Kryesore

Klementin Mile: Transformimi i Pushtetit

               Publikuar në : 09:30 - 23/11/19 Klementin Mile

Sot pushteti lind nga shpërblimi që mund ta na e heqin, ushtrohet në organizata ku nuk ka rëndësi shtresa, dhe premton shumë më tepër nga ç’mund të realizojë.

Teoricieni gjerman Niklas Luman, i cili mbahet nga shumë studiues si gjeniu i vetëm i shkencave sociale gjatë shekullit XX, na thotë që pushteti ka pësuar një transformim të thellë në shoqërinë moderne. Ne duhet ta marrim mirë parasysh këtë transformim nëse duam të kuptojmë aktet politike dhe manifestimin e pushtetit në jetën sociale. Në librin “Teoria Politike në Shtetin e Mirëqenies Sociale”, Luman formulon tri teza për pushtetin në modernitet.

Pushteti i sanksionit pozitiv

Ka një ligj transformimi të sanksioneve pozitive në sanksione negative. Kjo lidhet me burimet e pushtetit. Burimi shoqëror parësor i pushtetit është gjithmonë kontrolli mbi dhunën fizike superiore, ku bazohet ndërtimi i shtetit. Pa këtë kontroll shteti do të ishte i pamundur. Madje edhe vetë ligji presupozon kontrollin mbi këto mjete sanksionimi. Prospekti i ruajtjes së avantazhit në përdorimin e dhunës fizike ka cilësi specifike që duken të përshtatshme për të ndërtuar themelin e pushtetit. Kjo sepse (1) dhuna fizike është e përgjithësueshme – e aplikueshme në kontekste shumë të ndryshme, pavarësisht asaj cka imponohet nëpërmjet kërcënimit të dhunës fizike (2) paraqitet si relativisht e qëndrueshme – e pavarur nga tipi dhe intensiteti i motiveve për t’i rezistuar dhe (3) mund të organizohet mirë – mund të transformohet në vendime të të tjerëve lidhur me aplikimin e dhunës fizike dhe këto vendime mund të kushtëzohen dhe programohen.

Këto cilësi të dhunës fizike janë themeli i së drejtës dhe i politikës në shoqërinë moderne. Por, kur bëhet fjalë për shtetin bashkëkohor të mirëqënies sociale, ky shtet nuk mund të karakterizohet si duhet duke marrë parasysh vetëm pushtetin e bazuar te dhuna fizike. Në fakt, duke kërkuar themele të tjera për politikën, shteti i mirëqënies sociale hyn në  një terren pushteti që mbart aspekte problematike. Kjo karakterizohet nga prirjet për t’i transformuar sanksionet pozitive në negative. Nëse dikush qartësisht pret dhe mbështetet te performancat pozitive, tërheqja (mosofrimi) e tyre rrjedhimisht bëhet sanksion negativ. Për shembull, kur ofrohet asistencë sociale rregullisht ndaj një grupi të synuar i cili siguron jetesën me anë të asistencës, mundësia e tërheqjes së asistencës shfaqet si kërcënim dhe transformohet kështu në sanksion negativ. E njëjta gjë mund të thuhet për punonjësit, të cilët mund të bëhen të ndiejnë kërcënimin e pushimit nga puna, ose për partnerët që kanë një kohë të gjatë që zhvillojnë biznes bashkë etj. Pra, sa më shumë dikush mësohet me avantazhet, aq më shumë rritet pushteti potencial si rezultat i mundësive që sjellin me vete sanksione negative: pushteti potencial i tërheqjes. Në këtë mënyrë rritet pushteti social: si pushtet i ndihmuesve dhe kujdestarëve; si pushtet i pjesëmarrësve; si pushtet i atyre që ofrojnë konsensusin ose praninë e tyre për një cështje; si pushtet i të gjithë atyre që mund t’i ndryshojnë gjërat duke u thënë “Jo!” pritshmërive ekzistuese.

Ky lloj pushteti është pjesërisht i padëmshëm dhe pjesërisht i përjashtuar, me anë të mbrojtjes që sigurojnë mekanizmat ligjore dhe maksimat politike. Por shanset e transformimit të sanksioneve pozitive në sanksione negative lindin vazhdimisht përmes shërbimeve gjithmonë e më të shumta që ofrojnë të tjerët. Kështu këto bëhen burime pushteti me cilësi politikisht të rrezikshme. Ato (1) nuk mund të centralizohen (përvecse po të centralizohet e gjithë asistenca) dhe qëndrojnë të përhapura; (2) përdorimi i tyre nuk mund të kontrollohet; (3) janë të përshtatshme më shumë për të penguar se sa për të promovuar një sjellje specifike. Pushteti i tërheqjes bëhet problem politik si pushteti për të bllokuar.

Pushteti i organizatës

Pushteti në shoqërinë moderne nuk ushtrohet më në bazë të shtresës sociale, por në bazë të organizimit formal. Raportet e pushtetit në sistemin shoqëror bashkëkohor nuk mund të kuptohen po të nisesh nga koncepti i një shtrese, klase apo elite sunduese. Sigurisht, ka persona që zënë pozicionet e lidershipit dhe që i kanë më të lehta kontaktet brenda këtyre grupeve. Por anëtarësia në këto grupe lidershipi nuk manifestohet si familje ose grup miqësor, por lind nga perceptimi i pozicioneve organizative. Ndryshe nga shoqëritë e mëparshme, nuk mund të supozohet që një shtresë e shoqërisë krijon solidaritet ndërmjet anëtarëve të saj. Dhe probabiliteti është i ulët që mënyra sjellje tipike për një shtresë të caktuar të mund të drejtojnë me sukses procesin e ushtrimit të pushtetit. Kjo do t’i korrespondonte një tipi shoqërie në të cilën pushteti politik qëndron akoma esencialisht te kontrolli i aksesit për dhunë fizike superiore. Sipas Lumanit, ky nuk është më rasti. Sot rritja, diversifikimi material dhe përpunimi i pushtetit varen nga organizimi formal. Kjo duket te zhvillimi i zhinxhirëve më të gjatë dhe më të qëndrueshëm të pushtetit, te format indirekte të përdorimit të tij për të drejtuar ushtrimin e pushtetit nga të tjerët, dhe te efektiviteti i rritur, pasi me një vendim dikush mund të shkaktojë marrjen e shumë vendimeve të tjera që rezultojnë prej tij.

Organizata është një mekanizëm që e diferencon dhe e shpërndan pushtetin, por jo si një mall të dhënë. Shpërndarja, nga ana e saj, krijon dhe ndryshon atë çka shpërndahet. Teoria borgjeze e shoqërisë kërkonte ta fuste mekanizmin e diferencimit në teorinë e ndarjes së pushteteve dhe në teorinë e konkurrencës ekonomike, me qëllim që ta kufizonte pushtetin dhe ta reduktonte në atë cka ishte ligjërisht e lejueshme ose ekonomikisht racionale. Por në zbatimin e këtij programi zbulohet pashmangshmërisht se formimi i organizatave gjithashtu e shumëfishon pushtetin –  edhe pse jo në forma të kontrollueshme prej qendrës. Në këtë mënyrë situata e problemit zhvendoset gradualisht. Sot çështja nuk është më aq shumë keqpërdorimi i pushtetit, sesa tepria e pushtetit të papërdorshëm që shoqëria prodhon përmes organizatave.

Pushteti inflacionist

Në modernitet lindin diferenca të theksuara ndërmjet pushtetit real dhe pushtetit të atribuar, shoqëruar nga prirje inflacioniste ose deflacioniste të pushtetit. Për shkak të ekzistencës së sistemeve organizative komplekse në shoqëri, pushteti organizativ vlerësohet ndryshe nga jashtë organizatës dhe ndryshe nga brenda saj. Kur shihet nga jashtë, ka një mbivlerësim tipik të homogjenitetit të organizatës dhe aftësisë së saj për të zbatuar pushtetin organizativ. Pushteti i atribuohet krerëve të organizatës, por në realitet ekzistojnë balanca pushteti të komplikuara që variojnë sipas temave dhe situatave. Pra kreut të organizatës i atribuohet më shumë pushtet sesa ka realisht.

Ky proces atribuimi shkakësor sjell pasoja në raportet reale të pushtetit. Kështu së jashtmi organizatës i duhet të respektojë atribuimin e pushtetit, përndryshe personat jashtë organizatës nuk do mund ta shihnin dhe trajtonin organizatën si rend. Për personat e jashtëm që merren me organizatën janë të nevojshme thjeshtëzimet që mundësojnë raportet brenda-jashtë. Për këtë arsye duhet promovuar dhe mbështetur edhe prestigji i pushtetit të krerëve të organizatës. Në këtë mënyrë atribuimi i jashtëm i pushtetit bëhet faktor pushteti në konfliktet e brendshme. Krerët mund të kërcënojnë largimin nga organizata ose mund të krijojnë situata që ekspozojnë për vëzhguesit e jashtëm se organizata nuk funksionon si unitet vendimarrës dhe zbatues. Kjo formon bazën e një lloj pushteti informal të krerëve formal, i cili mbështetet te fakti që pushteti u atribuohet atyre dhe ky atribuim, si proces përgjithësimi simbolik, është i ndjeshëm ndaj informacionit për faktet. Kjo aplikohet në shkallë të ndryshme nëpër organizata të llojeve të ndryshme. Kështu, për partitë politike më shumë se për universitetet, për organizatat mediatike më shumë se për shërbimin postar, për ushtrinë më shumë se për bankat.

Duke transferuar konceptet inflacion dhe deflacion nga teoria e parasë te teoria e pushtetit (duke qenë se të dyja janë media komunikimi të përgjithësueshme simbolikisht), mund të thuhet se ashtu si në ekonominë monetare, edhe në domenin e pushtetit duket të ketë vetëm një overdraft të kufizuar burimesh të vlefshme, të cilat mund të përngjasohen me kreditin. Pushtetmbajtësi merr më shumë vendime dhe siguron bindje për më shumë vendime sesa mund të bëjë efektive në raste konflikti.

Nëse pushtetmbajtësi e përdor shumë pak pushtetin që i atribuohet dhe e kufizon veten brenda pushtetit që “ka me të vërtetë”, kështu ai shkakton një prirje deflacioniste. Ai operon shumë pranë mjeteve të tij të sanksionimit. Dhe rreziku me këtë është se ai nuk arrin të largohet nga zona e kërcënimit të ushtrimit të pushtetit drejt zonës së ushtrimit të suksesshëm të pushtetit. Nga ana tjetër, nëse pushtetmbajtësi mbështetet shumë fort te pushteti që thjesht i atribuohet, ai shkakton një prirje inflacioniste. Në këtë rast ai bëhet i varur nga sukseset e dukshme që demonstrojnë se ka pushtet. Njëkohësisht ai bëhet vulnerabël nga krizat, të cilat tregojnë se ai nuk mund t’i mbulojë vendimet me sanksione./Gazeta Liberale

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back