Kryesore

Kohë reformash, jo bojkoti

               Publikuar në : 10:07 - 02/11/19 liberale

Koherent me qëndrimet e tij që prej fillimit të krizës politike në Shqipëri, Përfaqësuesi i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer i ka bërë thirrje opozitës jashtë parlamentit të shfrytëzojë mundësinë e negocimit të Reformës Zgjedhore. Sipas tij, bojkoti nuk ka sjellë dhe nuk do të sjellë zgjedhje të parakohshme, ndërsa  PD dhe aleatët kanë rastin të arrijnë produktin konkret, si e duan ata, për zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa muaj më parë do t’ua linte institucioneve, që priten të krijohen, zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri, kryesisht me çështjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, dje Matthew Palmer do t’i drejtohej  opozitës jashtëparlamentare se zgjedhjet e parakohshme nuk do të vinin përmes bojkotit.

Nga Prishtina, Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor do të theksonte se Reforma Zgjedhore ishte rast që duhej shfrytëzuar nga opozita për ta negociuar atë.

“Një rol për ju ekziston. Merreni këtë rol. Bojkoti nuk ju ka sjellë fuqi më të madhe politike. Ai nuk solli zgjedhje të parakohshme dhe nuk mund të sillte të tilla”, iu drejtua Palmer PD-së dhe partive aleate, që në shkurt të këtij viti vendosën të digjnin mandatet parlamentare e të nisnin protestat në rrugë.

Koherent me qëndrimet e tij, ashtu sikurse do të bënte në prill kur vizitoi Tiranën kur i kërkoi opozitës të riangazhohej në procesin politik apo pak ditë para zgjedhjeve lokale kur tha se ShBA priste që ato të mbaheshin më  30 qershor, Palmer do ta quante dje ngërçin politik të fabrikuar.

Miratimi i Reformës Zgjedhore është kthyer tashmë në kërkesën  kryesore të faktorit ndërkombëtar, ndërsa Bundestagu e renditi ndër të parat në nëntë kushtet që qeveria shqiptare do të duhej të përmbushte kundrejt çeljes së negociatave, ndërsa  përpjekjet për t’i afruar palët në një tryezë pati më herët nga OSBE, ku PD ra dakord të dërgonte përfaqësuesin e saj, që propozoi mes të tjerash ngritjen e një strukture të posaçme ndërkombëtare për miratimin e saj.

Ndërsa kryeministri Rama e hodhi poshtë idenë, kreu i opozitës do të sqaronte se kërkohej një strukturë në nivel ekspertësh për konsultim dhe jo vendimmarrje.

Palmer shkon më tej, duke thënë se opozita duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të negociuar reformën zgjedhore që kërkon dhe se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të lehtësojë një përpjekje serioze në këtë aspekt. Deri më tani, opozita ka paraqitur një paketë me pesë pika, të emërtuar “antikrizë”, të cilën ia ka paraqitur edhe kryeministrit Rama, por më shumë sesa propozime konkrete në ndryshime të Kodit aktual Zgjedhor janë kushtet e opozitës për të mos hyrë në një Komision të Reformës Zgjedhore, ndërsa kryetar i tij është deputeti Damian Gjiknuri, i denoncuar publikisht nga selia e PD-së për blerje votash në qarkun e Dibrës, si edhe mospërfshirjen e opozitës parlamentare, që ajo jashtë parlamentit e cilëson si jo legjitime.

Ndërsa Komisioni i Reformës u mblodh pak ditë më parë për të diskutuar draftin me ndryshime të propozuar nga maxhoranca, PD nuk pranoi të marrë pjesë ndërsa paralelisht ngriti një tryezë me ekspertë të opozitës për hartimin e një drafti, prej të cilit ende nuk është zbuluar diçka konkrete.

Basha, megjithëse e ka vendosur në prioritetet e opozitës miratimin e Reformës Zgjedhore dhe është zotuar pas prezantimit të nëntë kushteve gjermane se do të bëjë çka në dorë për përmbushjen e tyre, e sheh zgjidhjen e krizës tek vullneti politik. Sipas tij edhe korniza aktuale ligjore e Kodit Zgjedhor është e plotë, por mungon vullneti politik. Çelësi i suksesit, për kryeopozitarin është ndarja e politikës nga krimi, ndërsa për muaj me radhë PD  është angazhuar në denoncimet e kryebashkiakëve të tij dhe lidhjet e tyre me krimin.

Megjithëse Basha i sheh nëntë kushtet e Bundestagut si udhërrëfyes për daljen nga kriza dhe perspektivën europiane të vendit, deri më tani nuk ka pasur shenja afrimi për dialog. Ishin aleatët e ti, në një qëndrim unanim që shprehën gatishmërinë për t’u përfshirë në dialog rreth Reformës Zgjedhore, ndërsa kreu i Partisë Republikane mendon se opozita duhet të dalë urgjentisht me një produkt për Reformën Zgjedhore.

Deklaratave të tri ditëve më parë të kreut Basha për zgjedhje të parakohshme, Përfaqësuesi i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, i cili këto ditë ndodhet për një tur në rajon, i është përgjigjur se ato nuk mund të vijnë përmes bojkotit dhe se asnjëherë bojkoti nuk ka sjellë zgjedhje të parakohshme. Por, është koha, që  opozita do të mund t’i paraqesë popullit një arritje konkrete për të vendosur, përmes një procesi të drejtë zgjedhor,  drejtimin që ajo dëshiron të marrë vendi, ka thënë Palmer në një takim në me studentë dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, në Kosovë.

ShBA e ka theksuar nevojën e Reformës Zgjedhore edhe përmes drejtorit për Europën Jugore dhe Qendrore në DASh, David Kostelancik gjatë vizitës së tij në Tiranë, gjatë muajit shtator. Zyrtari amerikan do të rekomandonte se ishte përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit, sipas Kostelancik do të mundësonte edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020.

Edhe e emëruara e presidentit Trump për ambasadore të ShBA në Tiranë, tha pak ditë më parë para senatit se nëse do të konfirmohej do t’i shtynte  liderët shqiptarë të zgjidhnin ngërçin politik aktual në një mënyrë që forcon perspektivën e Shqipërisë  për anëtarësim me BE dhe e pozicionon më mirë vendin për t’ia dalë me sukses gjatë presidencës së OSBE, në 2020-n.

Thirrje të herëpashershme ka pasur edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, që u sugjeronte palëve politike ta nisnin dialogun për zgjidhje pikërisht nga Reforma Zgjedhore.

Për Bashën, zgjidhja do të mundësohet vetëm prej zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa tre ditë më parë theksoi planin  e opozitës prej pesë pikash për Reformën Zgjedhore.

Një prej pikave thekson qëndrimin e opozitës se diskutimi mbi Reformën Zgjedhore duhet të kryhet sipas një rendi përparësish, ku në radhë të parë duhet të jenë problematikat, që kërkojnë vullnet politik për kryerjen e zgjedhjeve demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese kushtetuese e më pas, ato me karakter teknike. Por nga ana tjetër, kryeministri Rama e ka bërë të qartë se prioritet i Reformës është miratimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR në parlament në fazën e parë dhe diskutimet e tjera, në një fazë të dytë.

“Zgjedhjet nuk janë një çështje mendimi apo dëshire por një çështje vullneti e të gjitha palëve. Duhet garantuar liria e votës për qytetarët shqiptarë”, ka thënë Basha, ndërsa opozita ka në propozimet e veta prej pesë pikash ka kërkuar hetimin për shkelje zgjedhore si shitblerja e votës,  presioni mbi zgjedhësit në administratë publike,   abuzimi me burimet njerëzore dhe financiare shtetërore, cenimi i sekretit dhe lirisë së votës si edhe   manipulimi dhe falsifikimi i rezultatit. Basha pak ditë më parë i ka bërë thirrje për reflektim maxhorancës, ndërsa pak kohë më parë iu drejtua kryeministrit të pranonte pikat e opozitës jashtëparlamentare, ose “ hap krahun!”. Nga ana tjetër, maxhoranca ka deklaruar se i ka shtrirë dorën Partisë Demokratike për Reformën Zgjedhore dhe vetë kryeministri Rama u dërgoi një letër publike të gjithë liderëve të partive jashtëparlamentare të uleshin në dialog për reformën. Rama ka theksuar 2021 si viti ku do të mbahen zgjedhjet parlamentare, ndërsa nuk e sheh aq të largët kohën dhe se e tashmja duhet shfrytëzuar për miratimin e Reformës, që ajo të mund të gjejë zbatim në zgjedhjet e ardhshme.

Edhe në kushtet e Bundestagut theksohet jo vetëm miratimi gjithëpërfshirës, por edhe zbatimi i Reformës në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërsa Gjermania ka vendosur në kushtet e saj vendimin përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, Palmer i cili fillimisht do të mbështeste mbajtjen e tyre më 30 qershor duke u bërë thirrje liderëve të opozitës që ccdo pengim i procesit do t’u faturohej atyre dhe partitë do të renditeshin si organizata të dhunshme në ShBA, do të pranonte pak muaj më parë se kishte rezerva dhe shqetësime për zgjedhjet lokale nisur edhe nga raporti i OSBE/ODIHR, por që ua linte institucioneve zgjidhjen e tyre.

Palmer, në intervistën dhënë Zërit të Amerikës gjatë gushtit, do të thoshte se ShBA nuk zgjidhnin fitues apo humbës në lojën politike.

“Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë”, do të thoshte ai, ndërsa qëndrimi i tij edhe pas disa muajsh vijon të mbetet i njëjtë.

Edhe në prill, kur vizitoi Tiranën dhe nënvizoi se ShBA e njeh qeverinë shqiptare të zgjedhur sipas rregullave dhe me institucione, Palmer do të kritikonte mjetet e përdorura nga opozita. “Bojkotimi i zgjedhjeve dhe djegia e mandatave, janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike”, deklaronte Palmer në prill, duke i nxitur partitë opozitare të ri angazhoheshin në procesin politik. Atëkohë mendonte ai se zgjedhjet lokale të 30 qershorit ishin mundësia më e mirë për opozitën për t’u kthyer në sistem, pa harruar edhe dialogun për reformën zgjedhore.

“Mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi”, theksonte zyrtari amerikan, i cili pas detyrës që mori nga Sekretari i Shtetit si përfaqësues për Ballkanin është edhe më i pranishëm në çështjet e rajonit. Ndonëse opozita nuk i dëgjoi thirrjet e ShBA-së dhe i bojkotoi zgjedhjet e 30 qershorit, me akuzat ndaj  qeverisë pikërisht për shitblerje të votave partitë jashtë parlamentit nuk kishin më garancinë për një proces të rregullt, tetë muaj jashtë sistemit në emër të ShBA Palmer u tregon rrugën për të rihyrë, e cila sipas tij nuk mund të jetë me bojkot, porse vetëm përmes negocimit të Reformës Zgjedhore. /Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back