Aktualitet

KLP dorëzon në Kuvend listën e kandidatëve për Kryeprokuror

Shkruar nga Liberale

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dorëzuar sot në Kuvend listën e kandidatëve të renditur sipas vlerësimit për Prokuror të Përgjithshëm, ku thuhet se asnjë nga kandidatët në këtë proces nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit.

Në listën e kandidatëve, i pari është renditur prokurori Olsian Çela me 459 pikë, e dyta Arta Marku me 406 pikë dhe e treta Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Pasi lista dërgohet në parlament, Kuvendi ka 30 ditë kohë të votojë Prokurorin e Përgjithshëm, ndërsa nëse dështon votimi në Kuvend, emërimin e bën KLP.

Kujtojmë se KLP emëron kandidatin që kryeson listën për Prokuror të Përgjithshëm.

SHKRESA

KUVENDIT TË SHQIPËRISË Z. GRAMOZ RUÇI KRYETAR

TIRANË

I nderuar Z.Ruçi,

Në mbështetje të nenit 148/a pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, ligjit nr .97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”; Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e tij të datës 14.11.2019 ka miratuar vendimin nr.236 “Për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”. Me mbarimin e afatit të ankimimit më datë 21.11.2019, rezultoi se asnjë nga kandidatët në këtë proces nuk ka ushtruar të drejtën e ankimit.

Për sa më sipër në bazë të nenit 34 dhe 35, të ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe tё nenit 21 pika 6 të Rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë”; bashkëlidhur Ju përcjellim vendimin nr.236 datë 14.11.2019 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe relacionin shpjegues, si pjesë përbërëse të tij.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin

KRYETARI GENT IBRAHIMI /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH