si ndërtues. Siç do ta shohim, nuri prej joshësi të madh, i shërbeu edhe në atë rast. “Në moshën 28 vjeçare kisha nisur ndërtimin e një qyteti të vogël për 4000 banorë në hyrje të Milanos. Ngecëm në një krizë të tmerrshme, nuk po shitej asnjë apartament. Ortakët e mi më kishin paralajmëruar: nëse nuk arrijmë të shesim një hyrje pallati, ne do ta braktisim sipërmarrjen. Erdhi për vizitë një delegacion i një fondi pensionesh, investues të zakonshëm në pasuri ta patundshme. Drejtohej nga presidenti i fondit, vendosmërisht kundër një emërimi jashtë Romës. Delegacioni që vinte nga Roma, kishte vendosur ta përshpejtonte vizitën me pesëmbëdhjetë ditë nga programi që na kishin lajmëruar. Nuk po ju them sesi u mobilizuam për të prezantuar apartamentet, kopshtin dhe shërbimet që ofronte në kushtet më të mira. Për të përfunduar punën u telefonova të gjithë të afërmve të mi dhe miqve më të ngushtë për t’i mbledhur tok atë mëngjes: doja t’u tregoja se kishte goxha interes për apartamentet tona. Vizita shkoi mirë, por presidenti mbeti ndërdyshas.

Filloi të shihte përreth dhe vuri re se një vajzë i përshëndeste dhe i puthte të gjithë ‘vizitorët’ e atij mëngjesi të shtune. ‘Ç’ne që i njeh të gjithë?’ më pyeti. Ishte kushërira ime. Duke mos qenë në dijeni të situatës, ajo u kishte telefonuar të gjithë të afërmve tanë dhe gjithkund i qenë përgjigjur: “Kanë shkuar te Silvio’. ‘Ç’të ketë ndodhur vallë?”, kishte pyetur ndaj erdhi edhe ajo. Kur mbërriti, gjeti të afërmit dhe miqtë dhe i përshëndeti përzemërsisht që të gjithë, një për një. Ai burrë kishte një sy të hatashëm…”

“Bashkëpunëtorët e tij sidoqoftë ishin dakord për blerjen, por më thanë se ishte e domosdoshme të bindej ai. Atëherë u rreka të njoh dikë që i rrinte afër. Ia dola me një sekretaren e tij. I kërkova të më ndihmonte: “Kur presidenti të vijë në Milano, më prenoto në tren një vend përballë tij”. Dhe ashtu ndodhi. Pa e ditur ai u ul kundruall meje, ndërsa unë mbuloja fytyrën me një gazetë “Corriere della Sera”. Kur treni u nis, ula gazetën. Ai shtangu: “Ja armiku im”, ia nisi. Por në fund, kur arritëm në Milano, ishim bërë si miq të vjetër. Natyrisht, m’u desh t’i garantoja fitimet, kufizimin e shpenzimeve dhe koston e administrimit. Por pas një muaji, kur komisioni i fondit u mblodh për vendimin përfundimtar, presidenti ishte ndër mbështetësit më të vendosur për leverdinë e blerjes. Unë prisja në një kafene të rrugës kombëtare që të më komunikonin vendimin. Për mua ishte jetësore sepse, përndryshe, do të më duhej ta mbyllja kantierin. I pija cigaret njëra pas tjetrës, koha kalonte dhe vendimi vononte. E ndëshkova veten edhe me diçka tjetër: Nëse e vendosin blerjen, nuk do të tymos më as edhe një cigare të vetme për tërë jetën. Ata e blenë dhe, që prej asaj dite, unë nuk kam prekur më cigare me dorë.”

Deri këtu aventurat rinore të Silvio Berluskonit. Ose më saktë, një ide e zbehtë për to. Sepse, siç thotë Leta, për t’i treguar të gjitha nuk do të mjaftonte as një libër i tërë. Gjithsesi në 1980-ën, kur ishte 44 vjeç jeta e Kavalierit ndryshoi falë gruas që edhe sot e kësaj dite është bashkëshortja e tij….

***

“Qëndrueshmëria e marrëdhënies tonë” më rrëfen Veronika Berluskoni “është ndërtuar me kalimin e kohës. Jemi si Duomo e Milanos, punimet e së cilës nuk përfundojnë asnjëherë. Mund të them se edhe sot e kësaj dite jemi në punë e sipër, duke e forcuar gjendjen tonë sentimentale me miqësinë dhe besimin. Unë e dua shumë tim shoq dhe mendoj se kam me të një marrëdhënie miqësore si në çastet e nxehta, ashtu edhe në ato të ftohta. Por nuk mund të pohojmë se e kemi vënë gurin e fundit derisa ta kemi përshkuar deri në fund rrugëtimin tonë. Nëse do të kemi ende ca vite përpara dhe marrëdhënia jonë do të zgjasë, mund të themi se e kemi ndërtuar plotësisht një marrëdhënie të fortë dhe solide.”

Salla e ngrënies së vilës Belvedere ndriçohet nga ngrohtësia e fillim vjeshtës 2007-të. Dielli depërton nga kopshti i trëndafilave të parkut dhe në të djathtë ndriçon tryezën; ndërsa nga e majta, e përkëdhel drita veneciane e njërës prej pikturave më të nxehta dhe të gjalla të Kanaletos që kam pasur rastin të shoh. Solenne, esenca fisnike e meditimit të verës së akullt të Cascina Baricchi në Neviglie, shoqëron një bisedë që zonja Berluskoni e lë të endet lirisht nga arti te letërsia e deri te ndjenjat më të thella të një jete të dendur dhe të pasur me bilance, pavarësisht moshës ende të re.

Pavarësia e saj e gjykimit e ka shtyrë Valer Veltronin, në prag të kurorëzimit si lider i Partisë Demokratike, t’i kushtojë vëmendje në panteonin e ri të së majtës. (“Ejani me ne. Ju kam takuar në Kampidolio. Është e hapur dhe kureshtare. Një person i rrallë”). Gratë e PD-së reaguan keq (“Jemi të zhgënjyera dhe u ndjemë paksa torollake”). Ajo u shmang me mirësjellje. (“Faleminderit, por nuk mundem. Si bashkëshorte e liderit të opozitës kam një rol dhe e respektoj atë: ka kufij që nuk mund të kapërcehen”), por shtoi se të dëgjonte mbiemrin Berluskoni të shqiptohej nga një burrë i së majtës, për herë të parë jashtë një konteksti negativ, kjo e kishte befasuar. Dhe fitoi admirimin e të shoqit.

Prej më shumë se njëzetë vitesh shqetësimi kryesor i Veronikës ka qenë edukimi i fëmijëve dhe bilanci është plotësisht pozitiv: Barbara, vajza më e madhe studion filozofi në Universitetin Katolika të Milanos; Luixhi, më i vogli, ka nisur studimet në ekonomi në Bokoni; Eleonora ka kaluar një pjesë të verës me të ëmën për të mobiluar (me mobilie Ikea) apartamentin e vogël në Nju Jork, ku studion edhe ajo për ekonomi. Ka shumë unitet mes tre fëmijëve dhe prindërve, dhe ndonëse nuk janë më të vegjël, e ëma e konsideron një çështje nderi praninë, si rregull, për drekë dhe darkë. Përgjithësisht, i ati, është këtu të dielën dhe të hënën në mbrëmje, duke u ndarë për pjesën tjetër të javës mes vilës shumë të afërt San Martino D’Arkore, rezidencës së murgët e solemne, që është pallati Gracioli, në Romë dhe Çertozës në Porto Rotondo, me punët e përhershme dhe fantastike të kopshtarisë.

Silvio Berluskoni dhe Veronika Lario u njohën njëzetë e shtatë vjet më parë.

“Prej pak kohësh kisha marrë drejtimin dhe administrimin e teatrit Manxoni të Milanos, - më rrëfen ai, - dhe një mbrëmje, në 1980-ën, shkova në premierën e Brinjarit të mrekulleshëm të Fernand Crommelynck-ut, në të cilën luante Enriko Maria Salerno. Veronika qe protagonistja femër dhe në komedi, Salerno ishte marrëzisht i dashuruar pas saj. U mbusha plot admirim nga shfaqja e Veronikës dhe shkova ta takoj në kamerino për t’i përgëzuar, atë dhe Salernon.”

“Edhe sot e kësaj dite Silvio është i bindur se ai ka qenë takimi ynë i parë”, saktëson ajo. “Në të vërtetë, një vit më parë Alberto Lioneli luante në teatrin Manxoni me Erika Blankun. Unë punoja në një tjetër kompani teatrore, dhe një miku im aktor më kishte thënë se shtrohej një darkë në shtëpinë e pronarit të ri të teatrit. E njoha pikërisht atëherë atë që do të bëhej bashkëshorti im. M’u qep menjëherë, por me sa dukej pas një viti e kishte harruar….”

Nga takimi i dytë, vardisja zgjati katër muaj. “Një vardisje vetëm telefonike, sepse ajo ishte vazhdimisht sa andej këtej me kompaninë teatrore…”, kujton ai.

“Telefonata dhe përkëdheli” kujton ajo. “Telefonatat qenë të vazhdueshme. Kur aktroja në Romë, banoja në një shtëpi kallkan. Ai më dërgoi një batanije të butë e të bukur, dhe ky ishte një mendim shumë i ëmbël. U takuam përsëri në Romë.”

Duhej të vinim pikat mbi “i” në jetën tonë

“Unë isha drejtor i gazetës Tempo, më tregon Xhani Leta, me të cilin Veronika është shumë e lidhur. E njhja Berluskonin si sipërmarrës televiziv, por ishim takuar veçse ndonjë herë. Një ditë kërkoi të më takonte dhe më tha: “Pasnesër debuton në Quirino kompania teatrore e Enriko Maria Salernos. Protagonistja është një aktore shumë e zonja, fantastike. Sikur t’i jepje një dorë…”. Kritiku i teatrit në gazetë ishte Xhorxho Prosperi: me shumë autoritet, shumë i rreptë, dhe të cilit nuk i kisha rekomanduar kurrë askënd. E vura në dijeni për Veronikën, dhe ai më telefonoi që atë natë të premierës, pas shfaqjes: ‘Shiko, është vërtet e zonja. Me kënaqësi do të shkruaj mirë për të…’”

“Veronika ishte përnjëmend shumë e talentuar”, vijon Berluskoni. “E mprehtë, kureshtare, e ndjeshme, inteligjente. Kishte studiuar në liceun artistik dhe vizatonte shumë bukur. Nuk e kishte ndjekur universitetin sepse që në moshë të vogël kish humbur të atin dhe i qe dashur të punonte për të jetuar, duke zgjedhur të merrej me teatër…” Kësisoj Lela Bartolini mori emrin e artit si Veronika Lario./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH