Editorial

Kjo “dyzinë e ndyrë” e njerëzve të drejtësisë

Shkruar nga Liberale
Kjo “dyzinë e ndyrë” e njerëzve të

Klementin Mile

Ata janë më shumë se dymbëdhjetë, e në këtë kuptim, nuk u shkon fjala dyzinë.

Por, ndërsa iu referohemi njerëzve të drejtësisë, më shumë kuptim mbart cilësori “i ndyrë” sesa sasiori “dyzinë”.

Opozita ka të drejtë në akuzat e saj: në SPAK, në Byronë Kombëtare të Hetimit, në prokurori, në gjykata dhe në organet e tjera të drejtësisë së re po vendosen jo rrallëherë njerëz me të shkuar të dyshimtë, të formuar në komunizëm, me moral të cenuar, me kompromise me politikën, që nuk u bëjnë aspak nder, dhe me lidhje konjukturale me mazhorancën e sotme.

Po. Pavarësisht vettingut, këtij filtri që do të garantonte cilësi të padiskutueshme të personelit të drejtësisë, kemi të bëjmë me një dyzinë të ndyrë.

A mund të presim drejtësi nga njerëz të tillë?

Rasti është i ngjashëm me historinë që rrëfehet në filmin e famshëm hollivudian “Dyzina e ndyrë”, të regjizorit Robert Aldrich.

Filmi tregon për dymbëdhjetë të burgosur në vitin 1944, pesë prej të cilëve të dënuar me vdekje, ndërkohë që të tjerët me punë të rëndë për shumë vite, të cilëve u ofrohet një mundësi; në kuadër të Projektit Amnesti, ushtria amerikane në luftë me gjermanët, i ngarkon majorit Reisman një mision shumë sekret për të trajnuar dymbëdhjetë prej të burgosurve më të ndyrë të ushtrisë, e për t’i shndërruar në komando që do të dërgoheshin në një mision gati vetëvrasës kundër gjermanëve.

Vetëm njëri nga të burgosurit shpëton gjallë në luftë dhe nuk merr asnjë nderim prej ushtrisë, ndërkohë që për njëmbëdhjetë të tjerët u komunikohet familjeve se “ranë në krye të detyrës”.

Kthimi në komando i dyzinës së ndyrë  të të burgosurve të ushtrisë amerikane tregoi se nuk ishte mënyra e duhur për të arritur qëllimin; por ky qe një shembull se si mund të motivosh dhe përdorësh në betejë edhe njerëz që meritojnë vdekjen ose burgimin e përjetshëm.

Në rast se po aplikohet Projekti Amnesti për njerëzit e drejtësisë së re në vendin tonë, ne, patjetër, mund të presim drejtësi nga njerëz të tillë.

Atyre po u ofrohet një mundësi, për të treguar se mund ta shndërrojnë veten nga “dyzina e ndyrë” që duhet ndëshkuar dhe hequr qafe sa më shpejt, në “komandot” e drejtësisë së re që janë gati të rrezikojnë dhe sakrifikojnë veten për të arritur objektivat e sistemit.

Amnestia ka një fuqi transformuese të jashtëzakonshme: ajo mund ta bëjë juristin e dikurshëm të shkollës së Partisë t’i ndëshkojë komunistët e sotëm dhe trashëgimtarët e tyre; mund ta bëjë prokurorin me moral të cenuar të ngrejë akuza që nuk do të guxonte askush; mund ta bëjë gjykatësin konjuktural me mazhorancën të japë vendime që do i përkrahte çdo opozitar.

Por, që e gjithë kjo të funksionojë, kërkohet garanci.

Nuk kërkohet garanci prej njerëzve të drejtësisë: ata, në pjesën më të madhe të tyre, le të vazhdojnë të jenë ajo dyzina e ndyrë.

Garancia duhet të vijë nga sponsorët e drejtësisë së re, nga amerikanët dhe europianët e investuar për t’i ndryshuar një herë e mirë rregullat e lojës politike në vend.

Sepse, deri tani, gjithçka është e paqartë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH