Krye

Klubet studentore në UET, çelësi i zbulimit dhe ushtrimit të aftësive

               Publikuar në : 09:32 - 07/04/21 liberale

Arsimimi është një proces shumë i rëndësishëm për një student, ku ai realizon dëshirat dhe formon profesionin e tij për të pasur një karrierë të suksesshme. Po aq të rëndësishme për formimin e studentit janë dhe aktivitetet ekstrakurrikulare, ose siç në UET njihen ndryshe klubet studentore. Një mundësi e tillë si klubet, përbën para së gjithash një hapësirë ku studenti përveç ëndrrës universitare dhe zgjedhjes së profesionit që dëshiron, ka edhe një shteg të hapur për të ndjekur dhe ushtruar aftësitë e tij, talentin drejt pasionit, i cili në shumë raste ndihmon edhe në përmirësimin e njohurive në fushën akademike dhe profesionale, duke e bërë procesin e studimit më të plotë dhe më kreativ.

Klubet studentore janë grupe aktivitetesh që synojnë rritjen, shoqërizimin dhe afirmimin e mundshëm të studentëve në një universitet. Përvojat e krijuara në klub i ndihmojnë studentët të kenë sukses të mëtejshëm edhe jashtë ambientit universitar. Këto aktivitete ekstrakurrikulare janë jo vetëm një mundësi për të krijuar njohje, por mund të cilësohen dhe si paradhoma e karrierës profesionale. Marrëdhëniet e që krijohen shfaqen dinamike dhe mbi të gjitha arrijnë të aftësojnë individin për t’i kuptuar ato potenciale të cilat shpesh qëndrojnë të fshehura për shkak të vështirësisë në gjetjen e kanalit të duhur të komunikimit dhe shkëmbimit.

Ishim mësuar që UET të gumëzhinte nga zhurmat e vazhdueshme të studentëve të cilët me nxitim “vraponin” për të mos humbur asnjë takim të klubit, kjo bazuar në parimin kryesor se klubet thyejnë klimën rutinore dhe ndikojnë që studenti të plotësojë aspiratën e tij, duke iu përgjigjur talentit me energji, kohë dhe pasion, si edhe me anë të këshillimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet pedagogut dhe studentëve të tjerë.

Por me ardhjen e pandemisë gjithçka ndryshoi…

Më shumë se asnjëherë më parë, doli në pah vlera e klubeve studentore dhe rëndësia e pjesëmarrjes në to. Aktivitetet iu përshtatën situatës së krijuar duke u zhvilluar tashmë jo nga auditori, por në platformat online që UET adaptoi. Mentorimi i kujdesshëm dhe bashkëveprimi me anëtarët e klubeve i dhanë një dinamikë tjetër jetës së kufizuar sociale. Edhe pse në distancë, këto takime nuk kufizuan bashkëveprimin mentor-student, duke krijuar një realitet të ri, ndryshe por të prekshëm. Empatia, energjia dhe dëshira për të vijuar më tej me veprimtarinë e klubeve, kanë qenë faktorë të dukshëm ndikues në forcimin e marrëdhënieve sociale.

Gjatë këtij viti të pazakontë për njerëzimin, klubet studentorë sërish ia dolën të afrojnë emocionalisht, krah shkëmbimit intelektual, anëtarët dhe mentorët e klubeve, duke krijuar mënyra të reja ndërveprimi pa kërkuar praninë fizike të të përfshirëve. Temat gjenerojnë njëra-tjetrën në vazhdimësi përmes diskutimeve dhe sugjerimeve, duke e shndërruar klubin më të qëndrueshëm dhe duke e kthyer në një shtyllë të rëndësishme edukimi, qëndrueshmëria e së cilës vjen pikërisht nga interesi i treguar i studentëve dhe kërkesa e tyre e përsëritur, për vazhdimësinë e aktiviteteve të tilla në grup.

Duke marrë parasysh aspektin e një organizmi informal që kryesisht drejtohet nga studentët për studentët, i bën ata të ndihen më të lirshëm po aq sa në auditor, duke krijuar kështu një hapësirë ku mendimet e gjithsecilit respektohen dhe merren parasysh.

Numri i klubeve studentorë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në UET është rritur dhe pjesëmarrja në to është e pakufizuar. Studenti është i lirë të zgjedhë klubin edhe jashtë fushës së tij të studimit, të shpalosë dëshirat dhe pasionet e tij, të dalë nga rutina akademike dhe të bëjë një ndërthurje klubesh: nga ai menaxhimit tek ai i artit, nga klubi i filozofisë tek ai i arkitekturës, nga i drejtësisë tek sportet. E gjithë kjo dinamikë klubesh i bën studentët të jenë më të angazhuar dhe më të kënaqur gjatë arsimimit të tyre.

 

 

 


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back