1

Kina dhe Rusia po përdorin fuqinë e tyre për të kërcënuar demokracitë

               Publikuar në : 11:17 - 15/05/21 liberale

Christopher Walker & Jessica Ludwig

Demokracitë kanë hasur jo pak vështirësi, ndërsa autokracitë e kanë shtuar forcën e tyre gjatë 15 viteve të fundit. Në këtë periudhë, diktaturat kanë forcuar dhe modernizuar sistemet e tyre represive. Qeveritë në gati çdo rajon, mes tyre shumë demokraci, janë bërë më jo liberale ose autoritare.
Në veçanti dy fuqitë e mëdha, Kina dhe Rusia, kanë spikatur në forcimin e kontrollit brenda vendeve të tyre, duke i përshtatur teknikat e tyre për epokën dixhitale, dhe duke ushtruar ndikim më të madh jashtë vendit me synimin për ta bërë botën më të sigurt për autokracinë.

Sot vendet demokratike janë më të prekshme nga qeveritë dhe idetë autoritare, sesa në çdo pikë tjetër në epokën e pas Luftës së Ftohtë. Falë globalizimit, autokracitë dhe demokracitë janë bërë të lidhura me njëra-tjetrën në mënyra të komplikuara,të cilat në të shumtën e rasteve kanë efekte të dëmshme tek demokracitë.
Për shembull, midis tyre janë përhapur partneritetet në lidhje me mediat, shpesh duke e cënuar integritetin e lajmeve dhe përmbajtjes së informacionit,dhe duke kufizuar lirinë e shprehjes. Universitetet, botuesit dhe grupet e mendimit në demokraci bashkëveprojnë dhe pranojnë fonde nga vendet autoritare në një masë që jo shumë kohë më parë as që do të ishte imagjinuar.
Ekonomitë e shumë demokracive, janë të integruara me ekonomitë e autokracive në një masë të tillë, që i bën shumë demokraci më të prekshme ndaj formave strategjike dobësuese të korrupsionit dhe makinacioneve autoritare. Përmes këtyre lidhjeve, fuqitë autokratike po i gërryejnë standardet thelbësore të llogaridhënies në një demokraci.

Suksesi i fuqive autoritare buron nga shfrytëzimi prej tyre i një asimetrie të dukshme:në një epokë të hiper-globalizimit, regjimet në Rusi dhe Kinë kanë ngritur barriera ndaj ndikimit të jashtëm politik dhe kulturor brenda vendit, ndërsa në të njëjtën kohë synojnë goditjen e sistemeve demokratike jashtë vendit
Regjimet autoritare janë përpjekur të modifikojnë organizatat ndërkombëtare,që kanë si mision ruajtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Të udhëhequr nga Kina dhe Rusia, fuqitë jo liberale po synojnë të mënjanojnë grupet e pavarura dhe të minojnë punën e vëzhguesve zyrtarë siç janë raportuesit specialë në mekanizmat e të drejtave të njeriut dhe demokracisë së Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të ngjashme.

Ata e kanë ndryshuar agjendën e këtyre institucioneve, në mënyrë që të shmangin diskutimin e temave që ata i konsiderojnë të padëshirueshme. Qëllimi i tyre nuk është thjeshtë të mbrojnë autoritarizmin në shtëpi, por të ndryshojnë normat ndërkombëtare që stigmatizojnë qeverisjen autoritare.
Fuqitë autoritare kanë shfrytëzuar me shkathtësi hapjen e sistemeve demokratike. Ato i kanë shndërruar tiparet që dikur shiheshin si një pikë e fortë e demokracive – si konkurrenca, transparenca dhe ndershmëria – në dobësi të tyre, duke i përvetësuar sistemet përmes të cilave studiuesit dhe studentët shkëmbejnë ide në sektorin e arsimit, dhe duke u përpjekur të ushtrojë kontroll më të madh dhe të diktojnë standardet në fushën e teknologjive të reja.

Fuqitë autoritare kanë shfrytëzuar me shkathtësi hapjen e sistemeve demokratike. Dobësimi i mediave tradicionale të lajmeve, u ka dhënë regjimeve autoritare shansin për të shumëfishuar narrativat e tyre të preferuara dhe për të fituar simpati në shumë vende të botës.
Partneritetet me mediat lokale në vendet demokratike, si midis ANSA-s italiane dhe Agjencisë Kineze të Lajmeve Xinhua, apo me platformat ndërkombëtare të lajmeve, si lidhja midis Reuters Connect dhe TASS Agjencisë Ruse të Lajmeve, Agjencisë Anadolu të Turqisë dhe CCTV të Kinës dhe Xinhua, ka prodhuar një mbulim që plotëson boshllëqet e informacionit, por që shpesh reflekton interesat e ngushta të regjimeve autoritare.

Aktorët autoritarë mund të shfrytëzojnë marrëdhëniet tregtare dhe ato financiare për të prishur integritetin e institucioneve demokratike. Vetëm muajin e kaluar, media gjermane njoftoi se lobistët dhe operativët e lidhur me regjimet në Azerbajxhan, Hungari dhe Rusi kishin bërë pagesa për parlamentarët, në këmbim të ndikimit të tyre në Bruksel dhe Berlin.
Nëse demokracitë e konsoliduara e kanë të vështirë ta shmangin një korrupsion të tillë, demokracitë në zhvillim gjenden në një rrezik edhe më të madh. Regjimet autoritare kanë ushtruar presion mbi kompanitë e sektorit privat, në mënyra që përbëjnë një përpjekje për censurë në një shkallë globale.
Në muajt mars dhe prill, Partia Komuniste Kineze (ÇP) dhe media shtetërore kineze sulmuan disa kompani ndërkombëtare të veshjeve, si kundërpërgjigje ndaj këmbënguljes së tyre se linjat e veshjeve nuk buronin nga pambuku i prodhuar nga kampet e detyruara të punës në rajonin e Xinjiangut në Kinë.
Një presion i tillë shtrihet në kulturë dhe argëtim. Për shembull, qeveria e Arabisë Saudite u përpoq të krijonte pengesa të mëdha për shpërndarjen globale të filmit “The Dissident”, që tregon historinë e gazetarit saudit me banim në SHBA, Jamal Khashoggi, që u vra në vitin 2018 nga shërbimi sekret i Riadit.

Përballja me axhendën e këtyre autokracive, do të kërkojë përpjekjet e një spektri të plotë institucionesh brenda shoqërive të hapura demokratik. Qeveritë mund të jenë më të përshtatshme për t’iu përgjigjur aspekteve të caktuara të ndërhyrjeve autoritare.
Por të vetme ato nuk mund të krijojnë një përgjigje efektive ndaj të gjitha mjeteve, me të cilat regjimet autoritare synojnë të përhapin ndikimin e tyre. Shoqëria civile e pavarur, është një pjesë thelbësore e përparësisë konkurruese që kanë demokracitë përkundrejt shteteve autoritare.

Aktorët joqeveritarë – në media, universitete, dhe teknologji dhe kompani në industrinë e argëtimit- duhet të zhvillojnë strategji që forcojnë standardet e hapjes, llogaridhënies dhe integritetit institucional. Përndryshe, do të bëhen gjithnjë e më të ndjeshme ndaj fuqisë së madhe të regjimeve autoritare.
Sot një refren i zakonshëm thotë se demokracitë duhet të “rregullojnë shtëpinë e tyre”, para se të përballen me kërcënimin autoritar. Por ato nuk kanë luksin të injorojnë botën përreth tyre ndërsa e bëjnë këtë gjë. Regjimet autoritare, të cilat kanë siguruar ndikim më të madh si në vendet demokratike, ashtu edhe në organet ndërkombëtare për vendosjen e rregullave nuk ka të ngjarë të tërhiqen apo të ndërpresin aktivitetet e tyre.

Ndaj, demokracitë duhet të adresojnë njëkohësisht dobësitë e tyre, dhe të mbrojnë institucionet e tyre nga kërcënimet e jashtme në mënyra reciprokisht përforcuese, në rast se dëshirojë që t’i pengojnë rivalët autoritarë, në mënyrë që ta bëjnë botën më të sigurt ndaj autokracisë.


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back